TË FUNDIT

Konfiskohen 53 kilogramë marihuanë, arrestohen dy persona

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona dhe ka konfiskuar 53 kilogramë substancë që dyshohet të jetë marihuanë, me vlerë në tregun vendor rreth 80 mijë euro.

Sipas komunikatës së Policisë, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Sektori Qendror, pas hetimeve disa mujore lidhur me rastin e koduar “MALI”, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, më 16 tetor 2026, rreth orës 21:40, kanë realizuar një operacion taktik, ku janë arrestuar dy persona.

Hetimet janë zhvilluar nën dyshimin se të dyshuarit janë të përfshirë në veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, përkatësisht se janë duke bërë përgatitjet për transportimin e lëndëve narkotike jashtë vendit.

Në kuadër të operacionit janë kontrolluar dy shtëpi dhe objektet përcjellëse. Gjatë kontrollit, në bagazhin e njërës prej veturave është gjetur dhe konfiskuar substanca që dyshohet të jetë marihuanë. Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar 53 kilogramë substancë që dyshohet të jetë marihuanë, dy telefona mobilë dhe dy automjete me targa vendore.

Operacioni është mbështetur nga dy ekipe të Njësisë së Reagimit të Shpejtë (NJRSH) në Gjilan, si dhe nga Njësia e Forenzikës Rajonale në Gjilan. Të dyshuarit, B.A., i lindur më 1988, dhe S.H., i lindur më 1971, pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës, me vendim të prokurorit të shtetit, janë ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme ligjore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *