TË FUNDIT

Komisioni voton Projektligjin për Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore

Sot, Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, nën udhëheqjen e kryetarit Nezir Kraki, mbajti mbledhjen e radhës, me të vetmen pikë të rendit të ditës, shqyrtimi në parim i Projektligjit për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore. Projektligjin para komisionit e paraqiti ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Saranda Bugujevci, së bashku me përfaqësues të tjerë nga kjo ministri. Gjatë prezantimit, ministrja Bugujevci theksoi se qëllimi kryesor i këtij projektligji është përmirësimi i mekanizmave të inspektimit në fushën e trashëgimisë kulturore, rritja e kapaciteteve institucionale dhe shtimi i numrit të inspektorëve.

Përmes këtij projektligji, shtoi ajo, synohet krijimi i një Agjencie të veçantë, e cila do të ketë përgjegjësi për mbikëqyrjen dhe inspektimin e trashëgimisë kulturore në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, me qëllim të forcimit të mbrojtjes dhe ruajtjes së saj. Pas prezantimit, anëtarët e Komisionit parashtruan pyetje dhe zhvilluan diskutime lidhur me përmbajtjen e projektligjit, të cilave ministrja Bugujevci iu përgjigj duke dhënë sqarimet përkatëse.

Pas diskutimeve, anëtarët e Komisionit votuan njëzëri për miratimin në parim të Projektligjit për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *