Kosova ende nuk po e shfrytëzon potencialin e grave dhe të rinjve në tregun e punës
Pjesëmarrja e ulët e grave dhe të rinjve në tregun e punës vazhdon të mbetet një nga sfidat kryesore për ekonominë e Kosovës.
Duke folur për këtë çështje, Flandra Marmullaku thekson se Kosova vazhdon të ketë aktivitet më të ulët ekonomik të fuqisë punëtore krahasuar me vendet e rajonit, ndërsa situata është veçanërisht e dukshme te gratë dhe të rinjtë.
“Kosova fatkeqësisht ende e ka aktivitetin më të ulët ekonomik të fuqisë punëtore në krahasim me vendet e rajonit. Kjo është sidomos te pjesëmarrja e grave edhe e të rinjve në tregun e punës, që në Kosovë qëndron ende e ulët.”
Sipas Marmullakut, kjo tregon se një pjesë e konsiderueshme e potencialit të fuqisë punëtore në vend ende mbetet e paaktivizuar. Për ta ndryshuar këtë situatë, nevojiten politika më konkrete që do ta lehtësonin përfshirjen e grave dhe të rinjve në ekonomi dhe do t’i afronin ata më shumë me mundësitë reale të punësimit.
Ajo thekson se mungesa e këtij aktivizimi po krijon vështirësi edhe për vetë bizneset, të cilat në disa raste detyrohen të kërkojnë punëtorë jashtë Kosovës, ndonëse një pjesë e fuqisë punëtore ekziston brenda vendit.
“Bizneset po detyrohen pastaj me dalë edhe me marrë punëtorë prej jashtë vendit, duke e pasë fuqinë punëtore ekzistuese në Kosovë, po potencial i pazhbllokuar. Thjesht mungojnë disa politika konkrete që do ta aktivizonin këtë fuqi punëtore.”
Sipas saj, përfshirja më e madhe e grave dhe të rinjve do të ndikonte jo vetëm në rritjen e pjesëmarrjes në tregun e punës, por edhe në krijimin e një lidhje më të mirë mes nevojave të bizneseve dhe fuqisë punëtore që tashmë ekziston në Kosovë.
Aktivizimi i këtij potenciali mbetet një hap i rëndësishëm për një treg pune më funksional dhe për shfrytëzim më të mirë të kapaciteteve që vendi i ka brenda.
“Matching Skills to Jobs” është projekt i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe i implementuar nga Swisscontact.
Ndiqni podcastin e plot ë:
– YouTube www.youtube.com
