POLITIKATË FUNDIT

Krasniqi: Byroja mund të jetë instrument shumë efektiv kundër përfitimeve të paligjshme

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë vizitave në fshatrat e komunës së Prishtinës ka takuar banorë lokalë, ku ka diskutuar për zhvillimet e ardhshme të vendit.

Kurti ka theksuar rëndësinë e themelimit të Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, të cilën e cilësoi si një mekanizëm të domosdoshëm në luftën kundër korrupsionit dhe pasurimit të paligjshëm.

“Një nga gjërat që mendojmë se do ta përmirësojë shumë Kosovën është sjellja e drejtësisë për plagët e lëna nga korrupsioni. Është e domosdoshme të krijohet Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Nuk mund të ecet pa të. Brezit të ri nuk mund t’ia lëmë kështu Kosovën”, ka thënë ai.

Profesori Kolë Krasniqi në një prononcim për “Bota sot”, thotë se Byroja për konfiskimin e pasurisë mund të ndihmojë në luftën kundër korrupsionit.

Suksesi i saj varet nga: pavarësia politike (të mos përdoret për qëllime politike), bashkëpunimi i institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë, respektimi i ligjit dhe të drejtave të njeriut.

Pa këto kushte, sipas tij, rrezikon të mbetet vetëm një mjet formal ose politik.

“Byroja për konfiskimin e pasurisë mund të ketë ndikim të rëndësishëm në luftimin e korrupsionit, nëse funksionon mbi baza të forta juridike, institucionale dhe profesionale. Në vetvete, ajo nuk përbën “zgjidhje magjike” dhe as mekanizëm vendimtar për luftimin e korrupsionit, por mund të shërbejë si instrument shumë efektiv për goditjen e përfitimeve ekonomike të realizuara përmes aktiviteteve të kundërligjshme dhe korrupsionit të nivelit të lartë.

Suksesi i kësaj Byroje varet nga disa kushte thelbësore, si vijon:

Së pari, Byroja duhet të jetë plotësisht e pavarur politikisht. Nëse përdoret si instrument selektiv kundër kundërshtarëve politikë, atëherë ajo humb legjitimitetin juridik dhe shndërrohet në mjet presioni politik.

Së dyti, duhet të ekzistojë koordinim profesional ndërmjet prokurorisë, policisë, administratës tatimore, inteligjencës financiare dhe gjykatave.

Së treti, duhet të respektohen standardet kushtetuese dhe ato të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, veçanërisht lidhur me prezumimin e pafajësisë, proporcionalitetin, mbrojtjen e pronës private dhe të drejtën themelore për proces të rregullt ligjor”, u shpreh ai për gazetën.

Tutje, Krasniqi thekson se, ndonëse vende si SHBA, Italia dhe Britania kanë pasur sukses në konfiskimin e pasurisë kriminale, kjo ka ardhur falë institucioneve të forta dhe të pavarura, jo vetëm nga krijimi i një byroje.

Për Kosovën, një byro e tillë mund të ndihmojë në luftën kundër korrupsionit, por duhen edhe reforma të thella në drejtësi, prokurori, transparencë dhe depolitizim të institucioneve. Pa këto, byroja rrezikon të mbetet vetëm formale ose politike.

“Në shtetet demokratike, konfiskimi i pasurisë nuk mund të mbështetet mbi logjikën: “merre pasurinë dhe pastaj provo pafajësinë”, sepse një qasje e tillë e cenon rëndë sigurinë juridike dhe të drejtat themelore të njeriut.

Në praktikën bashkëkohore, disa shtete si Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar kanë arritur rezultate të rëndësishme përmes konfiskimit të pasurisë kriminale, veçanërisht në luftimin e mafias, krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë. Megjithatë, këto rezultate nuk janë arritur vetëm për shkak të themelimit të një byroje të tillë, por përmes institucioneve kredibile dhe të forta shtetrore, prokurorëve profesionalë, gjykatave të pavarura, transparencës institucionale dhe kontrollit cilësor demokratik e parlamentar.

Për Kosovën, një Byro për konfiskimin e pasurisë mund të jetë mekanizëm ndihmës në luftimin e korrupsionit, të nivelit të lartë. Megjithatë, ajo nuk mund ta zëvendësojë nevojën imperative për reformë rrënjësore në sistemin gjyqësor, forcimin e pavarësisë së prokurorisë, profesionalizmin e hetimeve financiare, transparencën publike dhe depolitizimin e institucioneve shtetërore!!!

Pa këto elemente, edhe byroja më e fuqishme rrezikon të mbetet vetëm një strukturë formale ose instrument i luftërave politike. „Lufta reale kundër korrupsionit nuk fitohet duke krijuar institucione të reja, por duke ndërtuar kulturë juridike, përgjegjësi institucionale dhe barazi reale para ligjit”, përfundon ai për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *