TË FUNDIT

​Komisioni për Ekonomi miraton planin e punës, debat për shitjen e thëngjillit dhe Autoritetin e Konkurrencës

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion ka miratuar planin e punës për sesionin vjeshtor, duke përcaktuar si prioritete shqyrtimin e disa projektligjeve dhe raportimin e dy ministreve të linjës për planet dhe objektivat e tyre për periudhën 2026–2027.

Kryetari i komisionit, deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, tha se komisioni për shqyrtim aktualisht ka Projektligjin për Energjinë, Projektligjin për Energjinë Elektrike, Projektligjin për Inovacion dhe Ndërmarrësi, si dhe Projektligjin për Pagesat e Vonuara në Transaksionet Tregtare.

Po ashtu, sipas Mustafës, komisioni ka planifikuar të ftojë në raportim ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, për të paraqitur planet dhe objektivat e punës për vitet 2026–2027.

“Kemi katër projektligje të cilat i kemi në procedurë, të cilat veçse i kemi pranuar. Projektligjin për Energjinë, Projektligjin për Energjinë Elektrike, Projektligjin për Inovacion dhe Ndërmarrësi, si dhe Projektligjin për Pagesat e Vonuara në Transaksionet Tregtare. Po ashtu, kemi paraparë t’i ftojmë dy ministret e linjës, të kemi për raportim ministren e Ekonomisë lidhur me planin dhe objektivat e punës për vitin 2026–2027. Po ashtu, kemi paraparë edhe raportimin e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, po ashtu për planin dhe objektivat gjatë vitit 2026–2027”, tha Mustafa.

Gjatë diskutimit për planin e punës, deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, kërkoi që komisioni të trajtojë edhe informatat dhe njoftimet që i pranon lidhur me çështje me interes publik.

Ai përmendi një njoftim të pranuar më 19 tetor, që, sipas tij, lidhet me gjendjen e paligjshmërisë në Autoritetin e Konkurrencës të Kosovës.

“Është me rëndësi që komisioni të trajtojë informatat, ankesat apo njoftimet që i merr. Ne jemi të vetëdijshëm që më datën 19 tetor kemi marrë një njoftim për gjendjen e paligjshmërisë në Autoritetin e Konkurrencës së Kosovës. Është me rëndësi që të trajtohet dhe propozoj që ta fusim në kuadër të planit dhe ta trajtojmë”, theksoi ai.

Ndërkaq, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Taulant Kelmendi, tha që raportimi i dy ministreve duhet të bëhet në muajin dhjetor. Sipas tij, kjo do t’u mundësonte ministrive të paraqisnin një pasqyrë më të plotë të punës së bërë gjatë muajve të parë dhe të planifikimeve për vitin 2027.

“Dy pikat e propozuara për raportimin e ministres së Ekonomisë dhe asaj të Industrisë t’i spostojmë për në dhjetor. Ministria prej datës 13 shtator është aktive dhe nuk kanë çka të raportojnë për të kaluarën. Konsideroj që t’u japim hapësirë deri në muajin dhjetor që të raportojnë për tre muajt e parë dhe për planifikimet për vitin 2027”, shtoi ai.

Diskutimet në komision u shoqëruan edhe me përplasje politike, pasi deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, kërkoi që në planin e punës të përfshihet një raportim i veçantë për marrëveshjen me Maqedoninë e Veriut për shitjen e thëngjillit.

Lushtaku kërkoi sqarime për dallimet në çmimet e shitjes dhe llogaridhënie për raportimet që lidhen me vitet 2022, 2024 dhe 2026.

“Po besoj, Nagip Krasniqi, po e dini ku është dhe çfarë gjendje e statusi ka. Për mua është me interes të kemi një raportim të veçantë dhe të shtjellohen krejt raportimet, qoftë të vitit 2022, 2024 apo 2026. Si përfaqësues të popullit, të kemi llogaridhënie para qytetarëve dhe t’i dëgjojmë nga afër krejt këto raportime. Unë po kërkoj pse janë këto dallime”, potencoi ai.

Në përgjigje të këtij diskutimi, deputeti i LVV-së, Valon Ramadani, kundërshtoi interpretimin se thëngjilli po shitet më lirë sesa në të kaluarën. Ai tha se çmimi i përmendur më herët ishte 45 euro, ndërsa çmimi aktual është 24 euro, duke theksuar se ky i fundit përfshin edhe shpenzimet e gërmimit dhe se shitja bëhet për blerësin nga Maqedonia e Veriut.

Ramadani pretendoi gjithashtu se gjatë periudhës kur PDK-ja ishte në pushtet, çmimi maksimal i shitjes kishte qenë tetë euro.

“Derisa kishte një diskutim prej një deputeti, nuk mundemi me lënë. Kemi me pasë rastin kur kemi me diskutuar dhe hetuar krejt ato që kërkohen, pasi nuk kemi çka me fsheh asnjë çështje hiç. Por, nëse ti e ngre si çështje dhe krijon një narracion se tash po shitet më lirë sesa më herët, kjo nuk qëndron. Unë e thashë se është shitur për 45, por tash 24 euro me gërmim, me krejt, prej Maqedonisë së Veriut. Ju, kur keni qenë në pushtet, maksimumi është shitur tetë euro”, përfundoi ai.

Krahas kësaj, komisioni miratoi edhe grupet punuese për shqyrtimin e projektligjeve që janë në procedurë. /Kp/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *