Hoti ngre alarmin për buxhetin e vitit 2027: U shkel afati ligjor
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mosmiratimin e projektbuxhetit për vitin 2027 brenda afatit të përcaktuar me ligj.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka rikujtuar se Neni 22 i Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike e obligon Qeverinë që projektbuxhetin për vitin e ardhshëm t'ia dorëzojë Kuvendit të Kosovës jo më vonë se 31 tetori.
Sipas tij, më 1 nëntor projektbuxheti ende nuk ishte miratuar në Qeveri, duke ngritur kështu shqetësimin për mosrespektimin e afatit ligjor.
Hoti ka vënë në pikëpyetje edhe mënyrën se si Kuvendi do ta trajtojë projektbuxhetin në procedurat parlamentare, nëse ai dorëzohet pas afatit të përcaktuar.
Ai ka theksuar se një situatë e tillë nuk ka ndodhur më parë, madje as gjatë periudhave zgjedhore, kur vendi është udhëhequr nga qeveri në detyrë.
Në reagimin e tij, Hoti ka kritikuar edhe qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, duke pretenduar se shkeljet ligjore dhe kushtetuese janë bërë praktikë gjatë viteve të fundit.
Ai ka përmendur vendimet e Gjykatës Kushtetuese për ligje të shpallura antikushtetuese, çështjet e shkarkimit dhe mos-emërimit të zyrtarëve të lartë shtetërorë, si dhe ushtrimin e njëkohshëm të funksioneve të deputetit dhe anëtarit të Qeverisë.
Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar se projektbuxheti për vitin 2027 do të miratohet në mbledhjen e Qeverisë të hënën, më 2 nëntor, dy ditë pas afatit të 31 tetorit. Kjo e ka hapur debatin për respektimin e afateve ligjore dhe procedurën e mëtejshme parlamentare. /Telegrafi/
