Kolektivi Feminist kërkon përgjegjësi nga KPK-ja për vrasjen e Arlinda Zekajt
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka mbajtur një aksion para objektit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), duke kërkuar përgjegjësi institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt.
Përfaqësueset e Kolektivit kanë kërkuar të takohen me kryesuesin e KPK-së, për t’ia paraqitur kërkesat e tyre lidhur me rastin.
Gjatë aksionit, zyrtarë policorë u kanë thënë protestuesve se vetëm tre persona mund të hyjnë në objekt, për shkak të hapësirës së kufizuar.
“Tre persona keni të drejtë me shku, jo më shumë për shkak të hapësirës”, u ka thënë njëri nga zyrtarët policorë.
Megjithatë, njëra nga protestueset ka kundërshtuar këtë propozim, duke thënë se marrëveshja ishte që të gjithë të shkonin së bashku.
“Kryesuesi i KPK-së na ka thënë që takohemi. Atëherë le të vijë kryesuesi jashtë e le të na takojë, se ne me shku dy-tri veta”, ka deklaruar ajo.
Protestueset kanë kërkuar përgjegjësi të përgjithshme institucionale, duke paralajmëruar se do të vazhdojnë aksionet e përditshme nëse kërkesat e tyre nuk marrin përgjigje të menjëhershme. /Telegrafi/
