Katari paralajmëron për rrezikun e përshkallëzimit në Gjirin Persik dhe njofton bisedime të reja me Iranin
Katari ka paralajmëruar SHBA-në dhe Iranin që të shmangin çdo përshkallëzim të mëtejshëm të situatës në Gjirin Persik, duke vlerësuar se tensionet e vazhdueshme përbëjnë “rrezik serioz” për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje mes dy vendeve.
Paralajmërimi erdhi të martën, në të njëjtën ditë kur Ministria e Jashtme e Katarit njoftoi për një takim të ri me zyrtarë iranianë, në kuadër të përpjekjeve për të afruar qëndrimet mes Washingtonit dhe Teheranit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed Al Ansari, tha se rreziqet nga përshkallëzimi nuk kufizohen vetëm te liria e lundrimit dhe ekonomia globale, por ndikojnë edhe në mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje.
Gjatë konferencës së përjavshme për media në Doha, ai u bëri thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin veprime të tjera që mund të dëmtojnë negociatat, transmeton Telegrafi.
Sipas Al Ansarit, takimi me përfaqësuesit iranianë do të përqendrohet në propozimet që tashmë janë duke u diskutuar. Ai nuk bëri të ditur vendin e takimit apo emrat e pjesëmarrësve, por e përshkroi atë si pjesë të kontakteve të rregullta që synojnë zvogëlimin e dallimeve mes SHBA-së dhe Iranit.
“Takimi i sotëm me palën iraniane do të zhvillohet në kuadër të përpjekjeve ndërmjetësuese dhe shkëmbimit të pikëpamjeve për propozimet aktuale”, deklaroi diplomati, duke shtuar se synimi është afrimi i qëndrimeve mes dy vendeve.
Deklaratat e tij erdhën pasi Garda Revolucionare e Iranit njoftoi se të martën kishte lëshuar dronë drejt një sistemi radarësh amerikanë në bazën ajrore Sheikh Isa në Bahrein.
Bahreini, ku ndodhet edhe Flota e Pestë e Marinës amerikane, si dhe Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM), deklaruan se dronët ishin interceptuar dhe se nuk kishte pasur dëme.
Ndërkohë, sulmet iraniane ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit vazhduan edhe të martën. Agjencia britanike për Operacionet Tregtare Detare (UKMTO) njoftoi se ekuipazhi i një cisternë nafte nuk ishte lokalizuar pasi anija ishte goditur për herë të dytë në veri të Khasabit, pranë bregdetit të Omanit. Goditja e dytë shkaktoi zjarr në bord.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se do ta vazhdojë bllokadën detare ndaj Iranit, ndërsa Teherani po vijon të pengojë qarkullimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit, një korridor kyç për eksportet e naftës dhe gazit nga Gjiri Persik.
Al Ansari paralajmëroi se përplasja e vazhdueshme po ndikon në tregjet globale të energjisë dhe sigurinë ushqimore, si dhe në ekonominë dhe sigurinë e vendeve të Gjirit.
“Askush nuk përfiton nga vazhdimi i kësaj situate dhe hyrja në një ngërç”, tha ai.
I pyetur për kontaktet e Katarit me vendet e tjera të Gjirit, zëdhënësi tha se koordinimi po vazhdon, duke përmendur takimet e fundit me zyrtarë të Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Përpjekje diplomatike po zhvillohen edhe në Oman, ku ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, u takua të martën me homologun e tij oman, Badr Albusaidi. Ministria e Jashtme e Omanit bëri të ditur se në takim u diskutua për mënyrat e parandalimit të përshkallëzimit të mëtejshëm dhe mbrojtjen e transportit ndërkombëtar detar. /Telegrafi/
