Inaugurohet relievi monumental “Drama Shqipe” para Teatrit të Qytetit në Gjilan
Në platonë para Teatrit të Qytetit në Gjilan është inauguruar relievi monumental “Drama Shqipe”, vepër e artistit Bekim Korça, e realizuar me mbështetjen e Komunës së Gjilanit.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i cili ka theksuar se kjo vepër përfaqëson një vlerësim për historinë, vlerat dhe zhvillimin e artit skenik shqiptar.
Sipas Hysenit, relievi monumental synon të shërbejë si simbol i identitetit kulturor dhe mirënjohje për brezat e artistëve që kanë kontribuar në zhvillimin e teatrit shqiptar.
Ai ka theksuar se Komuna e Gjilanit do të vazhdojë të mbështesë artin dhe vlerat kulturore, duke vlerësuar kontributin e komunitetit artistik në jetën kulturore të qytetit.
Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë përfaqësues të komunitetit artistik dhe qytetarë, të cilët iu bashkuan këtij aktiviteti kushtuar trashëgimisë teatrore shqiptare. /Telegrafi/
