OPINIONTË FUNDIT

Kërkesat për dorëheqjen e Abdixhikut – analisti zbërthen prapaskenat: Ekzistojnë gjasa që LDK të goditet edhe nga…!

Pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet e fundit, Kryesia e Degës së LDK-së në Lipjan, në një mbledhje të përbashkët me kryetarët e nëndegëve, ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë, duke e konsideruar këtë si një standard të domosdoshëm të përgjegjësisë politike dhe një akt reflektimi ndaj mesazhit që qytetarët kanë dhënë përmes votës së tyre.

Një qëndrim i ngjashëm është shprehur edhe nga Dega e LDK-së në Pejë. Pas mbledhjes së Kryesisë dhe analizës së rezultateve të zgjedhjeve të fundit, shumica e anëtarëve të Kryesisë kanë kërkuar reflektim të thellë politik dhe marrjen e përgjegjësisë nga lidershipi qendror i partisë për rezultatin e arritur.

Fakti që dy degë të rëndësishme të LDK-së kanë dalë publikisht me kërkesa të tilla tregon se pakënaqësia ndaj drejtimit aktual të partisë nuk është e izoluar, por po shndërrohet në një shqetësim serioz brenda strukturave të saj. Këto zhvillime sinjalizojnë nevojën për një debat të hapur dhe për vendime që do t’i hapnin rrugë një procesi të ri politik e organizativ brenda LDK-së.

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik Nexhat Haziri.

Ai tha se kërkesa për dorëheqjen e Lumir Abdixhikut është e arsyeshme pas humbjeve të LDK-së, ndërsa afrimin me LVV-në e cilësoi si përpjekje për të ruajtur pozitën e tij në parti.

“Është shumë e kuptueshme dhe e domosdoshme kërkesa nga degët e LDK-së, si ajo e Pejës dhe Lipjanit, për dorëheqjen e Lumir Abdixhikut nga drejtimi i partisë për shkak të rezultateve të dobëta të LDK-së në dy palë zgjedhjet e fundit parlamentare. Këto kërkesa natyrisht vijnë edhe si rezultat i mosgatishmërisë së z. Abdixhiku për të reflektuar dhe për të marrë përgjegjësinë për humbjet e vazhdueshme të LDK-së në zgjedhje, si dhe për dobësimin e rolit të saj në skenën politike kosovare.

Në vend të dorëheqjes, ai po kërkon shpëtimin duke iu vetafruar LVV-së për një koalicion në qeverinë e re të Albin Kurtit. Me këtë koalicion, ai shpreson ta mbajë peng LDK-në për interesa të tij personale dhe klanore”, u shpreh ai.

Analisti vlerësoi se kriza e brendshme në LDK po thellohet dhe se ajo mund të tejkalohet vetëm përmes dorëheqjes së Lumir Abdixhikut dhe një procesi të ri zgjedhor brenda partisë.

Sipas tij, koalicioni me LVV-në nuk e shpëton LDK-në, por vetëm i shërben interesave të Abdixhikut dhe rrethit të tij.

“Kjo po ashtu tregon për thellimin e krizës së brendshme në LDK, e cila mund të evitohet vetëm me dorëheqjen e z. Abdixhiku nga drejtimi i partisë dhe me shkuarjen në një proces të brendshëm zgjedhor. Kërkesa për dorëheqjen e tij nga drejtimi i LDK-së do të shihet edhe në ditët në vazhdim nga degë të tjera, ndërsa çdo hap tjetër nga ana e Abdixhikut, apo çdo përpjekje e tij, përveç dorëheqjes, do ta thellojë edhe më tej krizën e brendshme në LDK. Madje, ekzistojnë gjasa që partia të goditet edhe nga një ndarje e re, gjë që do ta dërgonte përfundimisht në histori.

Si e tillë, LDK-në nuk e shpëton dot koalicioni me LVV-në. Ai mund t’ia zgjasë vuajtjen edhe për një kohë, por jo për shumë gjatë. Interes nga ky koalicion ka vetëm Lumir Abdixhiku dhe klani i tij, i cili, me sa shihet, po dëshiron ta mbajë peng LDK-në. Një gjë të tillë anëtarësia e kësaj partie nuk duhet t’ia lejojë”, përfundoi analisti Haziri për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *