Kosova, i vetmi shtet i Ballkanit Perëndimor pjesë e ENCASIA-s për sigurinë e aviacionit
Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike në Kosovë iu nënshtrua procesit të vlerësimit nga ekspertët evropianë më 13 dhe 14 tetor.
Kosova ka qenë pjesë e procesit të vlerësimit nga Bashkimi Evropian në fushën e hetimit të aksidenteve dhe incidenteve ajrore, përmes Rrjetit Evropian të Autoriteteve për Hetimin e Sigurisë në Aviacionin Civil (ENCASIA).
Sipas njoftimit të Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike (KHAIA), procesi i njohur si Peer Review është zhvilluar më 13 dhe 14 tetor 2026, në kuadër të vlerësimit të standardeve dhe praktikave në fushën e sigurisë së aviacionit.
Paneli i ENCASIA-s që qëndroi në Kosovë u udhëhoq nga Italia, ndërsa në përbërje të delegacionit kishte përfaqësues nga Franca, Holanda, Luksemburgu dhe Islanda.
Kosova është i vetmi shtet i Ballkanit Perëndimor pjesë e këtij rrjeti evropian, i cili përfshin autoritetet përgjegjëse për hetimin e aksidenteve ajrore nga 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe katër shtete me status vëzhgues: Norvegjia, Islanda, Zvicra dhe Kosova.
Procesi i Peer Review zhvillohet për të gjitha shtetet pjesëmarrëse, sipas standardeve dhe metodologjisë së Bashkimit Evropian, me fokus në vlerësimin e punës së autoriteteve përgjegjëse për hetimin e aksidenteve në aviacionin civil.
Pjesëmarrja e Kosovës në këtë proces e përfshin vendin në mekanizmat evropianë të bashkëpunimit për hetimin e aksidenteve ajrore dhe sigurinë e aviacionit civil. /Telegrafi/
