Kafshimi nga qeni, ndihma urgjente paraspitalore dhe masat parandaluese
Kafshimi nga qeni është dëmtim traumatik i lëkurës dhe indeve të buta, që mund të shkaktojë gjakderdhje, infeksione, dëmtime të nervave dhe enëve të gjakut, si dhe transmetimin e sëmundjeve infektive, veçanërisht tërbimit
Prof. ass. Isuf Bajrami Spec. i Mjekësisë Urgjente Qendra e Mjekësisë Urgjente, Prishtinë
Kafshimi nga qeni është problem i rëndësishëm i shëndetit publik, për shkak të lëndimeve fizike, infeksioneve dhe rrezikut të transmetimit të tërbimit (rabies).
Njeriu sëmuret nga kafshimet e kafshëve të tërbuara ose edhe nga kontakti me jargët e kafshëve, kur lëkura e tij është e dëmtuar.
Qeni më shpesh kafshon gishtërinjtë, dorën apo cilëndo pjesë të trupit, kurse te fëmijët këmbët, kokën dhe barkun.
Qeni, me kafshimet e tij, mund të shkaktojë plagë shqyese dhe ndrydhje të indeve, që shpesh mund të paraqesin rrezik për jetën, nëse kafsha është e tërbuar.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH/WHO):
Këto janë statistika për tërbimin dhe ekspozimin ndaj tij, jo për numrin e përgjithshëm të kafshimeve nga qentë.
Sipas OBSH-së, kafshimet nga qentë shkaktojnë dhjetëra miliona lëndime çdo vit në botë, por nuk ekziston një numër i saktë global. Vetëm në SHBA raportohen rreth 4,5 milionë kafshime në vit.
Ndihma urgjente paraspitalore
Të aksidentuarin largojeni nga vendi i ngjarjes.
Qetësoni personin e aksidentuar, përdorni dorëza mbrojtëse ose, para se të pastroni plagën, lani mirë duart me sapun apo me mjete dezinfektuese.
Nëse plaga nuk gjakos, ajo menjëherë duhet të shpërlahet dhe të pastrohet me ujë të rrjedhshëm ose me sapun të butë për 3–5 minuta.
Plaga e shkaktuar nga kafshimet e kafshëve mbulohet me garzë sterile dhe fashohet
Nëse plaga gjakos shumë, është e dobishme të vendoset lidhësja elastike e gomës.
Në 24–48 orët e ardhshme duhet të përcillen shenjat e infeksionit të plagës (skuqja, ënjtja, dhimbja). Nëse janë të pranishme shenjat e infeksionit të plagës, kërkoni ndihmën e mjekut.
Përpunimi i mirë i plagës në vendin e ngjarjes pengon shfaqjen e sëmundjes së rëndë infektive, tërbimit, që për njeriun mund të jetë vdekjeprurës.
Pas dhënies së ndihmës së parë në terren, shpëtimtari duhet ta dërgojë të aksidentuarin në spital për trajtim të mëtejshëm.
Në kushte paraspitalore dhe spitalore, plaga përpunohet sipas parimeve të përgjithshme (shpëlarje, pastrim me mjete dezinfektuese: alkool, hidrogjen, povidon; antibiotikë, mbrojtje antitetanike dhe serum kundër kafshimit të qenit).
Procedura në urgjencën paraspitalore
Sigurimi i vendngjarjes: Largojeni personin nga qeni për të parandaluar kafshime të tjera dhe përdorni mjetet mbrojtëse personale. Vlerësimi ABCDE: Kontrolli i rrugëve të frymëmarrjes, frymëmarrjes, qarkullimit, gjendjes neurologjike dhe ekspozimit të pacientit. Kontrolli i gjakderdhjes: Ushtrimi i presionit direkt me garzë sterile. Në hemorragji masive të gjymtyrëve që nuk kontrollohet, përdorimi i turniketit sipas protokollit. Pastrimi i plagës: Shpëlarja me ujë të rrjedhshëm dhe sapun për të paktën 15 minuta, pasi të jetë kontrolluar gjakderdhja. Mbulimi i plagës: Vendosja e garzës sterile dhe fashimi. Mos përdorni alkool ose substanca irrituese brenda plagës. Monitorimi: Kontrolli i pulsit, tensionit arterial, frymëmarrjes dhe vetëdijes. Transportimi: Dërgimi i pacientit për vlerësim mjekësor, përfshirë profilaksinë kundër tërbimit dhe tetanozit.
Çfarë duhet të vlerësojë mjeku?
E rëndësishme: Nëse gjakderdhja është e rëndë, thirrni urgjencën menjëherë. Nëse lëkura është çarë, kërkoni vlerësim mjekësor po atë ditë, pa pritur shfaqjen e simptomave.
Parandalimi i sëmundjes së tërbimit bazohet në radhë të parë në zhdukjen e qenve endacakë, maceve, dhelprave dhe ujqve dhe izolimin e kafshëve të dyshimta; në rast kafshimi duhet bërë vaksinimi.
Parandalimi i komplikimeve pas kafshimit
Në urgjencën paraspitalore, prioritet është siguria e vendngjarjes, vlerësimi ABCDE, kontrolli i hemorragjisë, pastrimi i plagës dhe transportimi i pacientit.
Masat parandaluese kanë rëndësi të veçantë për shmangien e infeksioneve, tetanozit dhe tërbimit.
Kujdes: Dyshimi për ekspozim ndaj tërbimit kërkon vlerësim urgjent mjekësor, sepse parandalimi duhet të fillojë përpara shfaqjes së simptomave.
Statistikat tregojnë se kafshimi nga qeni mbetet problem i rëndësishëm shëndetësor në botë dhe në Kosovë. Rritja e rasteve thekson nevojën për edukimin e popullatës, kontrollin e qenve endacakë, vaksinimin e kafshëve dhe ofrimin e ndihmës së parë në kohë. /Telegrafi/
