TË FUNDIT

“Jam mirë, pse të kontrollohem?” – onkologu Arben Bislimi tregon pse ky mendim është i gabuar

Shumë njerëz e lidhin vizitën te mjeku vetëm me dhimbjen, simptomat e dukshme apo përkeqësimin e gjendjes shëndetësore. Por sipas onkologut Arben Bislimi, ky është një mendim i gabuar, sidomos kur flitet për sëmundjet malinje dhe rëndësinë e diagnostikimit të hershëm.

Për këtë temë, Bislimi ka folur gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë” i mbështetur nga United Hospital dhe Qendra Laserike e Syrit Kubati, ku u diskutua për kancerin, parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimet e sotme.

I pyetur për njerëzit që shpesh thonë “jam shumë mirë, nuk kam asgjë, pse të kontrollohem?”, onkologu tha se kjo lidhet me nivelin e edukatës shëndetësore në një shoqëri.

“Kjo është pjesë e edukatës shëndetësore që e ka një popull, një vend”, tha Bislimi.

Sipas tij, nuk duhet pritur gjithmonë dhimbja apo simptoma për t’u drejtuar te mjeku.

“A duhet ta dëgjojmë gjithmonë dhimbjen dhe a duhet gjithmonë të orientohemi vetëm në bazë të dhimbjes ose simptomave për ndihmën e mjekut? Mendoj se jo”, u shpreh ai.

Bislimi theksoi se në mjekësi ekzistojnë rregulla të skriningut dhe depistimit, që kanë për qëllim identifikimin e hershëm të sëmundjeve, edhe para se ato të japin shenja të qarta.

“Janë disa rregulla të skriningut, të depistimit, domethënë të identifikimit të hershëm të eventualisht të sëmundjes”, tha ai.

Si shembull, ai përmendi meshkujt mbi moshën 50-vjeçare, për të cilët rekomandohet analiza PSA, një analizë rutinore e gjakut që mund të japë informata të rëndësishme për mundësinë e zhvillimit të kancerit të prostatës.

“Te meshkujt e moshës mesatare mbi 50 vjeç rekomandohet një PSA, një analizë rutinore gjaku, e cila mund të japë informata shumë të mira për fillin ndoshta të një kanceri të prostatës eventual në zhvillim e sipër”, tha Bislimi.

Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:

– YouTube www.youtube.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *