Historia e “pushtimit” rus të Rahovecit në gusht 1999 dhe bllokada e shqiptarëve që i zmbrapsi ata
Vetëm pak më tepër se 2 muaj pas përfundimit të luftës, qindra shqiptarë të Kosovës bllokuan rrugët që çonin drejt Rahovecit, duke kundërshtuar vendosjen e trupave paqeruajtëse ruse në këtë zonë.
Me vetura, kamionë dhe traktorë, banorët mbyllën tri rrugët kryesore që qonin në këtë qytezë.
Në mesin e protestuesve shiheshin edhe pankarta me mesazhin “No Russians” – “Jo rusëve”.
Kundërshtimi i tyre lidhej me pretendimet e shqiptarëve se rusët kishin bashkëpunuar me forcat paramilitare serbe gjatë luftës në Kosovë. Rahoveci ishte një komunë që pësoi shumë gjatë kësaj kohe
Përfaqësuesit e Kremlinit mohonin përfshirjen e ushtrisë së tyre, duke thënë se personat eventualisht të angazhuar përkrah serbëve kishin qenë mercenarë.
Situatën e ndiqnin nga afër paqeruajtësit holandezë të KFOR-it, të cilët, nga 12 qershori e deri në gusht të këtij viti, ishin angazhuar për sigurinë në Rahovec.
“Nuk e di saktësisht se çfarë po ndodh në këtë moment. Ajo që dimë është se ata kanë bllokuar disa rrugë në zonë. Na kanë thënë se duan t’i mbajnë rusët jashtë. Kanë krijuar një lloj komiteti për organizimin e bllokadave. Erdhën të flisnin me ne mbrëmë”, pati thënë për agjencinë AP, Ton Van Loon, komandan i trupave të NATO-s në Rahovec, transmeton KosovaPress.
Në fakt, rusët iu përgjigjën shqiptarëve me një bllokadë tjetër. Ata ngritën një pikë penguese jashtë Rahovecit. Tanke dhe ushtarë rusë u vendosën në rrugë, duke pamundësuar kalimin, madje edhe të punonjësve humanitarë.
Një ekip i organizatës që merrej me rindërtimin e shtëpive të shkatërruara gjatë luftës – ADRA, mbeti i bllokuar gjatë përpjekjes për të hyrë në qytet.
“Po, ka një bllokadë dhe ekipi ynë përbëhet nga punonjës humanitarë. Ata janë ndaluar në këtë pikë dhe situata duket pak e rrezikshme dhe e panevojshme”, kishte deklaruar Poul Duahunty, drejtor operacional i ADRA-s
Punonjësit humanitarë tentuan të bindnin ushtarët rusë që t’i lejonin të kalonin, por pa sukses.
Pamjet e gushtit 1999 dokumentojnë një nga kundërshtimet më të fuqishme ndaj pranisë së trupave ruse në zonat e banuara me shumicë shqiptare. Përplasja në Rahovec tregonte se, edhe pas përfundimit të luftës dhe vendosjes së forcave ndërkombëtare, roli i ushtarëve të Moskës në misionin paqeruajtës vazhdonte të shkaktonte kundërshtime të forta.
Një numër i madh i ushtarëve rusë ishin vendosur qysh më 11 qershor në Aeroportin e Prishtinës. Prania e tyre këtu, pa një pëlqim paraprak me NATO-n kishte ngritur tensionet mes dy palëve.
Komandanti i parë i KFOR-it gjenerali britanik Majkëll Xhekson pati thënë se këtu gati kishte nisur Lufta III Botërore dhe se ai e kishte penguar këtë gjë, duke mos u përfshirë në konflikt me rusët që kishin uzurpuar aeroportin para se në të të futej NATO.
