Inteligjenca Artificiale gjeti një pikturë të vjedhur pas 20 vitesh: “Sain Agense”
Një pikturë e shekullit të 17-të që humbi 20 vjet më parë u gjet nga policia italiane me ndihmën e inteligjencës artificiale. Tani, policia në të gjithë botën po i drejtohet programeve të AI-së për të zbuluar veprat e artit të fshehura në mënyrën më dinake.
Gjatë një vizite rutinë në panairin vjetor të antikuarëve në Parma, Itali, në tetor 2024, oficerët e policisë fotografonin veprat e artit ndërsa ecnin mes stendave. Imazhet u ngarkuan në një bazë të dhënash të brendshme. Vetëm pak orë më vonë, sistemi policor dha një sinjal alarmi për një nga fotografitë: ajo shfaqte një grua të re me lëkurë të çelët, të veshur me ngjyrë akuamarinë dhe të kuqe, e cila mbante një pergamenë gjysmë të shpalosur.
Të nesërmen, oficerët shkuan me urgjencë në vendngjarje dhe sekuestruan pikturën.
Piktura origjinale e Shën Agnezës ishte vjedhur nga një kishë pranë qytetit italian të Napolit në vitin 2004 (Burimi: Komanda e Karabinierëve për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore)
Hetimi më i thelluar konfirmoi se një pikturë e Shën Agnezës, e shekullit të 17-të dhe me lartësi 1 metër, ishte vjedhur nga kisha e vogël e Virgo Potens në Sulmona, pranë Napolit, më shumë se 500 km larg nga panairi i artit në Parma, natën e 11 gushtit 2004.
Mbi pikturën origjinale ishte pikturuar diçka tjetër për ta bërë atë më pak të dallueshme: qengji ishte zëvendësuar me një pergamenë, ndërsa aureola dhe dega e palmës ishin fshirë, duke e shndërruar Shenjten në një grua të re pagane.
Një kërkim manual për “gruaja me pergamenë” në bazën e të dhënave nuk do ta kishte zgjidhur rastin. Fjalët kyçe nuk do të kishin nxjerrë në pah pikturën e vjedhur. Por intelligenca artificiale vuri re ngjashmëritë në ngjyra, modele dhe kompozim, pavarësisht mungesës së pergamenes dhe e identifikoi veprën mes miliona objekteve të vjedhura.
Një imazh i pikturës origjinale, që shfaqte qengjin, u mbulua me bojë për ta bërë veprën artistike më pak të dallueshme (Burimi: Komanda e Karabinierëve për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore)
Në vitin 2020, ekipi i policisë italiane krijoi algoritmin e AI-së të quajtur Sistemi i Zbulimit të Veprave të Vjedhura të Artit (Swoads) . Në nëntor 2023, sistemi u prezantua zyrtarisht për teste.
“Makina nuk mërzitet,” thotë nënkoloneli Salvatore Rapicavoli, nga njësia policore për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në Itali. “Më e rëndësishmja, ajo mund të përputhë gjurmët vizuale të fshehura gjatë punimeve , duke çiftëzuar ngjashmëritë midis nuancave të ngjyrës dhe siluetave të përafërta.”
Që nga prezantimi i tij, sistemi i inteligjencës artificiale e ka ndihmuar ekipin të rikuperojë: më shumë se 300 piktura dhe statuja të mëdha të plaçkitur; mbi 165,000 monedha, medalje, letra, dorëshkrime, objekte fetare, pulla dhe kartolina; vlera totale: mbi 203 milionë euro.
Që nga viti 1969, policia italiane ka mbajtur një bazë të dhënash me objekte kulturore të plaçkitura, më e madhja në botë. Ajo përmban më shumë se një milion artikuj, por vetëm disa nga hyrjet kanë fotografi të objekteve origjinale.
Historikisht, policia italiane vizitonte panaire, dyqane antike dhe ankande arti dhe krahasonte atë që shihte me miliona të dhëna në zyrat e tyre. “Kjo ishte kohë humbëse dhe e ngathët,” thotë Rapicavoli. Edhe nëse një shitje dukej e dyshimtë, një oficer që shfletonte qindra foto shpesh mund të humbiste detaje kyçe.
Inteligjenca Artificiale nuk është një zgjidhje magjike. Carina Popovici, bashkëthemeluese e “Art Recognition”, vëren: “Gjetja dhe kthimi i veprës varet ende nga hetuesit dhe bashkëpunimi ligjor. Unë do ta quaja AI-në një mjet që shumëfishon efektivitetin e punës.”
Timothy Carpenter, ish-drejtues i Ekipit të FBI-së për Krimet ndaj Artit, thekson: “Softueri nuk mund ta zëvendësojë mendimin analitik njerëzor. Duhet të kesh një ekip të madh, i cili nuk merret me asgjë tjetër përveç ndjekjes së gjurmëve që gjeneron AI-ja.”
Problemet teknike përfshijnë: të dhënat e dobëta për trajnimin; aftësi e kufizuar për njohjen e objekteve 3D; vështirësia në dallimin e kopjeve nga origjinalët.
Interpoli sqaroi se baza e të dhënave mund të regjistrojë vjedhjen e versioneve të ndryshme të të njëjtës vepër. Për shembull, “Ngrënësit e pjeprit” (The Melon Eaters) e Murillos është e listuar si e vjedhur, por origjinali ndodhet në Alte Pinakothek në Gjermani.Rrjeti global i identifikimit
Turqia ka sistemin e vet të AI-së, të cilin e ka përdorur për të rikuperuar pllaka të vjedhura nga Mbretëria e Bashkuar. Studiuesit francezë kanë krijuar Arte-Fact , institucionet gjermane kanë lancuar Kiku . Në SHBA, studiuesit e Universitetit të Bostonit po përdorin algoritme për të identifikuar statujat që mund të jenë vjedhur nga Kamboxhia.
Interpoli disponon softuerin ID-Art , i cili lidh baza të dhënash në shkallë globale. Garda Civile Spanjolle arriti së fundmi të gjejë dy piktura të Rilindjes, të vjedhura më shumë se 40 vjet më parë, duke krahasuar fotografitë me imazhe të paqarta, bardhezi, që ndodheshin në bazën e të dhënave që nga viti 1979.
Pavarësisht avancimit, AI ka gjasa të jetë më pak efektive në gjetjen e veprave të vjedhura së fundmi, ose në rastet e vjedhjeve të bujshme. “Hajdutët janë mjaft të zgjuar për të mos u përpjekur t’i shesin ato përmes kanaleve tradicionale,” thotë Steven Frank, avokat i specializuar në pronësinë intelektuale.
“Le të jemi të qartë: nuk pres që sistemi të gjejë veprat e Antonello da Messinës që u vodhën këtë verë,” thotë Rapicavoli. “Gjithashtu, nuk pres që ai të gjejë ‘Lindjen e Krishtit’ të Caravaggios, e cila është një nga veprat në listën tonë të ‘më të kërkuarave’.”
Për fat të mirë, më 20 maj 2025, ekipi i Rapicavolit mundi ta kthente pikturën e Shën Agnezës në kishën e vogël “Virgo Potens” në Napoli, ku ajo do të restaurohet dhe do të vendoset sërish në vendin e saj. Banorët vendas ishin jashtëzakonisht të gëzuar.
