Historitë tronditëse të Russell Brand vazhdojnë të marrin vëmendjen e njerëzve – ai gjithashtu thuhet se abuzoi me një qen
Komediani britanik Russell Brand po përballet aktualisht me një gjyq në Mbretërinë e Bashkuar, ku akuzohet për tri raste përdhunimi, tri sulme seksuale dhe një rast sulmi seksual të pahijshëm ndaj gjashtë grave. Veprat për të cilat akuzohet pretendohet se kanë ndodhur nga viti 1999 deri në vitin 2009. Brandi është deklaruar i pafajshëm në gjykatë dhe i ka mohuar të gjitha akuzat.
Akuzat ndaj tij dolën për herë të parë në publik në vitin 2023, kur televizioni britanik Channel 4 transmetoi një episod 90-minutësh të emisionit të tij hulumtues “Dispatches”. Programi trajtonte pretendimet për përdhunim, sulme seksuale dhe abuzim emocional. Dokumentari, i titulluar “Russell Brand: In Plain Sight”, u realizua në bashkëpunim me gazetën The Sunday Times, e cila publikoi raportimin e saj për këtë çështje po atë ditë.
Pak para transmetimit, Brandi publikoi në kanalin e tij në YouTube videon “So, This Is Happening”, përmes së cilës i mohoi paraprakisht të gjitha akuzat. Ai deklaroi se i kundërshtonte “absolutisht” këto “akuza të njëpasnjëshme, të pabesueshme dhe pothuajse baroke”, duke pretenduar se bëhej fjalë për një “sulm të koordinuar” nga mediat.
Brandi pranoi se kishte qenë “shumë, shumë i shthurur” në jetën seksuale, por këmbënguli se marrëdhëniet e tij kishin qenë gjithmonë me pëlqimin e palëve.
“Marrëdhëniet që kam pasur kanë qenë gjithmonë me pëlqim. Në atë kohë isha i hapur për këtë, madje ndoshta edhe më shumë seç duhej, dhe jam po aq i hapur edhe tani”, deklaroi ai.
Pas publikimit të akuzave, publiku nisi të rishqyrtonte episode të ndryshme nga karriera e Brandit, përfshirë edhe rrëfime shqetësuese që vetë ai kishte përfshirë në librat e tij autobiografikë. Në to, komediani kishte përshkruar, ndër të tjera, mënyrat se si përpiqej t'i bindte gratë të kryenin marrëdhënie seksuale me të.
Në librin “My Booky Wook”, të botuar në vitin 2007, ai shkruante: “Në të njëzetat e mia, më pëlqente sfida për të joshur vajza të dëlira dhe për të kërkuar kombinimin e duhur të fjalëve që do të thyenin rezistencën e tyre morale”.
Ai e përshkruante këtë si një “pistë me pengesa”, ndërsa kujtonte edhe një rast me një grua të quajtur Penny, e cila kishte pranuar vetëm të flinte në të njëjtin shtrat me të, por me kokat e tyre në skajet e kundërta.
“Vazhdoja me batuta dhe histori derisa më lejoi të kthehesha nga ana e saj”, shkruante Brandi.
“Përfytyroja skena me fjalë dhe i përgjërohesha derisa më puthi. Gënjeja, kërceja dhe thërrisja shpirtin e Panit derisa ajo, pa dëshirë, hoqi reçipetat. Përdora lotët dhe shantazhin emocional për të siguruar shkatërrimin e të brendshmeve të saj”, vijonte ai.
Në të njëjtin libër, Brandi pranonte se kishte pështyrë në fytyrë një valltareje erotike, pasi, sipas tij, ndihej i detyruar të “hakmerrej” ndaj saj, sepse ajo e kishte goditur me shuplakë pas marrëdhënies seksuale.
Për një tjetër punonjëse të seksit, ai përdori shprehjen “një justifikim i mjerë për një prostitutë”, duke shtuar se ajo kishte pranuar përfundimisht të kryenin marrëdhënie seksuale, por përvoja kishte qenë, sipas përshkrimit të tij, e lodhshme, e vakët, e mërzitshme dhe zhgënjyese, pavarësisht shumës së madhe që kishte paguar.
Brandi zbulonte gjithashtu se ia kishte thyer telefonin asaj, sepse e bezdiste zhurma e vazhdueshme e tij. Ai e cilësonte këtë veprim si “aktin më të keq të mizogjinisë” që kishte kryer që nga episodi kur kishte pështyrë valltaren.
Në librin vijues, “My Booky Wook 2”, Brandi pretendonte se Lesley Douglas, drejtoresha e atëhershme e BBC-së, kishte qenë “jashtëzakonisht tolerante” ndaj sjelljes së tij.
Ai sugjeronte gjithashtu se kishte kryer marrëdhënie seksuale me fituese të konkurseve radiofonike në tualetin e përshtatur për personat me aftësi të kufizuara, brenda studios së radios.
Sipas rrëfimit të tij, fitueset që vinin në studion e Radio 2 ishin të gjitha gra. Ai shkruante se kjo lidhej edhe me një aspekt tjetër të çmimit, të cilin nuk mund ta përmendte shprehimisht për shkak të rregullave të rrepta të BBC-së që ndalonin keqpërdorimin e tualeteve të përshtatura.
Në një pjesë tjetër të librit, Brandi u drejtohej lexuesve me pyetjen: “Çfarë lloj njeriu isha unë? Të sillesha kështu me gratë? Nëse po jua tregoj këtë, a mund ta imagjinoni se çfarë kam lënë pa përmendur?”
Pas publikimit të akuzave, në vëmendje janë rikthyer edhe deklarata të mëhershme të personazheve të njohura për komedianin.
Këngëtarja australiane Dannii Minogue e kishte cilësuar Brandin si një “grabitqar të neveritshëm” që në vitin 2006.
Në një intervistë të vitit 2012, Brandi kishte kapur dhe puthur në buzë gazetaren australiane Liz Hayes para kamerave. Në pamjet e publikuara, gazetarja shihet duke u përpjekur të ruajë profesionalizmin, ndonëse duket e tronditur, ndërsa ai e mban pranë dhe bën shaka se do t'ia zbërthejë reçipetat.
Vëmendje kanë marrë sërish edhe deklaratat e ish-bashkëshortes së tij, këngëtares Katy Perry, e cila në vitin 2013 e kishte përshkruar Brandin si një person “shumë kontrollues” gjatë martesës së tyre.
Në atë kohë, ajo kishte thënë se ndihej shumë përgjegjëse për përfundimin e martesës, por më pas kishte mësuar të vërtetën, të cilën nuk mund ta zbulonte, pasi e ruante si një informacion për raste të vështira në të ardhmen.
Ndërsa gjyqi vazhdon, një tjetër episod i përshkruar nga Brandi në librin e tij të vitit 2007 ka shkaktuar reagime të shumta. Bëhet fjalë për një histori nga fëmijëria e tij, kur ishte rreth 11 vjeç, dhe për qenin e familjes, Topsy.
Në këtë rrëfim, Brandi shpjegonte se “Colin” ishte i dashuri i nënës së tij në atë kohë.
“Kur e morëm Topsy-n, ajo lejohej të flinte në shtratin tim. Por kur erdhi Colin, u vendos një rregull absurd që ajo të mos ngjitej më lart në shtëpi. Me sa duket, brenda meje kishte shumë zemërim dhe urrejtje për këtë, sepse ulesha galiç në krye të shkallëve dhe e joshja të ngjitej: ‘Topsy! Topsy! Topsy!’”, shkruante ai.
Më pas, sipas rrëfimit të tij, kur qeni futej fshehurazi në katin e ndaluar, ai ndryshonte sjellje dhe e godiste me shqelma për ta kthyer poshtë shkallëve. Menjëherë pas kësaj, zbriste edhe vetë, e përqafonte me dhembshuri dhe shtirej sikur ishte i tronditur nga ajo që i kishte ndodhur.
“Pastaj i bashkohesha përsëri poshtë, e përqafoja me dhembshuri dhe pëshpëritja me pendesë: ‘O Krisht! Të kanë hedhur poshtë shkallëve? Kjo është e tmerrshme’”, shkruante ai.
“Është goxha e sëmurë, apo jo?”, përfundonte Brandi rrëfimin. Ai shtonte se shoku i tij, Matt Morgan, kishte thënë se Topsy duhet të ketë menduar se jetonte në një shtëpi me dy binjakë: një të keq që qëndronte në pushimin e shkallëve dhe një të mirë që rrinte në katin përdhes.
Ky pasazh ka shkaktuar tronditje dhe zemërim në rrjetet sociale. Komediani amerikan Patton Oswalt shpërndau një fotografi të tekstit në profilin e tij në Threads, duke komentuar me ironi se ndoshta vetëm për këtë rrëfim Brandi do të duhej të dënohej me burgim të përjetshëm.
Edhe përdoruesit e Reddit-it shprehën indinjatën e tyre. Njëri prej tyre shkroi se bëhej fjalë vetëm për keqtrajtimin që Brandi kishte pranuar vetë dhe për të cilin kishte shkruar duke menduar se ishte diçka qesharake.
Një tjetër komentoi se kishte diçka veçanërisht rrëqethëse në faktin që ai e kishte përfshirë një histori të tillë në librin e tij, sikur të ishte një anekdotë argëtuese.
Një përdorues tjetër shprehu dyshimin se në redaktimin e librit mund të ishin hequr rrëfime të tjera, në mënyrë që historia e Topsy-t të dukej mjaftueshëm e pranueshme për t'u përfshirë në versionin përfundimtar.
Një komentues kujtoi gjithashtu një histori tjetër nga libri i Brandit, autenticiteti i së cilës, sipas artikullit, ishte konfirmuar nga BuzzFeed. Ajo kishte të bënte me një fqinj të moshuar, i cili kujdesej me krenari për lulet e tij. Sipas rrëfimit, pasi fqinji ishte larguar për pak çaste, Brandi kishte shkelur dhe shkatërruar të gjitha lulet pa ndonjë arsye të dukshme.
Kur ishte kthyer jashtë, fqinji kishte mbetur duke i parë lulet e shkatërruara, i tronditur nga ajo që kishte ndodhur.
Ndërsa procesi gjyqësor ndaj Russell Brandit vazhdon, këto rrëfime nga librat e tij kanë rikthyer në qendër të vëmendjes mënyrën se si ai ka përshkruar sjelljen e tij në të kaluarën. Megjithatë, akuzat penale ndaj tij mbeten pretendime që po shqyrtohen nga gjykata, ndërsa komediani i ka mohuar ato dhe është deklaruar i pafajshëm. /Telegrafi/
