OPINIONTË FUNDIT

Ish-deputeti i LDK-së: Partitë po kalkulojnë presidentin, zgjidhja po mungon

Takimet mes liderëve të partive politike po vazhdojnë edhe në kuadër të procesit për zgjedhjen e presidentit, por deri më tani nuk është arritur ndonjë rezultat apo marrëveshje konkrete.

Pavarësisht diskutimeve dhe përpjekjeve për gjetjen e një konsensusi mes partive, qëndrimet mbeten të ndara, duke e vështirësuar arritjen e një zgjidhjeje të përbashkët.

Derisa lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i quajti “spekulime” raportimet për kandidimin e tij për president, duke theksuar se nuk ka gjasa të vetëpropozohet.

“Nuk kemi folur për emra, aq më pak për emrin tim. Pra, kemi folur për dy propozimet aktuale që janë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe dje në mëngjes i kam kthyer përgjigje që LDK-ja nuk mund të mbështet një skenar në të cilin të tri pozicionet shtetërore i takojnë një partie politike”, ka thënë Abdixhiku.

Ish- deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, ka deklaruar se partitë politike po kalkulojnë rreth emrit të presidentit dhe po shmangin propozimin e kandidatëve për shkak të mungesës së guximit dhe rrezikut të mosmbështetjes nga partia në pushtet.

Sipas tij, problemi kryesor është se partitë synojnë që presidenti të vijë nga radhët e tyre, gjë që e bën të vështirë arritjen e një marrëveshjeje.

Salihaj ka theksuar se zgjidhja më e mirë do të ishte një emër jopartiak, i pranueshëm për të gjitha palët, duke shtuar se alternativa tjetër mund të jenë zgjedhjet e reja, të cilat do të kishin pasoja serioze për vendin dhe partitë politike. Ai ka paralajmëruar gjithashtu se durimi i elektoratit po shkon drejt fundit.

“Të gjitha partitë politike po kalkulojnë rreth emrit të presidentit, sepse nuk kanë guxim të propozojnë emra, për shkak se një emër mund të digjet, nëse partia në pushtet nuk i jep përkrahje. Problemi qëndron në faktin se të gjitha partitë janë të interesuara që kandidati për president të jetë nga partia e tyre. Kjo, deri më tash, jo vetëm që po duket e gabueshme, por edhe e parealizueshme.

Zgjidhja është te një emër jopartiak, por që është, ose duhet të jetë i pranueshëm për të gjitha partitë. Emra të tillë mund të gjenden.

Alternativa është shkuarja në zgjedhje të reja, me pasoja serioze për Kosovën, por edhe për vetë partitë politike. Durimit të elektoratit po i vie fundi”, u shpreh Salihaj për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *