KFOR-i zhvillon ushtrimin “Golden Sabre” në Kampin Vrella, pjesëmarrës edhe Policia e Kosovës dhe FSK-ja
Forca e Kosovës (KFOR) do të zhvillojë gjatë ditëve në vijim ushtrimin ushtarak “Golden Sabre” në Kampin Vrella, në të cilin do të marrin pjesë edhe Policia e Kosovës, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ushtrimi do të realizohet në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme trajnuese të KFOR-it, me synim forcimin e koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të sigurisë.
Gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti, banorët e zonës përreth Kampit Vrella mund të vërejnë prani të shtuar të personelit ushtarak dhe automjeteve.
Nga Policia e Kosovës bëhet e ditur se ky aktivitet është pjesë e një ushtrimi të planifikuar, i cili synon avancimin e ndërveprueshmërisë ndërmjet pjesëmarrësve dhe forcimin e aftësive të tyre për të vepruar së bashku në mënyrë efektive.
Në ushtrim, institucionet pjesëmarrëse do të angazhohen në kuadër të roleve dhe përgjegjësive të tyre përkatëse si reagues të sigurisë.
Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin gjatë realizimit të këtij aktiviteti. /Telegrafi/
