Kardinali shqiptar Martin Firmano – organizatori i kryengritjes së madhe antiosmane, i tradhtuar nga venecianët
Qëndresa e madhe e popullit shqiptar kundër invazionit Osman, nën udhëheqjen e Heroin Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, la gjurmë të thella jo vetëm në kancelaritë europiane, të cilat përjetonin aso kohe me ankth fushatat e përgjakshme osmane që avanconin drejt zëmrës së kontinentit, por për më tepër edhe në vetë ndërgjegjen e popullsive shqiptare, ballkanase dhe më gjerë. Të frymëzuar, të kurajuar dhe të bindur në fuqinë e qëndresës së tyre, shqiptarët vazhduan edhe mbas pushtimit Osman luftërat dhe përpjekjet e tyre për çlirim prej zgjedhës osmane.
Një nder to, ndoshta më sinjifikativja është përpjekja për një kryengritje të madhe, e mbështetur në mënyrë të fshehtë edhe prej mbretërive europiane, që zë fill në vitet 1493.
Ishte Philippe de Comines, këshilltari i Mbretit të Francës, i cili në librin e tij “Kujtime …”, të botuar në vitin 1539 ekspozoi për herë të parë një numër dëshmish dhe dokumentesh për një Kardinal shqiptar (Albanese), i cili kishte organizuar një kryengritje ndër më të madhatë kundër pushtimit osman.
Fatkeqësisht, për të është shkruar fare pak, për të mos thënë aspak. Dokumentacioni arkivor për këtë ngjarje mjaft të rëndësishme është ruajtur nën sekrecinë më të madhe për dy tre shekuj, në fondet e Këshillit të të Dhjetëve – Venecia. Për shkak të prapaskenave të rrezikshme, madje kriminale që u përdorën ndaj udhëheqësve kryesorë arbërorë të kësaj kryengritje, dokumentacioni dhe informacionet që pasqyrojnë tërë peizazhin e kësaj ngjarjeje të madhe është mbajtur në fshehtësi të madhe nga ky institucion i rëndësishëm dhe i veçantë i Republikës së Venecias, të paktën për tre shekuj.
Na duhet të sqarojmë që në fillim se ç’ishte ky “Këshill”, mbasi me të, me funksionet që ai kryente dhe vendimet që ai ndërmori ndaj kësaj kryengritjeje të madhe të arbërorëve në fundin e shekullit të XV, lidhen pasojat e dhimbshme që shoqëruan fatet e hidhura të popullsisë shqiptare dhe më gjerë.
Këshilli i të Dhjetëve (“Consiglio dei Dieci”) ishte një nga institucionet më të rëndësishme, në mos më i rëndësishmi i Republikës së Venecias për gati pesë shekuj të dominimit të fuqisë të kësaj republike. Këshilli i të Dhjetëve thërritej kështu pasi ai përbëhej nga dhjetë anëtarë të cilët ishin të zgjedhur nga radhët e aristokracisë veneciane që gëzonin dhe njiheshin për emër, tradita fisnikërie, besnikëri dhe kontribute të veçanta ndaj interesave të këtij vendi.
Ajo strukturë u krijua në vitin 1310 dhe kishte në kompetencë të mbronte shtetin nga kryengritjet që mund të kërcënonin Venecian – tradhtitë e brendshme dhe të jashtme politike, komplotet dhe kërcënimet konspirativë. Këshilli i të Dhjetëve kishte aq kompetenca dhe fuqi sa me të drejtë konsiderohej pushteti i vërtetë i kësaj Republike. Mbledhjet e saj zhvilloheshin në fshehtësi të plotë dhe vendimet që merreshin nga ky këshill mbaheshin sekret. Askush nga këshilltarët nuk kishte të drejtë të nxirrte apo përhapte informacionet apo vendimet që merreshin në këto mbledhje. Vendimet e shkruara mbaheshin të mbyllura për tërë institucionet e Venecias, për dekada dhe shekuj me radhë, për shkak të rëndësisë dhe komprometimit të rëndë publik që ato mund të kishin.
Pikërisht me këtë “Këshill” dhe vendimet e tij lidhen fatet e kësaj ngjarjeje që trajtojmë më poshtë.
Përgatitja e një kryengritjeje të madhe arbërore
Menjëherë mbas pushtimit të Mbretërisë së Napolit në vitin 1484, nga ushtritë franceze, prej Mbretit të Francës, Karli i VIII, ky i fundit pati idenë e organizimit të një kryqëzate të madhe antiosmane, me qëllim çlirimin e tokave të Ballkanit dhe Europës nga pushtimi turk. Nën këtë dëshirë, që ishte e pranishme aso kohe edhe në oborret e tjera mbretërorë të Europës, një numër përfaqësuesish të familjeve fisnike shqiptare, të cilët kishin emigruar në Itali dhe kryesisht në Mbretërinë e Napolit, ndërmorën një numër aksionesh me karakter politik dhe diplomatik për të frytëzuar idenë e çlirimit të vendit të tyre – Arbërisë. Ndër ata që shquhen qartë në dokumentacionin e shumtë të arkivave europiane, sikundër në Mbretërinë e Napolit, atë të Vatikanit, të Venecies, të Parisit, Gjermanisë e gjetkë, është padyshim Gjon Kastrioti, Kostandin Arianiti, Mërkur Bua, Muzakajt, Kladhat etj.
Kardinali Martin Flaminio, organizator i kryengritjes
Por, njoftimi i parë për organizimin e një kryengritjeje të madhe në territoret e Arbërisë qendrore bëhet i njohur aty rreth viteve 1494. Ideologu, frymëzuesi dhe organizatori i saj ishte një kardinal shqiptar me emrin Martin Firmanio. Dokumentet na bëjnë me dije se ai ishte kardinal i Durrësit, madje ato theksojnë qartë se “ai ishte një shqiptar”.
Po ky dokument, duke folur për situatën në territoret e Arbërisë nën sundimin Osman, bën me dije se … popullsia shqiptare e këtyre vendeve (Arbërisë) mbante kontakte dhe merrte lajme për përpjekjet e Mbretit (të Francës) për mbështetjen e kësaj kryengritjeje, përmes miqve që ata kanë në Venecia dhe në Pulja, me të cilët ata komunikojnë me shkrim .
Jo vetëm kaq, por kardinali shqiptar me këtë mision të shenjtë pati shkuar edhe në Itali dhe kishte marrë kontakte me familjet fisnike shqiptare të vendosur atje dhe kishte punuar për t’i bindur dhe t’u bënte thirrje atyre të mbështesin idenë e kryengritjes së madhe dhe më tej ti bashkëngjiten asaj. Sepse shumë nga ata ishin të gatshëm të ktheheshin në vendet e tyre në Ballkan, mbasi ishin bij dhe nipër të shumë zotërve dhe njerëzve të famshëm të atyre viseve, sikundër djali i Skënderbeut, djali i Arianitit (Gjergj Arianitit) … etj.
Në këtë fushatë mobilizuese, dokumentet arkivore na bëjnë me dije se Martini kishte blerë dhe grumbulluar një sasi të madhe shpatash, shqytash dhe shtizash, për t’ua shpërndarë atyre me të cilët ai ishte në marrëveshje, pra kryengritësve shqiptarë.
Historiani, burri i shtetit dhe diplomati francez, Philippe de Commines, që jetoi ato vite dhe ndoqi nga afër zhvillimet në Arbërinë e asaj kohe, në veprën e tij “Memoires” flet për gjithë përpjekjet e bëra për organizimin e kryengritjes dhe situatën në Arbëri me hollësi. Vetë Comminesi kishte takuar këtë vit, strehuar dhe mbajtur të fshehur në banesën e tij, në qytetin e Venecias, një ndër mbështetësit dhe bashkorganizatorët e kësaj kryengritjeje Kostandin Arianitin, prej të cilit kishte mësuar mjaft hollësi, që ai i shkruan në ditarët e kujtimeve të tij.
Kostandin Arianiti dhe roli i tij në kryengritjen arbërore
Kostandin Arianiti ishte i biri i princit të njohur arbëror, Gjergj Arianiti (1456-1530) dhe vëllai i Donika Kastriotit, gruas së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Kishte lindur në Durrës, por në moshë fare të re u detyrua të emigrojë në Itali së bashku me familjen – pas pushtimit të territoreve arbërore nga forcat osmane. Shumë shpejt fitoi reputacion dhe u bë i pranishëm në kancelaritë e territoreve italiane dhe atyre europiane të fundit të shekullit XV dhe fillimet e shekullit XVI, si një diplomat, ushtarak dhe interlokutor me mjaft autoritet dhe i rëndësishëm në zhvillimet jo vetëm italiane, por edhe ato europiane të këtyre dekadave. Shërbeu si këshilltar i papëve të Vatikanit, i perandorit gjerman Maksimilian, apo mes republikave, dukateve dhe mbretërive italiane të kohës. Ndërmjetësoi në realizimin e një numër marrëveshjesh, traktatesh dhe aleancash të rëndësishme ku u pleksën fuqitë më të mëdha europiane të shekujve XV-XVI.
U evidentua kudo si një diplomat dhe politolog me shumë autoritet dhe eksperiencë.
U përfshi në shumë prej lëvizjeve të mërgatës shqiptare në Itali dhe më gjerë për çlirimin e territoreve arbërore nga pushtuesit osmanë.
Burimet arkivore bëjnë me dije se në fund të shekullit XV, aty rreth viteve 1490 u lidh me kardinalin shqiptar të Durrësit, Martin Firmano, në përpjekjet e përbashkëta për të mobilizuar familjet fisnike shqiptare të emigruara në Itali që të ktheheshin në tokën amë për të marrë pjesë në kryengritjen e madhe për çlirim.
Nga një numër dokumentesh të Arkivit të Këshillit të të Dhjetëve, duket qartë se policia e fshehtë e Venecias, e shqetësuar dhe e trembur për rolin e tij ka ndjekur dhe survejuar nga afër tërë lëvizjet dhe kontaktet që ai ndërmerrte nëpër territoret italiane dhe më gjerë. Një numër raportesh të hartuara nga policia veneciane rrëfejnë survejimin intensiv dhe të afërt që i bëhej këtij diplomati
Veprimtaria e fshehtë e Martin Firmanos për organizimin e kryengritjes
Kardinali Martin Firmano, për muaj me radhë, përgjatë misionit të tij nëpër territoret italiane dhe më gjerë, kishte nxitur dhe mobilizuar shqiptarët e emigruar nëpër territoret italiane që të ktheheshin në tokën arbërore për të marrë pjesë në kryengritjen e afërt.
Dokumentet bëjnë me dije gjithashtu se ai kishte grumbulluar edhe ndihma financiare. Të gjitha lëvizjet e tij, kardinali i kishte bërë në fshehtësi të plotë, duke iu shmangur syrit të venecianëve.
Për t’i shërbyer misionit të tij të rëndësishëm, në përpjekjet për të gjetur aleatë dhe ndihma, Firmanoi kishte shkuar gjer në oborrin e mbretit të Francës dhe kishte takuar edhe vetë Karlin VIII. Duke njohur prirjet e mbretit frëng dhe synimet që ai kishte për çlirimin e territoreve të Ballkanit dhe Europës prej zgjedhës osmane, Firmano i kish treguar monarkut francez tërë planin për kryengritjen shqiptare. Në mbështetje të këtij misioni që kishte ndërmarrë kardinali shqiptar, Karli VIII i kish dhënë atij një sasi prej 40 mijë dukatësh.
Duket qartë që me to Firmano, veç të tjerave, kishte blerë një sasi të madhe armatimi për nevojat dhe për të mbështetur kryengritjen. Dokumentet arkivore na njoftojnë gjithashtu se kjo sasi armatimi ishte imbarkuar në dy anije të cilat qenë ankoruar në portet e Venecias.
Por, kardinalit shqiptar i duhej që të ruhej jo vetëm nga venecianët, që aso kohe ishte në duart e tyre Durrësin, ku ai qëndronte si kryepeshkop, por edhe nga autoritetet turke të cilat kishin nën pushtim dhe kontrollonin tërë territoret arbërore, krahinat, qytetet dhe fshatrat përtej Durrësit dhe më gjerë. I duhej të vepronte kështu pasi Firmano e dinte fare mirë që kishte një aleancë turko-veneciane për të ndihmuar dhe mbështetur njëri tjetrin.
Pas vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, ushtritë osmane kishin shtrinë ofensivat e tyre të suksesshme dhe kishin pushtuar, njëra pas tjetrës, pothuaj tërë territoret ballkanike. Në vitin 1477, përmes operacioneve të tyre të pandalshme, duke plaçkitur, grabitur dhe shkatërruar gjithçka, turqit i qenë afruar Istrias dhe Friulit. Tymi dhe flakët e zjarreve, që ata kishin ndezur mbi pyjet dhe fshatrat e këtyre anëve, tanimë dukeshin qartë me sy të lirë edhe nga kulla e kambaniles në Sheshin e Shën Markut, në Venecia.
Të tmerruar nga rreziku që afrohej pa u ndalur, venecianët, Këshilli i të Dhjetëve, i mbledhur me urgjencë, kishte vendosur të gjente një zgjidhje oportune, t’i bënte lëshime për gjithë çfarë kërkonin agresorët.
Në këto rrethana, në vjeshtën e vitit 1478, venecianët që tanimë shihnin qartë se ndodheshin nën kërcënim të drejtpërdrejtë dhe rrethana të disfavorshme lufte, kërkuan menjëherë prej sulltanit të nënshkruanin një marrëveshje paqeje, që në thelb ishte një traktat nënshtrimi. Tanimë, turqit superiorë, në avantazh ushtarak dhe politik, imponuan hartimin e një And name në favor të interesave të tyre.
Ky dokument i shkruar në gjuhën greke, që mban datën 25 janar 1479, në emrin personal të Mehmetit II, nënvizonte:
Unë, Sundimtari i Madh dhe Emiri i Madh, Sulltan Mehmet bej, biri i Sundimtarit të Madh, të ndjerit Murat bej … meqënëse zotërimi ka pasur më parë dashuri dhe miqësi me zotërimin shumë të shkëlqyer dhe shumë të lartë të Venecias, prapë dua të kemi miqësi të re dhe të bëjmë betim për siguri të mirë … Askush prej njerëzve të Venecias të mos guxojë t’u shkaktojë dëme zotërimeve të mija [territoreve që tanimë ishin të pushtuara nga turqit] as njerëzve të mi … Nga ana tjetër, Venecia detyrohet t’i dorëzojë zotërimit tim kështjellën e quajtur të Shkodrës në Shqipëri …
Sikundër shihet nga ky dokument, venecianët patën pranuar tërheqjen nga qëndresa dhe dorëzimin e qytetit të Shkodrës dhe për më tepër kishin premtuar të mos lejonin që në territoret e pushtuara nga turqit (në Arbëri dhe më gjerë) të kryheshin veprime konspirative apo kryengritje që do të kërcënon autoritetet turke të pushtimit.
Tradhtia dhe arrestimi i kardinalit
Ndërsa dy anije të ngarkuara armatim, me një numër luftëtarësh arbërorë në bord dhe bashkë me ta edhe kardinali Martin Firmano (apo Martin Durrsaku – siç gjendet shpesh i shkruar në dokumentet e kohës) dilnin nga portet e Venecias drejt brigjeve arbërore të Durrësit, policia veneciane në shërbim të Këshillit të të Dhjetëve kishte ndaluar dhe bllokuar me të shpejtë ato dhe vetë Kardinalin shqiptar.
Nga kontrolli i ushtruar me imtësi mbi anijet e kardinalit dhe mbi vetë atë ata, policia i kishte gjetur Firmanos një sasi letrash dhe korrespondence, të cilat zbulonin tërë planin, organizimet, krerët e kryengritjes dhe mobilizimin e shqiptarëve për luftimet që bëheshin gati të nisnin atë kohë.
Menjëherë mbas kësaj ngjarjeje, të befasuar dhe tronditur autoritetet veneciane, Këshilli i të Dhjetëve pati dërguar me urgjencë korrierë të mbërrinin në fortesat më të afërta të pushtuara nga turqit, në bregdetin dalmat, që t’i njoftonin për komplotin – kryengritjen e madhe që ishte përgatitur kundër tyre prej shqiptarëve.
Kapiteni i anijes të ngarkuar me armatim, sikundër bën me dije dokumenti i shkruar nga de Comines, ishte një shqiptar, çka tregon se në këtë ndërmarrje dhe organizim ishin përzgjedhur dhe përfshirë vetëm shqiptarë. Mbasi kishte konstatuar lëvizjet e policisë veneciane dhe ndalimin e kardinalit, kapiten shqiptar kishte njoftuar me të shpejtë Kostandin Arianitin, bashkorganizatorin e kryengritjes së madhe, mikun e afërt të Firmanos. Nëse nuk do të kishte bërë këtë. Arianiti do të ishte kapur rob , sqaron Filippe de Comino, por ai mundi të largohet në fshehtësi dhe mbërriti në Pulje.
Reagimi i osmanëve dhe venecianëve kundër kardinalit “rebel” të Durrësit dhe kryengritësve shqiptarë
Mbasi qenë informuar për gjithë mobilizimin dhe organizimin e kryengritjes, turqit kishin marrë masa urgjente në terrenin shqiptar në krahinat rreth Durrësit dhe gjithë Shqipërinë. Nga informacionet e tyre, ata kishin mundur të mësonin se ai, Arqipeshkvi i Durrësit kishte ngritur rreth 30 000 shqiptarë në Shqipëri … që të çliroheshin nga robëria e turqve. Nga ana tjetër, venecianët në situatat e krijuara, kishin sqaruar palën turke, pranë Portës së Lartë, se ata asnjëherë nuk kishin pasur qëllim të mbështesnin këta kryengritës dhe as kardinalin rebel shqiptar.
Edhe më tej, më datë 5 mars 1495, Këshilli i të Dhjetëve i dërgonte Dozhëve të Venecias (Kuvendit) një informacion të hollësishëm sqarues, ku e bënte me dije për “aktivitetin e rrezikshëm” të Kardinalit shqiptar të Durrësit. Në këtë informacion shkruhej: Po ju bëjmë me dije për marrëveshjet skandaloze, të pabesa, dhe të rrezikshme të Martinit, Arqipeshkvit të Durrësit, nxitës i popullsisë, në dëm të situatës tonë të mirë … Prandaj, i kërkuam këtij këshilli të arrestohet dhe të mbahet i mbyllur në burgun tonë më të fshehtë dhe mbasi të bëhet kjo, të vendosni se si duhet të veprohet më tej më këtë çështje.
Për të dhënë edhe një herë prova të marrëdhënieve miqësore dhe të sinqerta ndaj Perandorisë Osmane, venecianët, më datë 7 mars 1495, kishin marrë vendim dhe urdhëruar arrestimin e kardinalit shqiptar, Martin Firmano. Vendimi që ishte shkruar atë ditë, thoshte: Të arrestohet arqipeshkvi Martin Firmano për shkak se ka tentuar të pushtojë qytetin e Krujës. Dhe, menjëherë pas kësaj, kardinali, i cili ishte ndaluar në qytetin e Venecias, u kap dhe u fut në hekura .
Propozimi për arrestimin e një kardinali ishte sigurisht një akt ekstrem, që do të sillte pasoja jo vetëm në opinionin e Venecias, por edhe më gjerë. Në botën kristiane të asaj kohe, ndjeshmëritë ndaj institucionit dhe autoritetit të kishës katolike ishin tepër të mëdha. Ato qenë delikate, sepse preknin raporte delikate, për më tepër kur bëhej fjalë për ndëshkimin e një përfaqësuesi nga hierarkia e lartë e Papatit. Në ato rrethana, kërkesa e “Këshillit” për arrestimin e kardinalit ishte votuar nga Dozhët, por me diferencën e një vote, propozimi për arrestimin ishte hedhur poshtë.
Masa për ndalimin, kontrollin dhe izolimin e kardinalit prej kryengritësve shqiptarë
E, megjithatë, ky “kardinali i rrezikshëm” duhej mbajtur nën kontroll të rreptë, së bashku me kapelanin dhe shërbëtorin e tij, nën një izolim të plotë në fortesën e portit të Venecias – Lindo. Por, duket qartë se dëshira dhe përpjekjet e Firmanos nuk ishin ndalur. Pikërisht më datë 6 mars 1495, në errësirën e një natë, arqipeshkvi i Durrësit u kap nga rojet, policia veneciane, ndërsa ai kishte hipur në një grip (anije) dhe largohej nga qyteti . Me këtë rast “Këshilli”, kishte dhënë urdhër urgjent që ndalonte daljen dhe largimin e të gjitha anijeve dhe barkave nga porti i qytetit.
Këshilli kishte urdhëruar të zbrisnin menjëherë kardinalin nga anija me të cilën kishte tentuar të largohej dhe “të kontrollohej kudo nëpër trup me kujdes dhe hollësisht, t’i merreshin të gjitha dokumentet që ai kishte me vete … Mandej, të gjitha ato shkresa që ai ka të shqyrtohen me kujdes dhe vetë ai të pyetet për të mësuar shkakun e përpjekjeve të tij për t’u arratisur dhe në cilin vend donte të shkonte.
Po ashtu, “Këshilli” kishte urdhëruar që:
– a. të bëheshin verifikime dhe të hetoheshin të gjithë burrat e tjerë që kishin qenë në anije me Kardinalin se çfarë përfaqësonin ata dhe cilët ishin planet e tyre,
– b. të merrej në pyetje vetë kardinali shqiptar dhe të sqaroheshin motivet se përse ai në fshehtësi ish përpjekur të largohej (arratisej),
– c. të sqarohej nga kardinali se ku kishte tentuar ai të shkonte, cili ishte destinacioni i tij?
– d. Asnjë nga të sipërpërmëndurit dhe as anija në të cilën ishte imbarkuar kardinali, të mos lejohej të largohej nga porti i Venecias, pa urdhrin e atij “Këshilli”.
Mbasi të ishin sqaruar “tërë veprimet e rrezikshme” të Kardinalit, “Këshilli” duhej të vendoste që ta mbante shqiptarin kryengritës të izoluar, në një dhomë të tijën, nën mbikëqyrjen e rojës.
Bashkë me këto masa, Këshilli i të Dhjetëve kishte urdhëruar që të ndaloheshin, të merreshin në pyetje dhe të hetoheshin të gjithë udhëtarët e tjerë që ishin kapur në bordin e anijes, së bashku me padronin e gripit (anijes).
Por, në një informacion tjetër të Arkivit të Venecias që mban datën 6 mars 1495, i cili është gjetur në këto fonde prej historianit të njohur Kostandin Sathas, thuhet se a rqipeshkvi i Durrësit, Martini, i cili po vinte prej mbretit të Francës dhe që kishte marrë me vete edhe letrat e tij, më datën 6 mars 1495 ishte arrestuar.
Më datë 7 mars 1495, mbasi policia kishte kryer tërë veprimet dhe verifikimet policore, Këshilli i të Dhjetëve kishte lejuar pronarin e gripit (anijes), së bashku me udhëtarët e tjerë, të nisnin udhëtimin për në destinacionin e parashikuar, përveç kardinalit shqiptar, kapelanit dhe shërbëtorit të tij. Vendimi i “Këshillit”, i kësaj date shkruan: Këta të tre të qëndrojnë këtu, të ruajtur mirë, brenda në kështjellën e bregdetit – Lindo, dhe të presin aty gjer në daljen e vendimit të këtij “Këshilli”.
Represion i ashpër i Venecias mbi kardinalin kryengritës
Por, veprimet policore dhe ato represive ndaj Kardinalit kryengritës, nga ana e aparatit shtetëror dhe policisë së Republikës së Venecias, nuk ishin mjaftuar me kaq. Çdo të bëhej më tej me arqipeshkvin e Durrësit, Firmanon? Venecianët, për t’i treguar edhe më tej Perandorisë Osmane servilizmin dhe zellin e tyre në shërbim të interesave të saj, në një mbledhje të “Këshillit”, të datës 8 mars 1495, deklaronin: Nuk është në interesin e Venecias dhe aq më pak në interes të çështjes së krishterimit, që arqipeshkvi i Durrësit [kardinali] të largohet nga ky qytet [i Venecias] . Prandaj, të merret vendim nga ky “Këshill” që ky arqipeshkv të thërritet dhe në praninë e krerëve të këtij “Këshilli” t’i drejtohet atij me fjalë të rënda, sikundër e lyp puna, për ta përbuzur atë për skandalin dhe dëmin që ai ka shkaktuar me përpjekjet për trazira. Veprimet e tij i kanë sjellë dëm krishterimit dhe do të sillnin pasoja të rënda paqes së mirë që ne kemi me sulltanin.
Thënë me fjalë të tjera, Venecia kishte shprehur hapur qëndrimin se për interesat e tij ai është i gatshëm të sakrifikonte jo vetëm një kardinal shqiptar, por edhe një popull të tërë të robëruar, fatet dhe lirinë e tij të humbur, madje të ndëshkonte pa mëshirë fate dhe jetë njerëzore.
Së fundi, Këshilli i të Dhjetëve, për të shuar me çdo kusht përpjekjet për realizimin e kryengritjes të shqiptarëve të përgatitur prej kardinalit arbëror, në bashkëpunim me fisnikët arbërorë të emigruar në Itali dhe krerët e tjerë të familjeve nëpër hapësirat arbërore, me “vendim” të veçantë urdhëronin: T’i jepet urdhër i ashpër dhe i fortë, me indinjatë dhe kërcënim, kardinalit të Durrësit, se me vendim të këtij “Këshilli” nuk duhet të largohet nga Venecia pa urdhrin dhe lejen tonë dhe posaçërisht të këtij “Këshilli”.
Izolimi i plotë, kontrolli policor dhe ndalimi i kontakteve me kryengritësit
Aq shqetësuese ishte bërë situata për venecianët, nga përmasat e organizmit të kryengritjes shqiptare prej Firmanos, sa një ditë pasi “Këshilli” kishte marrë vendimin e mësipërm, më datë 9 mars 1495 ishte detyruar të rimerrte një vendim dhe të argumentonte nevojën e ndalimit dhe të kontrollit të “kardinalit rebel”. Në vendimin e kësaj date, “Këshilli” urdhëronte: Sa për Venecian aq edhe për punët e krishterimit nuk bën që arqipeshkvi i Durrësit të largohet nga ky qytet … prandaj, nesër në mëngjes ai të sillet në praninë e krerëve të këtij “Këshilli” … dhe princi ynë i nderuar t’i thotë fjalë të ujdisura mirë me qëllim që ai të detyrohet të përbuzë gabimin e tij dhe të ndalojë lëvizjet e kurdisura që i sjellin rreziqe krishterimit dhe paqes që ne kemi me sulltanin. Në fund, t’i jepet urdhër i prerë, që me vendin të këtij “Këshilli” atij i ndalohet të largohet nga qyteti i Venecias.
Sikundër shihet, për interesa të tyre dhe të pushtuesve osmanë, venecianët synonin të shkëpusnin me çdo kusht kardinalin shqiptar nga komanda dhe kontaktet e tij me kryengritësit shqiptarë, të cilët prisnin në qytetin e Durrësit udhëheqësin e tyre dhe bashkë me të armatimin e blerë në Perëndim! Me këtë veprim, venecianët kërkonin t’i hiqnin “trurin” kryengritjes dhe bashkë me të t’i jepnin një goditje të rëndë vetë luftëtarëve të saj.
Me këto akte represive të ndërmarra nga Republika e Venecias, në bashkëpunim me turqit, venecianët kishin mundur të frenonin një kryengritje të fuqishme të shqiptarëve, e cila përllogariste një forcë goditëse të mobilizuar prej rreth 30 000 luftëtarësh dhe që shtrihej pothuaj në tërë territoret e Arbërisë mesjetare, duke filluar nga Durrësi dhe që zgjerohej në Krujë, Lezhë, Shkodër, Berat, Korçë, Gjirokastër, Thesali dhe më në Jug akoma.
Kështu, kardinali shqiptar ishte izoluar në qytetin e Venedikut dhe ishte vënë nën një kontroll të rreptë policor, për të parandaluar çdo akt të mundshëm të arratisjes apo të vendosjes së kontakteve me kryengritësit në territoret e Arbërisë.
Në një dokument sekret të Arkivit të Venedikut, në një analizë të veçantë për këtë ngjarje, bëhet fare e qartë se përse duhej ndaluar kthimi i arqipeshkvit të Durrësit, Martin Firmanos, në territoret e Arbërisë. Në të thuhet: Venecia kishte arsye serioze për të parandaluar një kryengritje të krishterëve, sepse rrethanat politike të kohës e detyronin më shumë se kurrë Italinë [Venecian] të qëndronte në marrëdhënie të mira me Turqinë. Ishin këto arsye që udhëhoqën Këshillin e të Dhjetëve në lidhje me arrestimin e këtij kryepeshkopi. Por, në vitin 1499 rrethanat ndryshuan dhe Venecia, në mes të luftës me Turqinë, u detyrua t’i drejtohej kryepeshkopit për të njëjtin qëllim, që vite më parë e kishte aq shumë frikë.
Kardinali shqiptar – nga kriminel në shpëtimtar për Venecian !
Kjo gjendje e rëndë kërcënuese, kontrolli dhe pse jo terrori ndaj kardinalit shqiptar, do të vazhdonte gjatë. Vetëm gati pas katër vjetëve, rrethanat për kryengritës do të ndryshonin, por edhe në këtë rast jo për bamirësinë apo zemërgjerësinë e Venecias. Zhvillime të papritura politike dhe ushtarake kishin ndodhur dhe papritur ky kardinal i padëshirueshëm, madje i rrezikshëm tanimë, do të thërritej për ndihmë për nevojat akute dhe interesat e Venecias.
Më datë 13 qershor 1499, Venecia kishte marrë lajme tronditëse se forca të shumta të ushtrisë osmane ishin nisur nga Stambolli, në dy drejtime, njëra drejt bazave (qytete-fortesa) në More (Peloponez) dhe tjetra drejt qytetit të Durrësit, që gjer atëherë ishte nën zotërimin e venecianëve.
Sigurisht, Venecia e dinte fare mirë se repartet e pakta në numër, të garnizonit të saj në kështjellën e Durrësit, nuk mund ta mbronin dot këtë qytet nga ofensiva barbare osmane. Në këto rrethana, Këshilli i të Dhjetëve ishte mbledhur me urgjencë për të gjetur një rrugë shpëtimi! Venecianët kishin konkluduar se rruga e vetme e shpresës ishte kardinali shqiptar që gjer atëherë ishte ndëshkuar, përndjekur, nëmur, izoluar dhe kërcënuar për t’u vrarë nga vetë ata. Të mbledhur nën një shqetësim serioz, vendimi i “Këshillit“ ishte: Të dërgohet Martini shqiptar, arqipeshkvi i Durrësit, i cili adhurohet në këto vende, ku ka ndjekës të shumtë dhe t’i jepen me vete 50 dukatë. Brenda po këtij muaji, më datë 28 qershor 1499, “Këshilli” i alarmuar ishte mbledhur përsëri dhe kishte vendosur: Arqipeshkvi i Durrësit, i cili gjer tani qëndron këtu në Venecia, në bindje të vendimit të këtij “Këshilli”, të datës 9 mars 1495, tanimë të lihet i lirë … Dhe, meqë ai mund ti sjellë shumë dobi shtetit tonë, veçmas në territoret e Durrësit dhe të Ulqinit, të thirret … dhe aty pasi të lavdërohet … të dëgjohet për propozimet e dobishme për të mirën e shtetit tonë. Pak ditë më pas, më datë 2 korrik 1499, në procesverbalin e mbajtur nga ky “Këshill” shkruhet: U mbarua puna me arqipeshkvin e Durrësit, i cili po shkon në Durrës.
Duket qartë se paria e Venedikut tanimë ishte kënaqur që kardinali kryengritës po shkonte në vendin ku kërcënoheshin interesat e saj, një njeri me influencë që mund të mobilizonte njerëz që do të përballonin rreziqet e frikshme.
Pak ditë mbasi ka mbërritur në Durrës, më datë 24 korrik të vitit 1499, kardinali shqiptar duket se menjëherë është vënë në lëvizje për të mësuar për zhvillimet në atdheun e tij të dashur. Në dokumentet e historianit Venecian, Marino Sanudo, ruhet një letër që Firmano u ka dërguar autoriteteve veneciane përmes të cilës i vë në dijeni se sulltani me forca ishte gjashtë ditë larg Durrësit dhe në koordinim me planet e tij ishin gjithashtu edhe pashai i Rumelisë, pashai i Anadollit dhe një pjesë e flotës osmane që pritet të afrohej nga deti drejt Durrësit. Kjo situatë e rëndë kishte detyruar shumë fshatarë të krahinave të Arbërisë qendrore të kërkonin strehim në qytetin e Durrësit.
Një akt kriminal ndaj kardinalit shqiptar
Në fondin e dokumenteve të arkivit të senatorit Malipiero gjendet një tjetër dokument që hedh dritë mbi zhvillimet e mëtejme rreth kërcënimeve osmane mbi qytetin e Durrësit, si dhe për vetë fatin e Martin Firmanos. Informacioni i shkruar më datë 6 gusht 1499 bën me dije për një ngjarje tepër tronditëse. Në të thuhet: Republika e Venecias (Sinjoria), dy muaj më parë ka dërguar ipeshkvin Martin Firmano nga Durrësi, në Shqipëri, për t’i nxitur ata popuj kudër turkut. Ky ipeshkv, më datë 6 gusht 1499, duke qenë në pallatin e Durrësit, me bajlin (ambasadorin venecian) Vido Diedo, konstatoi se ishte helmatisur. Menjëherë pas kësaj ai mori në dorë penën dhe i shkroi Sinjorisë sepse e ndjente se do të vdiste … dhe për këtë porosiste edhe nipat e tij.
Megjithëse në atë gjendje tepër të rëndë, nën efektet e helmatisjes që vazhdonte ta rëndonte shëndetin e tij, Firmano, ky shqiptar me shpirtin e tij të pashuar të revoltës, vazhdonte të punonte në terren për organizimin e kryengritjes. Kështu, më datë 7 gusht 1499, Martin Firmano gjendet i rënduar në një fshat në rrethet e Tiranës, i rrethuar nga burra të moshuar të këtyre krahinave të cilët jo vetëm kundërshtonin dhënien e haraçit sulltanit, por ishin bërë gati të çoheshin kundër pushtuesve osmanë.
Duke ndjekur me shqetësim operacionet plaçkitëse të trupave të kalorësisë osmane në fshatrat përreth Durrësit, si dhe kërcënimet serioze që i afroheshin vetë qytetit, Firmano, megjithëse në një gjendje tepër të rënduar shëndetësore, u bën thirrje banorëve kryengritës t’i japin ndihmë Durrësit për të mos rënë në duart e turqve. Dhe, si amanet të fundit ai i drejtohet Sinjorisë që të caktojë në vendin e tij, në funksionin e Arqipeshkvit të Durrësit, nipin Gjon Marinin. Mbas kësaj, kardinali kryengritës ka dhënë shpirt!
Kush e helmoi kardinalin kryengritës?
Në një informacion që mban datën 8 gusht 1499, të shkruar nga bajli venecian i Durrësit, drejtuar Këshillit të të Dhjetëve në Venedik, shkruhet: Sot, më datën 8 gusht, arqipeshkvi i Durrësit vdiq. Ai qëndroi i sëmurë vetëm gjashtë ditë. Kjo vdekje ka qenë një dëm i madh për qytetin e Durrësit, sepse ai kishte pas vetes shumë përkrahës.
Po kush ishte autori apo autorët e vrasjes së këtij arbërori kryengritës, të këtij kardinali që nuk u nënshtrua gjer në frymën e tij të fundit duke u përpjekur dhe luftuar për çlirimin e Shqipërisë prej zgjedhës turke? Në një informacion që gjendet mes dokumenteve të Arkivit të Maliperos shkruhet se ata që e kanë helmuar janë: Arqidhjakoni (Archidiacono), një kanonik (Canonico) dhe një gjakua (Zago), të cilët janë arrestuar dhe do të dërgohen në Venecia për t’u gjykuar.
Dokumenti jep edhe një hollësi të rëndësishme për aktivitetin e Martin Firmanos, i cili tregon se ky arbëror, me të mbërritur në Durrës, kishte filluar punën për riorganizimin e kryengritjes me shqiptarët e tij kundër pushtimit osman: Brenda dy muajve, ky arqipeshkv kishte mbledhur 6 000 shqiptarë, të cilët qenë të gatshëm dhe i shkonin atij pas. Këta do të kishin ngritur në këmbë gjithë vendin kundër Turqisë … Prandaj, për vdekjen e tij është hidhëruar i gjithë vendi!
Sigurisht, të akuzuarit qenë arrestuar dhe dërguar në Venecia për t’u gjykuar. Gjyqi i tyre është shtyrë dhe zvarritur për shumë kohë, madje vjet! Gati tre vjet nga koha e arrestimit, më datë 4 shtator të vitit 1502, gjykatësi komisioner, i ngarkuar nga Selia Apostolike, i ka shpallur të pafajshëm dhe i ka liruar personat e dyshuar për vrasjen e kardinalit kryengritës!
Po kush ishin vrasësit e kardinalit?
Në një letër dërguar patriarkut të Venecias, Thomas Donatus, nga një informator anonim që mban pseudonimin “Hadriani”, më datë 5 shtator 1502 ai shkruan: … është vërtetuar dhe besohet nga rrëfimi i të burgosurve se ata e kryen një krim të tillë, por jo me nxitjen e turqve … prandaj, kjo çështje duhet të vazhdojë të hetohet.
“Requiem Aeternam” – “prehje e përjetshme” kardinalit Martin Firmano që u sakrifikua për lirinë e atdheut të tij, Arbërisë
Por, cilido që të ishte vrasësi apo vrasësit e Martin Firmanos, një gjë është e sigurt: vrasja e tij kishte motive politike. Qëndresa, rezistenca dhe përpjekjet e tij të pandalshme për organizimin e një kryengritjeje arbërore kundër pushtimit osman ishin shqetësimi dhe tmerri për vetë pushtuesit lindorë, por edhe për venecianët. Mobilizimi i një force prej rreth 30 000 forcash arbërore ndoshta është e vetmja në historinë e trojeve të Arbërisë mesjetare me këto përmasa. Kontaktet e Firmanos me Mbretin e Francës, me krerët e familjeve fisnike arbërore të larguara në Perëndim, mbas vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, koordinimi i kësaj lëvizjeje me një prej figurave të shquara arbërore, Kostandin Arianitin dhe Gjon Kastriotit, blerja e armatimit të nevojshëm për forcat kryengritëse, shtrirja e këtij mobilizimi nga Arbëria qendrore në Durrës, në Veri në Ulqin, në Jug në Thesali dhe gjer tek arbrit e Peloponezit, përbënte një fuqi unike luftarake si asnjëherë më parë dhe më pas kundër Perandorisë Osmane. Vetë Kardinali, Martin Firmano, ishte truri dhe shpirti i frymëzimit dhe mobilizimit të kësaj kryengritjeje. Nëse nuk do të eliminoheshin përmasat e kësaj kryengritjeje, ajo do të ishin fatale për pushtuesit dhe për aleatët e tyre.
