TË FUNDIT

Klekovski: Planifikojmë shpërndarjen e terapive onkologjike edhe nëpër spitalet e tjera të vendit

Mungesa e terapive, mungesa e aparaturave diagnostifikuese, mungesa e personelit mjekësor dhe pritjet e gjata janë disa nga arsyet që Ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski thotë se e kanë shtyrë të punojnë për decentralizimin e shërbimeve në Onkologji. Si një zgjidhje ndaj problemit, ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski sugjeron shpërndarjen e e shërbimeve dhe terapive në spitalet e tjera të vendit.

“Thelbi është që Klinika e Onkologjisë të mbetet spital qëndror për tu realizuar kapacitetet e trajtimit, por është e domosdoshme që një pjesë e terapive të zhvendosen në disa spitale të tjera sa më afër vendbanimit të pacientëve. Në këtë moment ka rezistenca edhe në Klinikën e Onkologjisë për këtë çështje, do ta them hapur, por edhe në një pjesë të spitaleve klinike ku duhet të praktikohet kjo”, deklaroi Sasho Klekovski, Ministër i Shëndetësisë.

Decentralizimi i shërbimeve shëndetësore nuk gjen mbështetjen e të gjithë pacientëve, pasi disa prej tyre mendojnë se shërbimet onkologjike më cilësore meren vetëm në Klinikën e Onkologjisë. Edhe Shoqata Hema-Onko, kishte kërkuar që pacientët me kancer terapinë ta marrin në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike. Sipas tyre, decentralizimi do të prekte efikasitetin dhe cilësinë e terapive. Por Klekovski, është i vendosur ta provojë nëse ky model do të jetë efikas.

”Gjatë 3 muajve të ardhshëm, po punojmë për regjistrimin dhe miratimin e aktiviteteve në disa spitale jashtë Klinikës së Onkologjisë, konkretisht sa i përket radioterapisë dhe mënyrës se si ajo realizohet’’ , deklaroi Sasho Klekovski, Ministër i Shëndetësisë.

Këtë vit numri i të prekurve me kancer ka shënuar rritje ,veçanërisht kanceri i gjirit, ku këtë vit janë regjistruar rreth 1000 raste të reja. Kjo shifër e lartë paraqitet si rezultat i skriningut jo të mjaftueshëm dhe mungesës së diagnostikimit të hershëm./Alsat/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *