Kompanitë kosovare prezantojnë produktet në panairin ndërkombëtar në Paris
Tetë kompani nga Kosova po marrin pjesë në panairin ndërkombëtar të industrisë së ushqimit dhe pijeve “SIAL Paris 2026”, i cili po mbahet nga 17 deri më 21 tetor në Paris të Francës.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), kompanitë Abi Progres, Eurofood, Camel, Royal Beverage, BBF Company, Frutti, Vitafood dhe Agro-Florentina po prezantojnë produktet dhe kapacitetet e tyre prodhuese para blerësve, distributorëve dhe partnerëve potencialë ndërkombëtarë.
Pjesëmarrja e kompanive kosovare është organizuar nga MINTI, përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), me qëllim promovimin e produkteve vendore, krijimin e bashkëpunimeve të reja afariste dhe zgjerimin e mundësive për eksport.
Kompanitë pjesëmarrëse po prezantojnë produkte të ndryshme ushqimore dhe pije, përfshirë ajvar, turshi, tranguj të konservuar, keçap, majonezë, marmelata, biskota, vafera, shtrudle, krem-banane, flipsa, produkte nga drithërat, produkte proteinike dhe suplemente ushqimore.
Gjithashtu, po prezantohen lëngje frutash, pije energjike, ujë, çaj i ftohtë, produkte organike, kërpudha të egra dhe të kultivuara, fruta mali dhe bimë mjekësore e aromatike.
Stenda nacionale e Kosovës, me sipërfaqe prej 85 metrash katrorë, është vendosur në korridorin kryesor të sallës 4, me numër M105.
Stendën e ka vizituar edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Francë, Lulzim Hiseni, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij.
Gjatë vizitës, ambasadori Hiseni ka parë nga afër produktet e kompanive prodhuese kosovare dhe ka shprehur interesimin për shqyrtimin e mundësive të bashkëpunimit me institucionet dhe aktorët përkatës në Francë, me qëllim promovimin dhe lehtësimin e qasjes së tyre në tregun francez.
“SIAL Paris” është një nga panairet kryesore ndërkombëtare të industrisë ushqimore, që bashkon prodhues, distributorë, blerës dhe profesionistë të sektorit nga mbarë bota.
Sipas Ministrisë, pjesëmarrja në këtë panair synon të rrisë dukshmërinë e produkteve vendore, të forcojë pozitën e kompanive kosovare në tregjet ndërkombëtare dhe të kontribuojë në zhvillimin e sektorit prodhues dhe eksportues të Kosovës.
Panairi “SIAL Paris 2026” do të jetë i hapur deri më 21 tetor 2026.
