Interi i ofron Çalhanoglus kontratë të re me pagë më të ulët – detajet e fundit
Interi ka bërë ofertën e parë zyrtare për rinovimin e kontratës me mesfushorin turk Hakan Çalhanoglu, marrëveshja aktuale e të cilit skadon verën e ardhshme.
Klubi italian synon ta mbajë futbollistin në skuadër deri në vitin 2029, ndërsa tashmë është në pritje të përgjigjes nga agjenti i tij, Gordon Stipic.
Sipas raportimit të faqes së afërt me klubin, “FC Inter 1908”, oferta e zikaltërve parasheh një pagë bazë pak më të ulët se ajo që Çalhanoglu përfiton aktualisht, por me një strukturë të re financiare.
Në kontratën e propozuar janë përfshirë disa bonuse, të cilat mund t’ia çojnë përfitimet vjetore afër shifrës prej 6 milionë eurosh.
Vendimi tashmë i takon mesfushorit turk, i cili, sipas raportimit, dëshiron të vazhdojë karrierën te Interi. Megjithatë, agjenti i tij po i shqyrton me kujdes shifrat dhe mënyrën e re të pagesës, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që pala e lojtarit të paraqesë një kundërofertë.
Bisedimet pritet të vazhdojnë gjatë ditëve në vijim, me Interin që shpreson të arrijë marrëveshje me futbollistin.
Sa i përket kohëzgjatjes, propozimi parasheh një kontratë dyvjeçare, me mundësinë e përfshirjes së një opsioni për vitin e tretë. /Telegrafi/
