Jehona e Gilgameshit në ditët e sotme
Nga: Philip Terry / The Guardian (titulli: Gilgamesh by Simon Armitage review – an ancient epic is brilliantly translated for our times ) Përkthimi: Telegrafi.com
Poeti laureat paguhet me pagë prej 5 750 paundësh në vit [6 840 euro], plus me një fuçi sheri. Këtij roli nuk i bashkëngjiten ca detyra të përcaktuara, por ka pritshmëri që poetët të shkruajnë vargje për raste publike dhe për ngjarje mbretërore, një detyrë të cilën Simon Armitage e ka përmbushur duke shkruar poezi me rastin e vdekjes së Elizabeth II, Floral Tribute [ Homazh me lule ] dhe një tjetër për të shënuar kurorëzimin e Charlesit dhe Camillas në vitin 2023. Edhe pse është kohë e vështirë për familjen mbretërore, asnjë poet laureat nuk do të shkruajë për sjelljen e keqe të anëtarëve të saj (nuk ishte John Dryden, poeti i parë laureat, ai që shkroi për zakonet e Charlesit II në dhomën e gjumit, por John Wilmot, konti i Roçesterit). E, megjithatë, me Gilgameshin , Armitage vërtet sjell një poemë për të këqijat e familjes mbretërore, të paktën pjesërisht [botimi i ri, Gilgamesh: A New Verse Translation ].
– Lexo po ashtu: Simon Armitage: Pink Floyd të dashur
Eposi e ka origjinën në Mesopotaminë e lashtë (Irakun e sotëm) të paktën katër mijë vjet më parë dhe nis me gjysmëperëndinë që i jep emrin veprës, mbretin e Urukut, duke sunduar me arrogancë mbi nënshtetasit e tij. Ndër zakonet e tjera të këqija, ai ushtron “të drejtën e natës së parë”, e cila i lejon të flejë me nuset e sapomartuara përpara burrave të tyre. Për t’ia kufizuar pushtetin, perënditë krijojnë homologun e tij, njeriun e egër Enkidu, i cili përballet me Gilgameshin jashtë shtëpisë së njërës prej këtyre nuseve. Dy rivalët, të cilët më pas u bënë shokë, nisen në një varg aventurash të jashtëzakonshme, përfshirë betejën me Humbabën, rojtarin e Pyllit të Kedrave, dhe me Demin e Qiellit me krahë të dërguar nga perëndesha Ishtar për t’u hakmarrë pasi Gilgameshi refuzoi propozimin e saj për martesë. Pas vdekjes së Enkidusë, Gilgameshi niset i vetëm në një kërkim të dëshpëruar të pavdekësisë, gjë që e çon deri në skajin e botës.
Në hyrjen e tij, Armitage na e tërheq vëmendjen te jehona moderne e pasur e poemës, përfshirë çiltërsinë e saj lidhur me punëtoret e seksit të cilat luajnë rol kyç për ta sjellë Enkidunë në Uruk, dimensionin e saj ekologjik – vdekja e Enkidusë është ndëshkim për prerjen e pyllit që ruhej nga Humbaba – dhe mënyrën se si marrëdhënia mes Gilgameshit dhe Enkidusë mund të shihet si kremtim i dashurisë fizike mes personave të të njëjtës gjini (Gilgameshi e do shokun e tij “si një grua”). Më e mira nga të gjitha është mënyra se si lufta e heronjve me Humbabën u bën jehonë luftërave moderne për burime. Luftërat e Gjirit u zhvilluan në të njëjtin rajon gjeografik, ndonëse malli në fjalë nuk ishte druri – materiali kryesor i ndërtimit në kohën e poemës – por nafta.
Historia unike e fragmentuar e poemës e bën atë njëkohësisht të lashtë dhe moderne. Burimet sumeriane datojnë që nga viti 2000 p.e.s., por ajo mbeti e humbur derisa fragmentet e tabelave me shkrim kunjor, në një formë të mëvonshme akadiane, u zbuluan nga arkeologët në shekullin XIX. Një tabelë e ekspozuar në Muzeun Britanik tërhoqi vëmendjen e George Smithit, i cili punonte për një kompani që projektonte kartëmonedha, dhe ai e vizitonte vazhdimisht muzeun gjatë pushimit të drekës, thjesht për ta soditur. Kur kujdestari i antikiteteve babilonase e pyeti se çfarë po bënte, Smithi u përgjigj se po lexonte. Më vonë, veçse i punësuar nga Muzeu Britanik, Smithi u emocionua kur zbuloi një tabelë që përshkruante një përmbytje të madhe. Duke bërtitur: “Jam personi i parë që e lexon këtë pas dy mijë vjetësh harrese”, ai vrapoi nëpër dhomë në një gjendje ngazëllimi dhe, për habinë e të pranishmëve, nisi të zhvishej. Pasazhi që Smithi kishte deshifruar vjen nga fundi i poemës, kur Gilgameshi viziton të mbijetuarin tashmë të pavdekshëm të përmbytjes, Uta-napishtimin – personazhin e Noas të poemës – në përpjekjen për të gjetur edhe vetë pavdekësinë. Kjo shkaktoi sensacion në Anglinë viktoriane për shkak të ngjashmërisë së saj me rrëfimin e përmbytjes në Librin e Zanafillës: ndoshta këtu gjendej dëshmia për vërtetësinë historike të ngjarjes.
Kjo histori e fragmentuar e poemës pasqyrohet në mënyrën se si ajo ka mbërritur deri te ne në formën e tabelave të thyera, të cilën Armitage e krahason me një mozaik gjigant pjesët e të cilit ende mungojnë. Lexuesit që e shohin këtë fragmentim si pjesë përbërëse të poemës, mund të zhgënjehen nga qasja e Armitageit e cila, në përgjithësi, synon t’i mbulojë të çarat – siç shprehet ai (ndonëse pasazhet që janë rikthyer prej burimeve të mëvonshme i paraqet në prozë dhe herë pas here lë boshllëqe për përmbajtjen e të cilave ai hamendëson në fusnota të detajuara). Një veçori së cilës Armitage i qëndron shumë besnik është përdorimi i përsëritjes, si në udhëtimin për t’u takuar me Humbabën – Pas dyzet legash ndaluan dhe prenë bukën. / Pas gjashtëdhjetë legash ndaluan dhe ngritën kampin – e cila, siç thotë ai, “e bën të ndjeshme rregullsinë e rëndomtë të një marshimi të gjatë e të mundimshëm nëpër një terren pa tipare dalluese”. Në përgjithësi, rezultatet janë të freskëta dhe mbresëlënëse, si në vargjet hyrëse të poemës – po aq të forta sa shkëmbi mbi të cilin dikur ishin gdhendur:
Ai pa thellësi të mëdha, pa bazën shkëmbore të tokës. I mprehtë në çdo fushë, urtak në çdo çështje, Gilgameshi pa themelet e jetës. Asgjë nuk i shpëtoi; ai e zotëronte gjithë dijen, Kishte mësuar çdo disiplinë në masë të barabartë, I kuptonte plotësisht udhët e botës. Ai zbuloi sekrete, nxori në dritë atë që ishte e fshehur, Solli lajme nga koha para Përmbytjes së Madhe, Përshkoi me mundim shtigje të largëta, e fitoi pushimin e tij. Ai i gdhendi sprovat dhe mundimet e tij në gur.
Armitage me mençuri e shmang rimën, ndryshe nga disa versione të kohëve të fundit – nuk ka asnjë dëshmi për rimë në tekstin origjinal – por, e thur poemën e tij fort me një varg standard me katërrokësh, një përzierje fine e modernes me arkaiken dhe me një dozë aliteracioni që ai përdori edhe në përkthimin e Sër Gavejnit dhe kalorësit të gjelbër . Disa nga pasazhet më të bukura kanë një begati që pothuajse mund ta shijosh dhe ta prekësh – nëna e Gilgameshit, Ninsun, “Lopa e Egër”, pastrohet me “brukë dhe sapunor”. Të tjerat e kanë një bashkëkohësi të këndshme, si atëherë kur Humbaba e quan Enkidunë, të krijuar nga perënditë prej një cope balte, “gjysmë mendje”, një “përbindësh të kryqëzuar” që “kurrë nuk thithi qumësht nga gjiri i nënës”. Nga të gjitha skenat, janë ato në pyll – teksa heronjtë çajnë rrugën drejt shtëpisë së Humbabës – që nxjerrin në pah poezinë më të mirë të Armitageit, e cila këndon dhe buçet teksa kalon përmes nënpyllit:
Kurora e pyllit ishte e thurur dhe e nyjëzuar me bimë kacavjerrëse; Lëngu i pemëve dhe rrëshira binin si shi Dhe rridhnin tutje nëpër kanale dhe gryka. Një zog thirri, pastaj pylli jehoi Nga zhurma e zogjve të tjerë që i përgjigjeshin. Një gjinkallë e vetmuar lëshoi tingullin e saj, Duke ndezur një kor fishkëllimash dhe himnesh. Një turtull iu përgjigj thirrjeve të një pëllumbi.
Regjistri gjuhësor i Gilgameshit mbetet një nga të panjohurat e mëdha të poemës. Duke pasur parasysh natyrën e përmbajtjes së saj – shpesh të dhunshme, tallëse dhe seksualisht eksplicite – nuk ka asnjë arsye të supozohet se ajo duhet, siç ndodh përgjithësisht, të përkthehet në një gjuhë të ngritur. Armitage e përballon drejtpërdrejt këtë çështje duke përzier regjistra dhe idiolekte të ndryshme. Versioni i tij i prekshëm dhe i thellë është një arritje mjeshtërore, që ndërthur studimin e kujdesshëm me vrullin poetik dhe shkrirje të shkathëta gjuhësore, ndërsa ka gjasa të bëhet një nga versionet standarde në anglisht. Megjithatë, ai nuk mund të jetë fjala e fundit për këtë poemë që vazhdon të ketë jehonë, fragmentet e së cilës ende po dalin në dritë në koleksionet e muzeve, në gërmime të reja dhe në zbulime të rastësishme. /Telegrafi/
