Kosova prezanton potencialin turistik në Panairin ndërkombëtar në Stokholm
Kosova promovon potencialin e saj turistik në Travel News Market 2026, panairin ndërkombëtar të turizmit që po mbahet në Stokholm të Suedisë.
Dhjetë kompani turistike vendore po prezantojnë destinacionet, atraksionet dhe përvojat e ndryshme që vendi ynë ofron për vizitorët ndërkombëtarë.
“Panairi krijon mundësi për takime B2B, shkëmbim kontaktesh dhe zhvillim partneritetesh me operatorë turistikë dhe agjenci udhëtimi nga tregu nordik, transmeton Telegrafi.
Pjesë e prezantimit është edhe alpinistja Uta Ibrahimi, e cila, përmes përvojave të saj në udhëtime dhe eksplorim të natyrës, promovon potencialin e Kosovës për turizmin e aventurës.
Pjesëmarrja organizohet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, në bashkëpunim me projektin GROË, të mbështetur nga Sida dhe të zbatuar nga Swisscontact, si dhe në koordinim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Suedi.
Synimi është zgjerimi i prezencës së Kosovës në tregjet nordike dhe krijimi i mundësive të reja të bashkëpunimit për bizneset turistike vendore në tregun ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Kosovës. /Telegrafi/
