Komuna e Istogut nis pranimin e kërkesave për vlerësimin e dëmeve nga erërat e fuqishme
Komuna e Istogut ka njoftuar se ka filluar pranimin e kërkesave nga qytetarët që kanë pësuar dëme materiale si pasojë e erërave të fuqishme të mbrëmjes së kaluar.
Sipas njoftimit të Komunës, kërkesat për vlerësimin e dëmeve mund të dorëzohen nga 13 deri më 20 nëntor 2026, ndërsa pas përfundimit të këtij afati nuk do të pranohen aplikime të tjera.
“Pas erërave të fuqishme të mbrëmjes së kaluar, të cilat kanë shkaktuar dëme në disa prona dhe objekte në territorin e Komunës së Istogut, njoftohen të gjithë qytetarët e prekur se ka filluar pranimi i kërkesave për vlerësimin e dëmeve”, thuhet në njoftimin e Komunës.
Kërkesat duhet të dorëzohen në Zyrën për Shërbime me Qytetarë, në katin përdhes të objektit të Komunës së Istogut, çdo ditë pune nga ora 08:00 deri në 16:00.
Qytetarët duhet t'i drejtohen Drejtoratit për Emergjenca, Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Komisionit Komunal për Vlerësimin e Fatkeqësive Natyrore.
Komuna u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të prekur që të respektojnë afatin dhe të dorëzojnë me kohë kërkesat së bashku me dokumentacionin përkatës. /Telegrafi/
