TË FUNDIT

Konfederata Zvicerane liron rezerva shtesë të ushqimit për kafshët pas thatësirës

Korrja e dobët e foragjereve pas një vere me temperatura rekord ka shkaktuar mungesë të ushqimit për kafshët në pjesën më të madhe të Zvicrës. Për të përballuar situatën, autoritetet zvicerane po mundësojnë qasjen në rezerva shtesë.

Konfederata Zvicerane ka vendosur të lirojë rezerva të tjera të ushqimit për kafshët, në përpjekje për të lehtësuar mungesën e krijuar pas një vere me vapë dhe thatësirë të madhe.

Sipas Zyrës Federale për Furnizim Ekonomik Kombëtar, masat synojnë të sigurojnë furnizimin e fermave, pasi korrja e foragjereve këtë vit ka qenë shumë e dobët, raporton 24heures .

Markus Ritter, deputet në Këshillin Kombëtar të Zvicrës dhe president i Unionit të Fermerëve Zviceranë, e ka cilësuar korrjen si “katastrofike”, transmeton Telegrafi. Ai ka theksuar se fermerët kanë siguruar shumë më pak ushqim për kafshët sesa u nevojitet, ndërsa mungesa po prek pothuajse të gjithë vendin.

Përveç dëmeve në prodhimin bujqësor, niveli i ulët i ujit në lumin Rajn po e vështirëson transportin e disa produkteve të nevojshme për ushqimin e kafshëve drejt Zvicrës.

Christian Hofer, drejtues i sektorit përkatës në Zyrën Federale për Furnizim Ekonomik Kombëtar, ka shpjeguar për SRF-në se transporti i suplementeve proteinike është bërë më i ndërlikuar për shkak të kushteve në lumë.

Mungesa e barit dhe e foragjereve të tjera i detyron fermerët të përdorin më shumë ushqim të pasur me proteina për të plotësuar nevojat e kafshëve.

Për të parandaluar përkeqësimin e situatës, autoritetet kanë ndërmarrë disa hapa që nga vera:

Këto rezerva përbëhen nga produkte të pasura me proteina, të përftuara gjatë përpunimit të vajrave bimorë, të cilat përdoren për ushqimin e shpendëve, derrave dhe gjedhëve.

Sipas autoriteteve, fermat mund të paraqesin kërkesa të arsyetuara për të përfituar nga rezervat, nëse vërtetohet se përballen me mungesë të ushqimit për kafshët.

Rezervat ekzistuese të suplementeve proteinike janë të mjaftueshme për të mbuluar nevojat e vendit për rreth dy muaj, në rast të ndërprerjes së plotë të furnizimeve.

Importi i ushqimit të kafshëve mbetet një alternativë, por transporti dhe kostot e tij e bëjnë këtë zgjidhje më të vështirë për t’u zbatuar.

Autoritetet zvicerane synojnë që, përmes lirimit të rezervave dhe lehtësimit të importeve, të sigurojnë furnizimin e fermave dhe të zbusin pasojat e mungesës së foragjereve. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *