Komuna e Mitrovicës paralajmëron qytetarët për erërat e forta, kërkohet kujdes i shtuar
Komuna e Mitrovicës ka paralajmëruar qytetarët për mundësinë e intensifikimit të erërave të forta gjatë orëve në vijim, duke kërkuar kujdes të shtuar për të shmangur rreziqet e mundshme.
Në njoftimin e publikuar, Komuna u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë vigjilentë dhe të marrin masa parandaluese, duke pasur parasysh paralajmërimet meteorologjike.
“Edhe pse deri më tani në territorin e Komunës së Mitrovicës nuk është evidentuar ndonjë rast apo dëm i shkaktuar nga erërat e forta, mundësia e intensifikimit të tyre kërkon kujdes dhe masa parandaluese”, thuhet në njoftimin e Komunës.
Institucionet komunale u bëjnë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë orëve në vijim dhe të shmangin situatat që mund të paraqesin rrezik për sigurinë e tyre. /Telegrafi/
