Idriz Zeqiraj: Tallja groteske e Kurtit me opozitën!
Kryeministri Kurti “edhe një herë e zhveshi shpatën për situatën”, janë vargjet e një kënge, kushtuar Enver Hoxhës, për goditjen e armiqve të klasës! Hipokrizia dhe demagogjia e Albin Kurtit, u shpërfaqen në mënyrën më groteske, në datën 28 prill 2026.
Nëse i takojnë ligjërisht partisë fituese të tri postet kryesore pozitës, kjo nuk qenka trajtuar në Kushtetutë. Por, t`i thuash se “tërheq kandidaturat e Glaukut dhe të Fatmirës, sillni tre emra kandidatësh për presidentë”, duke mos zbuluar se edhe nga LVV, do të jetë i katërti!?!
Kosova ka 120 deputetë, 66 syresh janë të LVV, me koalicionet e saj. Atëherë, gara përfundon, ende pa i numëruar votat! Dhe kjo është lojë fjalësh, tallja cinike, groteske, e turpshme, mujshare, me elementin bazë të rrugaçërisë.
Opozita, për ndryshim të bojkotit të pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, e cila donte humbjen e pësuar, ta kompensonte me marrjen e fitores në tavolinë, i barti pasojat në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.LDK gaboi kur nuk pranoi bashkëqeverisjen me LVV, sepse pengoi klani i Isa Mustafës, argat i PDK-së. Andaj, vendi shkoi në zgjedhje dhe për këtë u fajësua me të drejtë LDK-ja, me humbjen e thellë në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.
PAN-i shpëtoi më lehtë, ngaqë Kurti i kishte refuzuar për koalicion, me arsyetimin sa parimor, aq edhe bindës: “Nuk jeni reformuar, mbani barrën e krimeve vrastare dhe të hajnisë zyrtare, duke e përgjakur dhe zhvatur Kosovën”.
Kurti sikur pranoi ta dorëzojë postin e presidentit opozitës. Dhe, duke qenë në pritje të tri kandidaturave, nxori dy emra nga Shoqëria Civile. U tha se nuk kanë pasur dhe nuk kanë lidhje me angazhimet politike. Feride Rushiti aktiviste për mbrojtjen e të drejtave të viktimave të luftës, por rezulton se ishte në Këshillin Iniciues të themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje, dikur. Një pasaktësi e bërë në prezantimin e saj, rezultoi të mos ishte rekomanduar nga ambasada britanike. Ambicie politike kishte pasur për garën për presidente, me Atifete Jahjaga, por amerikanët u përcaktuan për të dytën.
Opozita refuzoi të bëhet argate e LVV, duke ia bërë numrat dhe turpëruar kandidatin/en e vet, në një garë të parathënë humbëse, sepse LVV kishte 66 vota të siguruara, përkundër PDK-së dhe LDK-së, që kishin, përkatësisht, 22 dhe 15 vota!
Maskarada zgjedhore, gjysmë ilegale dhe krejt të jashtëligjshme, me praninë e vetme të deputetëve të LVV. Kurti u mburrë me 63 votat e fituara nga zonja Feride Rushiti. Por, mungesa e Kuorumit, e dështoi votimin.
Dështimi i parathënë, sepse opozita paralajmëroi bojkotin, tashmë, bindshëm të arsyetuar.
Fjalimet akuzuese të katërshes së parë të LVV: Albin Kurtit, Albulenë Haxhiu, Glauk Konjufca dhe Hekuran Murati, ishin të një trajtshme, tautolologji, përsëritëse, bajate, me qëllimin e qartë, për ta fajësuar opozitën se “po e çon vendin në zgjedhje të serishme”.
Megjithatë, elokuenca e Albinit, me vartës, doli huq dhe nuk bindi askënd. Përkundrazi, bëri efekt të kundërt. Këtë herë shqiptarët u zhgënjyen goxha fort nga Kurti dhe LVV e tij me aleatë. Sepse populli i kishte dhënë 51 % dhe për t`i pasur të gjitha, pra, të tre postet kryesore, mungonin 49 % të votave.
Kurti e shpiku kriterin bazë: “President jo partiak, nga jashtë politikës!” Kjo u lexua si president i pavarur, me aludimin e qartë, përjashtimin e presidentes Vjosë nga konkurrenca, edhe pse Albini e kishte vlerësuar në shkallën sipërore, “presidentja më e mirë e shekullit 21”. Të gjithë presidentët e botës janë politikanë të thekur. Kujt i duhet një president që nuk ka qasje në politikën e brendshme dhe ndërkombëtare?! Presidenti është përfaqësues i parë i popullit dhe neutral ndaj partive politike në vend. Dhe, kjo mjafton që ai të manifestojë paanshmëri politike, për ndonjë subjekt të veçantë.
Albin Kurti ndryshoi qëndrimin dhe mohoi obligimin, për ta nominuar Dr. Vjosë Osmanin, për mandatin e dytë presidencial. Ndërkohë që prurjet të Vjosës në “GUXO”, përkatësisht, LVV, llogaritën në shumë-mijëra njerëz. Kjo ka irrituar shqiptarët, sepse gjenerali freng, Napoleon Bonaparti, ka thënë se “më shumë i urrej mosmirënjohësit, se sa tradhtarët”.
Vjosë Osmani në intervistën e saj, dhënë televizionit “Syri” të Çim Pekës, shpalosi punën e saj përkushtuese në detyrën e lartë të Presidentes. Ajo foli për punën bashkëpunuese të suksesshme, në shtrirjen e sovranitetit me kryeministrin Kurti si dhe çështjet tjera shtetërore.
Me shpërndarjen e Parlamentit, Dr. Vjosë Osmani bëri detyrën e Presidentes, duke mos bërë asnjë shkelje të Kushtetutës. Ajo e njeh mirë mallin e vetë dhe kjo u dëshmua për dërgimin e serishëm të vendit në zgjedhjet, sa të panevojshme, aq edhe të turpshme.
Sulmet e egra, kriminale dhe rrugaçërore janë të sinkronizuara, tashmë, jo vetëm nga aktivistët e LVV, por edhe nga PAN-i dhe të tjerë anësorë, me shpifje denigruese të qëllimshme. Vetëm LDK-ja u përmbajt, madje e mori në mbrojtje, bashkë me popullin e Kosovës. Edhe pas gjithë asaj kampanje shpifëse, kundër Vjosë Osmanit, në sondazhet e shumta, rezulton për një përkrahje masive të shqiptarëve.
Janë dy takime të organizuara nga administrata amerikane, me presidentë ballkanikë. Grenell ka për mision krizat. Asnjë relacion Grenel-Vjosa nuk ekziston. Madje, Grenell, së fundit, i quajti “Albinin dhe Vjosën katastrofë”, sepse denoncuan dhe prishën pazaret me miqtë e tij Vuçiq, Thaçi, Rama, për ndarjen e Kosovës.
Është konspiracion pa asnjë bazë, sikur Vjosa është ndikuar nga Edvin Rama, për kundërvënie Kurtit, sepse në atë kohë, kur u takuan në aktivitete ndërkombëtare, Vjosa dhe Albini kishte marrëdhënie të relaksuara dhe ajo priste mbështetjen e Kurtit për mandatin e dytë presidencial.
Roli i presidentes Vjosë Osmani është i mirënjohur për mbrojtjen e Kurtit, në Evropë dhe SHBA. “E shihni këtë zonjë këtu, të ulur para meje? Ajo meriton të gjithë respektin tonë, sepse po lufton dhe punon për mbrojtjen e vendit të saj”, – deklaroi presidenti Trump, para një audience të hapur. Dhe kjo vlente edhe për Kurtin, sepse të dy, Vjosa dhe Albini, po bënin të njëjtën gjë, po luftonin dhe punonin për konsollidimin e shtetit të Kosovës.
Turneu i vizitave të bëra nga Dr. Vjosë Osmani në Evropë, SHBA dhe disa vende të tjera në botë, ishte i suksesshëm. Përshpejtoi heqjen e sanksioneve; u bë zhbllokimi i Fondeve evropiane dhe ndërkombëtare dhe të tjera. Mbi të gjitha imazhi për Kosovën po ndryshonte dukshëm, në kahje pozitive.
Një zyrtar i administratës amerikane, bëri një vizitë në Kosovë, menjëherë pas pezullimit të Dialogut Strategjik me SHBA, me ç`rast akuzoi rëndë kryeministrin Kurti, për mungesë bashkëpunimi dhe koordinimi. Ishte pikërisht Vjosë Osmani, e cila me vizitat e saj amortizoi ndëshkimin e mëtejmë të Kurtit. Vjosa duke mbrojtur Kurtin, tha se “të gjitha vendimet i kemi marrë së bashku, qoftë për shtrirjen e sovranitetit në veri dhe të tjera”. Dhe kjo duhej të mjaftonte për reflektim dhe trajtim dinjitoz të Vjosës. Dhe, mbi të gjitha, ta mbante premtimin e dhënë për nominimin e Vjosës për mandatin e dytë.
Albini ka deklaruar se “Amerika ishte partner i luftës dhe i të shkruarës, por jo i tashmes dhe i së ardhmes”! Ko është blasfemi dhe mosmirënjohje, për çliruesin vendimtar të Kosovës. SHBA kanë memorje, mbamendje të fortë dhe nuk falin lehtë.
Ka shpifje lehaqene, për afera korruptive të Vjosë Osmanit-Sadriu. Dy banesat në kompleksin banesor “Marigona”, janë legjitime. Ajo është nuse preshevare, prindërit e bashkëshortit të saj, Prindon Sadriut, kanë jetuar dhe punuar për gjysmë-shekulli në Australinë e largët. Atje kanë pasuritë dhe shtëpitë e tyre, nga të cilat vjelin qiratë e majme. Dhe e gjithë pasuria e çiftit Osmani-Sadriu, kanë mbulesë faktike financiare.
Dr. Vjosë Osmani përgjatë karrierës të saj politike nuk ka ushtruar poste ministrore dhe as dikastere, ku ka të bëjë me financa, paranë e shtetit.
Vërtet, ka pasur një mundësi abuzimi me postin e presidentes: Nëse do të vepronte si PAN-i me OVL-në e tij, siç bënë me shitjen e dhjetëra-mijëra të “Dëshmive të Veteranit”. Presidentja mund të abuzonte me zbritje dënimesh apo lirime të parakohshme të dënuarve. Por, përgjatë gjithë mandatit 5-vjeçar të saj, ajo ka falur vetëm një grua-nënë, me arsyetimin humanitar.
Përkundrazi, është akuzuar nga opozita, pse nuk ka ushtruar të drejtën e faljes për të burgosurit? Por, Vjosë Osmani është juriste e doktoruar në drejtësi dhe është e bindur se, pothuaj se, gati asnjë dënim i dhënë nuk është në masën që meriton, për arsye të drejtësisë korruptive në Kosovë.
Kujtoj rastin e Gjakovës, kur krimineli, në vijimësi, tmerron me kërcënimin me armë familjen e ish-bashkëshortes. Dhe në fund, e ekzekuton ish-gruan e ndarë, së bashku me vajzën e mitur. Gjykata e shkallës së parë nuk gjeti asnjë rrethanë lehtësuese dhe e dënoi me burg të përjetshëm. Por, Gjykata e shkallës së dytë, paradoksalisht, e ndryshon në 24 vjet burg!?
Me gjithë shpifjet e orkestruara denigruese, sondazhet goxha serioze e vlerësojnë performancen e shkëlyer të presidentes, me përkrahjen solide popullore.
“Aty ku ka propagandë e shpifje, duhet ta mbrojmë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Uroj që të bashkohemi në këtë mision. Rrugët që mbyllën nga padrejtësitë, gjithmonë hapën nga populli”, – deklaron Dr. Vjosë Osmani, në mesazhin e saj domethënës, drejtuar popullit, në përmbylljen e suksesshme dhe brilante të mandatit presidencial.
