POLITIKATË FUNDIT

Kosova formon grupin për apel në Hagë: BE kritikon ndryshimet ligjore

Formimi i ekipit të strategjisë shtetërore vjen pasi Gjykata Speciale dënoi me 81 vjet burgim katër ish-krerët e UÇK-së .

Qeveria e Kosovës ka nisur formimin e grupit punues për hartimin e strategjisë shtetërore për procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë. Grupi udhëhiqet nga zëvendëskryeministri Glauk Konjufca dhe pritet të kompletohet brenda disa ditëve.

Lëvizja Vetëvendosje e ka deleguar Adnan Rrustemin, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka caktuar Bekë Berishën, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës i ka dhënë mandatin Jehona Lushaku-Sadriut. Nga ana e Kuvendit të Kosovës, nënkryetarja Vlora Çitaku do të jetë anëtare e grupit. Partia Demokratike e Kosovës nuk ka konfirmuar ende se kush do të përfaqësojë partinë në këtë grup punues, megjithëse Kallxo.com është në pritje të një deklarate zyrtare nga PDK, raporton /kallxo.com/

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar vonesat: “Ka kaluar një muaj prej kur është marrë vendimi. Shteti i Kosovës ende nuk ka marrë veprime bazë në raport me Brukselin, London, Uashington.”

Kryeministri Albin Kurti tha se aktgjykimi i shkallës së parë është “i padrejtë juridikisht dhe moralisht” dhe që synohet korrigjimi i tij në apel. Ministri Andin Hoti theksoi se afati për përfundimin e strategjisë varet nga disa faktorë dhe se duhet shmangur ngutja.

Komisionerja evropiane Marta Kos kritikoi ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara: “Ndryshimet bien ndesh me detyrimet themelore të Kosovës ndaj BE-së. Kjo është e papranueshme.” Ajo theksoi se ndryshimi i rregullave ligjore gjatë proceseve gjyqësore bie ndesh me standardet ndërkombëtare të sundimit të ligjit.

Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara në Hagë shqiptuan vendimin e shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke i dënuar ata me gjithsej 81 vite burgim. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi, u dënuan secili me nga 25 vite burgim. Kadri Veseli, u dënua me 18 vite burgim, ndërsa Rexhep Selimi, u dënua me 13 vite burgim.

Vendimi është i shkallës së parë dhe mund të apelohet, pikërisht ky është procesi për të cilin Qeveria e Kosovës po harton tani strategjinë shtetërore të mbështetjes juridike, institucionale dhe diplomatike.

Me zgjedhjen e presidentes Justina Shiroka-Pula më 6 tetor me 81 vota, u mbyll protesta e 21 netëve, e organizuar pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së./KosovaNews/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *