Kamberi: Propozim për rezolutë që trajton krimet e luftës në Kosovë
Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë dhe kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Shaip Kamberi, vlerëson për RTK-në se zgjedhjet e reja në Serbi nuk mund të sjellin ndryshim pa krijimin e kushteve të reja zgjedhore. Ai kritikon heshtjen e autoriteteve serbe ndaj deklaratës së ministres Snezhana Paunoviq dhe kërkon verifikimin institucional të krimeve të kryera në Kosovë.
Seanca e Kuvendit të Serbisë për shqyrtimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, e iniciuar nga opozita, sipas Kamberit, po shfrytëzohet nga pushteti si një spektakël politik për të larguar vëmendjen e opinionit publik nga problemet reale dhe për të fituar kohë para mbajtjes së zgjedhjeve të reja.
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë rikujtoi se kërkesa për mocionin e mosbesimit ishte dorëzuar që në shkurt të këtij viti, por u fut në rend dite vetëm tani. Sipas tij, kjo dëshmon se pushteti po e përdor procedurën parlamentare për interesa të ngushta politike.
“Tendenca është për një spektakël të ri politik, përmes të cilit qëllimi është t’i hiqet vëmendja opinionit serb nga problemet reale. Duke luajtur rolin e një demokrati, Vuçiqi tenton të largojë vëmendjen nga problemet me të cilat përballet regjimi i tij dhe të blejë sa më shumë kohë për të shtyrë zgjedhjet e reja”.
Duke komentuar paralajmërimet e presidentit Aleksandar Vuçiq për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme deri në fund të vitit, Kamberi theksoi se zgjedhjet nuk mund të jenë zgjidhje nëse zhvillohen në të njëjtat kushte që, sipas tij, i kanë mundësuar regjimit të manipulojë procesin zgjedhor për vite me radhë.
“Zgjedhjet e reja mund të jenë zgjidhje vetëm nëse ndryshojnë kushtet. Kushtet e njëjta ia kanë mundësuar ndër vite Aleksandar Vuçiqit dhe regjimit të tij të manipulojnë zgjedhjet, duke fituar shumicë absolute dhe duke përdorur institucionet shtetërore. Ky regjim duhet të largohet sa më shpejt“, u shpreh ai.
Ai shtoi se pushteti aktual është futur në një “rreth vicioz të krimit” dhe se largimi i tij është “në interes të Serbisë dhe të stabilitetit rajonal”. Si ilustrim të mënyrës së funksionimit të qeverisë aktuale serbe, Kamberi përmendi mungesën e reagimit institucional ndaj deklaratës së ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila kishte deklaruar se në vitin 1998 do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
“Përveç krimit dhe aferave korruptive, po përballemi edhe me deklarata skandaloze të frymës naziste. Askush nga qeveria nuk ka reaguar. Disa reagime të vakëta ishin vetëm përpjekje për ta relativizuar atë deklaratë kriminale të një ministreje të qeverisë, por askund nuk u pa një vullnet i qartë për të shqyrtuar mandatin e saj. Nëse një ministre është në gjendje ta manipulojë shtetin e vet për të marrë shpenzimet e udhëtimit për një vend ku nuk shkon kurrë, kjo tregon qartë nivelin moral të kësaj qeverie dhe të kësaj politike.”
Kamberi njoftoi gjithashtu se ka propozuar në Kuvend një projekt-rezolutë për verifikimin e krimeve të kryera në Kosovë, të bazuar në aktgjykimet e Tribunalit të Hagës, duke shprehur pritjen që ajo të shqyrtohet në një nga seancat e ardhshme.
“Pres që në seancën e radhës të vendoset në rend dite, në mënyrë që të flasim për përgjegjësinë e qeverisë, të pushtetit dhe sidomos për gjuhën e urrejtjes, e cila është bërë dominuese në Serbi, veçanërisht ndaj shqiptarëve dhe ndaj Kosovës. Kjo po e çon rajonin drejt destabilizimit.”
Sipas Kamberit, projekt-rezoluta synon të hapë një debat institucional mbi përgjegjësinë për krimet e luftës dhe të sfidojë narrativën zyrtare në Serbi. Ai vlerëson se politika e Beogradit është në kundërshtim me interesat strategjike të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian në rajon.
“Politika aktuale nuk është në frymën e një shteti që synon integrimin në Bashkimin Evropian”, thekson Kamberi.
Sipas tij, mbetet të shihet nëse zgjedhjet e reja do të sjellin edhe zgjidhje të reja. Megjithatë, ai vlerëson se Serbia përballet me probleme të shumta dhe se një ndryshim i vërtetë politik kërkon një distancim të qartë nga regjimi aktual, si dhe nga politikat e viteve nëntëdhjeta.
