Kosova dhe Europol-i zotohen për thellim të bashkëpunimit kundër grupeve kriminale
Republika e Kosovës mbetet partnere serioze e Europol-it në luftimin e krimit të organizuar ndërkombëtar. Kështu ka deklaruar zëvendësministri i Punëve të Brendshme, pas takimit me drejtorin e Europol-it, Jürgen Ebner.
Sipas tij, gjatë takimit janë rikonfirmuar rezultatet e operacioneve të përbashkëta në luftimin e grupeve kriminale ndërkombëtare, të cilat paraqesin kërcënim për sigurinë e Kosovës, rajonit dhe më gjerë.
Në këtë drejtim, është përmendur edhe operacioni i fundit “Trado 3”, i realizuar më 3 nëntor, nën udhëheqjen e Europol-it dhe në koordinim me shtatë shtete evropiane, përfshirë Kosovën.
Zëvendësministri ka vlerësuar se ky operacion dëshmon përkushtimin e institucioneve të Kosovës në luftimin e aktiviteteve kriminale.
Ai ka bërë të ditur se bashkëpunimi me Europol-in do të thellohet edhe më tej, me synimin për të arritur rezultate të reja në luftimin e krimit të organizuar ndërkombëtar dhe forcimin e sigurisë.
Gjatë qëndrimit të tij, zëvendësministri ka zhvilluar takim edhe me zëvendësministren e Brendshme të Lituanisë, Ana Burkovskiene.
Në këtë takim është diskutuar për zbatimin e marrëveshjeve ndërmjet dy ministrive dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë.
Ai ka falënderuar Lituaninë për kontributin në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës përmes pjesëmarrjes së trupave të saj ushtarake në misionin e KFOR-it.
Palët kanë diskutuar gjithashtu për sfidat e përbashkëta të sigurisë dhe mundësitë e bashkërendimit të përpjekjeve për adresimin e tyre.
Në fund, zëvendësministri ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Lituanisë për Kosovën në rrugën drejt integrimit evropian, duke theksuar se Presidenca e ardhshme lituaneze e Këshillit të Bashkimit Evropian paraqet mundësi të reja për avancimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
