Kosova fiton dy medalje në Kupën Evropiane, Arba Hasanaj dhe Elvira Ukaj stolisen me të bronzta
Kosova ka fituar dy medalje të bronzta në Kupën Evropiane për Kadetë, që po zhvillohet në Selanik të Greqisë, falë paraqitjeve të suksesshme të xhudisteve Arba Hasanaj dhe Elvira Ukaj.
Hasanaj u rendit e treta në kategorinë deri në 70 kilogramë, ndërsa Ukaj siguroi medaljen e bronztë në kategorinë mbi 70 kilogramë. Të dyja garueset u paraqitën nën drejtimin e trajneres Majlinda Kelmendi.
Arba Hasanaj e nisi garën në mënyrë të shkëlqyer, duke e mposhtur me Ippon greken Chrysoula Stavroula Ouranitsa. Ajo vazhdoi me fitore edhe në çerekfinale, ku me të njëjtën mënyrë triumfoi ndaj lituanezes Radvile Juseviciute.
Në gjysmëfinale, xhudistja kosovare u ndal nga grekja Maria Eleni Papaioannou, por u rikthye fuqishëm në luftën për medaljen e bronztë, ku mposhti me Ippon kroaten Lana Kraus.
Edhe Elvira Ukaj arriti të sigurojë një vend në podium, ndonëse rrugëtimi i saj nuk ishte i lehtë. Në çerekfinale, ajo pësoi humbje me Ippon nga kanadezja Olivia Wisniowski, duke vazhduar garën nëpërmjet repasazhit.
Në këtë fazë, Ukaj regjistroi fitore me Ippon ndaj grekes Petrina Apatsidou, përpara se në duelin vendimtar për medaljen e bronztë të mposhtte edhe një tjetër garuese vendase, Dimitra Sarianidou./ Telegrafi/
