Ish-prokurori i Hagës, Nice: Mlladiq vdiq, por pyetja kryesore për Srebrenicën mbeti pa përgjigje
Ish-prokurori i Hagës, Geoffrey Nice, thotë se nuk pati ndonjë mendim apo emocion veçanërisht të fortë pasi lexoi lajmin se ka vdekur Ratko Mlladiq, i dënuar me burgim të përjetshëm për krime lufte.
“Mlladiqi sot i përket kryesisht historisë. Madje edhe në pjesë të ish-Jugosllavisë, përveç Serbisë, mund të gjeni të rinj në moshë studentore që nuk e dinë se kush është ai. Pra, bëhet fjalë për një figurë historike”, tha Nice në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë (REL).
Nice thotë se gjykimi ndaj Mlladiqit, që në kohën e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, ishte komandant i ushtrisë së Republikës Sërpska, nuk ndryshonte në thelb nga gjykimet e tjera.
“Kjo nuk do të thotë se të gjitha ishin të drejta, por vetëm se nuk ishin ndryshe. Gjykimi paraqet historinë e ngjarjeve nga viti 1992 e tutje dhe më pas, sikurse shumë procese të tjera për përcaktimin e përgjegjësisë për ngjarjet në ish-Jugosllavi, përqendrohet te Srebrenica”, thotë Nice.
Ish-prokurori në Gjykatën Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi, i cili udhëhoqi çështjen kundër Sllobodan Millosheviqit, thotë se “bazuar në faktet e vërtetuara, është e mundur të shihet se sa lehtë armiqësia mes grupeve, në këtë rast mes republikave ose pjesëve të tyre që përpiqeshin të ndryshonin kufijtë, mund të shndërrohet në qëllim të keq, qëllim kriminal, madje edhe në qëllim gjenocidal të njerëzve, nga maja deri në fund të zinxhirit komandues ushtarak dhe politik”.
“Megjithatë, kjo nuk sjell në thelb asgjë të re në të drejtën ndërkombëtare humanitare, e cila veçse ishte mirë e konsoliduar”, vlerëson Nice.
Radio Evropa e Lirë: Si fillim, çfarë mendimesh ju kalojnë nëpër kokë tani pas vdekjes së Ratko Mlladiqit, teksa ai po vuante dënimin me burgim?
Geoffrey Nice: Mendimi im i parë ishte se ai ka vdekur dhe se historia, në njëfarë mënyre, ka përfunduar, megjithëse në fakt ajo kishte përfunduar shumë kohë më parë.
Ligji është ashtu siç është, dhe ky është një fakt.
Megjithatë, ekziston një aspekt i rëndësishëm që rrjedh nga vdekja e Mlladiqit dhe për të cilin disa shtete duhet të mendojnë: Si e dinte Mlladiqi më 10 dhe 11 korrik 1995 se mund të hynte në Srebrenicë dhe të bënte atë që bëri?
Nuk jam i sigurt nëse kjo ka qenë ndonjëherë objekt i një përfundimi të qartë, megjithëse ekzistojnë shumë prova që të paktën tregojnë një pjesë të prapavijës së ngjarjeve që mund të jetë e rëndësishme.
Këto prova janë publikisht të qasshme në vende të ndryshme, por me kalimin e kohës ato nuk janë lidhur në mënyrë sistematike dhe nuk janë vendosur në qendër të vëmendjes.
Në fund të majit 1995, presidenti francez, Jacques Chirac, dhe kryeministri britanik, John Major, i kërkuan presidentit amerikan, Bill Clinton, të pajtohej që forcat ajrore të mos përdoreshin për shpëtimin e Srebrenicës.
Ekipi më i ngushtë i Clintonit e pranoi këtë propozim të dielën, më 28 maj. Bëhet fjalë për atë që u quajt “marrëveshje e heshtur”, përkatësisht marrëveshje sekrete.
Kjo qasje ndaj mbrojtjes së Srebrenicës nuk iu përcoll ushtarëve holandezë që ishin dislokuar atje, e as myslimanëve boshnjakë.
Pyetja të cilës Mlladiqi ndoshta mund t’i kishte dhënë përgjigje, ose ndoshta ia ka dhënë tashmë dikujt tjetër, nuk e di, është: Si e dinte se mund të bënte atë që bëri?
Mund të ketë disa shpjegime: informacione të inteligjencës, vlerësim të situatës nga ana e tij, apo edhe informacion që ia kishte përcjellë dikush nga Perëndimi.
Tani gjasat që kjo pyetje të sqarohet plotësisht janë disi më të vogla, sepse nuk është më e mundur të pyetet ai [Mlladiqi].
Mund të shpresojmë se e vërteta, megjithatë në fund nuk do të humbasë.
“Nxitje e publikut për reagim emocional dhe përçarës”
Tridhjetë vjet pas luftës, Bosnje dhe Hercegovina vazhdon të jetë thellësisht e ndarë dhe është e qartë se vdekja e Mlladiqit do të pritet në mënyra krejtësisht të ndryshme nga komunitete të ndryshme. Kreu i partisë më të madhe në Republikën Sërpska, Millorad Dodik, deklaroi menjëherë se “Mlladiqi është vrarë”. A tregon kjo dështimin e drejtësisë ndërkombëtare, ashtu siç u administrua nga Tribunali i Hagës?
Geoffrey Nice: Para së gjithash, kjo tregon qëndrueshmërinë e qëndrimeve të rrënjosura thellë, të cilat mund të jenë edhe të njëanshme. Nuk duhet t’u kushtojmë shumë vëmendje pretendimeve të tilla, madje asnjë vëmendje, përveç nëse mbështeten me prova.
Pra, çfarë provash ka Millorad Dodiku për pretendimin se Mlladiqi është vrarë?
Ne e dimë se ka pasur kërkesa për lirimin e tij për shkak të gjendjes shëndetësore. Duke pasur parasysh peshën e krimeve për të cilat është dënuar, dhe me të drejtë është dënuar, mendoj se nuk ka shumë hapësirë për kundërshtime ndaj faktit që ai u transferua për trajtim, me sa duket, në një spital të OKB-së.
Prandaj, pretendimi se ai është vrarë është thjesht një përpjekje për të nxitur publikun drejt një reagimi emocional dhe përçarës, gjë që ndoshta është relativisht e lehtë të arrihet nëse i drejtohesh një audience që tashmë ka paragjykime të rrënjosura thellë.
Duhet të kujtojmë se më shumë se 25 vjet më parë, shumë serbë dhe banorë të Republikës Sërpska besonin se Srebrenica ishte tërësisht e trilluar.
Më pas, gjatë gjykimit të Sllobodan Millosheviqit, u shfaq një pjesë e një videoje dhe më vonë e gjithë videoja që tregon vrasjen e gjashtë të rinjve, shumë prej tyre në moshë të re, në Tërnovo, të kryer nga pjesëtarë të “Skorpionëve”, një njësi që i përgjigjej zinxhirit serb të komandës.
Pas kësaj, mendimi ndryshoi. Njerëzit filluan të pranonin se Srebrenica ishte vërtet një masakër për të cilën përgjegjëse ishte Serbia.
Një nga politikanët kryesorë serbë mori pjesë edhe në përkujtimin në Srebrenicë në vitin 2015, mendoj se bëhej fjalë për presidentin ose kryeministrin e atëhershëm të Serbisë.
Prandaj, nuk mendoj se qëndrime të tilla nga Serbia duhet të na befasojnë, shqetësojnë apo brengosin, përveç nëse ekzistojnë prova që i mbështesin ato. Dhe, aq sa di unë, aktualisht nuk ka prova të tilla.
Sa e rrezikshme është kur politikanët përpiqen të riinterpretojnë ngjarje që tashmë kanë qenë objekt i vendimeve gjyqësore të formës së prerë?
Geoffrey Nice: Mendoj se kjo është para së gjithash një çështje për njerëzit e vetë rajonit.
Unë jam i huaj, anglez. Do të doja të isha diçka më shumë se kaq, por kështu është.
Të kuptuarit e cenueshmërisë së zonave të caktuara të ish-Jugosllavisë dhe vlerësimi i pasojave të mundshme të dukurive të tilla janë çështje për të cilat është më mirë të bisedohet me njerëz nga vendet që preken drejtpërdrejt ose nga shtetet fqinje.
Nuk dua të dal përtej kufijve të ekspertizës sime.
Tribunali i Hagës, “burim i paçmueshëm për historianët”
Nëse pas 50 vjetësh Tribunali i Hagës do të mbahej mend vetëm për një gjë, a do të dëshironit që të mbahej mend për ndëshkimin e autorëve apo për lënien e një trashëgimie të së vërtetës që politika nuk mund ta fshijë më?
Geoffrey Nice: Nëse do të më duhej të zgjidhja mes këtyre dy mundësive, do të ishte shumë më e rëndësishme për mua që të mbetej një dokumentim i besueshëm.
Ne që udhëhoqëm proceset gjyqësore, pavarësisht vështirësive të mëdha dhe nganjëherë presioneve politike nga jashtë, gjithmonë u përpoqëm të lëmë pas prova të pastra dhe të besueshme, pavarësisht presioneve.
Edhe pse gjyqtarët gjithmonë thoshin se nuk ishin aty për të shkruar historinë, ata e dinin se, në njëfarë kuptimi, po e bënin pikërisht këtë.
Në këtë aspekt, Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY) është një burim i paçmueshëm për historianët, për shkak të sasisë së madhe të dokumentacionit të detajuar që ka mbledhur.
Këto të dhëna janë tashmë të qasshme për kërkim përmes mjeteve standarde kompjuterike, ndërsa me zhvillimin e inteligjencës artificiale do të bëhen edhe më të qasshme për studiuesit, të cilët shpresoj se do ta konsiderojnë këtë dokumentim të besueshëm.
Ndëshkimi i autorëve është një element krejtësisht i veçantë i çdo mekanizmi gjyqësor. Vlera e tij është e pasigurt dhe nuk ka shumë gjasa që ai të mund ta pengojë një kriminel të ardhshëm të luftës.
Hetimet, e ndoshta edhe vetë proceset gjyqësore që zbulojnë të vërtetën, megjithatë mund t’i parandalojnë disa njerëz të kryejnë krime lufte.
A mund ta ndryshojë vetë një aktgjykim gjykate kujtesën kolektive apo roli i tij kufizohet në vërtetimin e fakteve?
Geoffrey Nice: Po, aktgjykimet mund të bëhen pjesë e kujtesës kolektive.
Për një qytetar të zakonshëm, i cili ndoshta nuk ka interes të madh për politikën, përveç pjesëmarrjes herë pas here në zgjedhje, është më e thjeshtë të dijë, sado e thjeshtë që mund të jetë kjo njohuri, se Mlladiqi është dënuar për gjenocid, për shembull.
Njerëzit mund ta pranojnë këtë informacion, të jetojnë me të dhe ta konsiderojnë të besueshëm.
Megjithatë, për qëllime më të gjera shoqërore sesa thjesht ndihma ndaj votuesve për të kuptuar këtë të kaluar të vështirë, shumë më i vlefshëm është dokumentimi i detajuar i ngjarjeve.
Një dokumentim i tillë i detajuar është jashtëzakonisht i rëndësishëm, edhe pse do ta ketë shumë më të vështirë të bëhet pjesë e një kujtese kolektive të thjeshtë ose të thjeshtuar.
Një gjykatë si ajo e Hagës nuk do të themelohej në ditët e sotme
A është drejtësia ndërkombëtare sot më e fuqishme sesa në vitet ’90 apo presionet politike ndaj institucioneve ndërkombëtare janë më të mëdha se kurrë më parë?
Geoffrey Nice: Mendoj se nuk ka asnjë dyshim se rendi ndërkombëtar është dobësuar dhe se është minuar qëllimisht nga disa njerëz, ndër ta (presidenti rus Vladimir) Putin, (presidenti i SHBA-së Donald) Trump dhe, deri në një masë, edhe (udhëheqësi i Kinës) Xi Jinping.
Sipas mendimit tim, perspektivat që e drejta ndërkombëtare humanitare të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e botës janë zvogëluar ndjeshëm.
Nuk duhet të jemi as të rezervuar, as naivë kur flasim për arsyet pse ka ndodhur kjo.
Kjo ka ndodhur sepse shtetet e mëdha nuk duan që të hetohen, të gjykohen apo të dënohen nga shtetet e vogla. Më saktësisht, udhëheqësit e tyre individualë nuk duan t’i nënshtrohen një procesi të tillë.
Nuk mund të pretendohet se Perandoria Britanike në shekullin XIX nuk do të kishte vepruar njësoj si Trumpi, sikur atëherë të ekzistonin institucione si Gjykata Ndërkombëtare Penale ose Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavi, të cilat do të hetonin krimet e kryera gjatë zgjerimit kolonial.
Realiteti është se ata vepruan nga ajo që ishte e qartë për këdo që e vëzhgonte më thellë situatën: një vendosmëri për ta ruajtur sovranitetin e tyre me çdo kusht dhe për të parandaluar çdo ndërhyrje në të.
Me këtë, ata e dobësuan seriozisht fuqinë e drejtpërdrejtë të së drejtës ndërkombëtare humanitare.
Nëse sot do të themelohej një gjykatë e re ndërkombëtare sipas modelit të Tribunalit të Hagës, çfarë do të ndryshonit në strukturën e saj?
Geoffrey Nice: Nuk mendoj se një gjykatë e tillë do të themelohej sot.
Aktualisht, pyetja kryesore është nëse Gjykata Ndërkombëtare Penale do të dobësohet gradualisht apo edhe do të shkatërrohet, siç dëshirojnë disa udhëheqës politikë.
Megjithatë, meqë e parashtruat këtë pyetje, do t’i përgjigjem.
Mendoj se çdo mekanizëm i ri për përcaktimin e përgjegjësisë për konfliktet e armatosura, me supozimin se fuqitë e mëdha do ta lejonin, nuk do të duhej domosdoshmërish të ndiqte modelin amerikan, anglez apo australian të gjykimit, i cili është i ngadaltë.
Po ashtu, nuk do të duhej të ndiqte as modelin klasik evropian inkuizitor, i cili gjithashtu ka shumë mangësi, siç e dinë shumë njerëz.
Mendoj se një zgjidhje interesante dhe e mirëpritur do të ishte një sistem inkuizitor i modernizuar, i përshtatur me kohën e sotme, që karakterizohet nga qasja e jashtëzakonshme në informacion përmes internetit, inteligjencës artificiale dhe teknologjive të tjera.
Në një sistem të tillë, gjyqtarët do të kishin një rol dhe kompetenca shumë më të mëdha për zhvillimin efikas dhe të shpejtë të procedurave.
