OPINIONTË FUNDIT

Haskuka: Askujt para nesh nuk i ra ndërmend për nënat e fëmijët por punonin vetëm për oligarkët dhe familjarët!

Në një tubim me gra dhe vajza të organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra në Prizren, morën pjesë ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, si dhe kandidatët për deputetë Mytaher Haskuka, Arbër Rexhaj dhe Nora Arapi Krasniqi.

Gjatë fjalimit të tij, kandidati për deputet nga lista e LVV-së me numrin 50, Mytaher Haskuka, kritikoi ashpër opozitën, duke kujtuar se vitin e kaluar ajo bllokoi Kuvendin duke pretenduar se Albulena Haxhiu “nuk bën të bëhet kryeparlamentare”.

“Tash çka ndodhi? Albulena u bë Presidente”, deklaroi Haskuka, duke theksuar se pas zgjedhjeve të 7 qershorit, qytetarët do t’i japin “përgjigjen e duhur” kësaj opozite që, sipas tij, mundohet me çdo kusht ta bllokojë zhvillimin e Kosovës.

Ai akuzoi opozitën se problemi i saj më i madh nuk ka qenë kurrë interesi i qytetarëve, por zhvillimi i oligarkëve, klikave dhe familjeve të tyre. “Po ta kishin për interesin e qytetarëve, do ta kishin zgjedhur njërin nga shumë opsionet që ua kemi ofruar për presidente”, tha Haskuka.

Sipas tij, opozita nuk e deshi këtë sepse qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti nuk punon për interesat e tyre, por për interesat e qytetarëve. Këtë, theksoi ai, gratë e dinë më së miri: para ardhjes së qeverisë Kurti, askujt nuk i kishte rënë ndërmend t’u jepte diçka fëmijëve, nënave lehonë, pensionistëve, apo të rriste pagat, ndërsa tash këto masa janë bërë për herë të parë dhe po rriten vazhdimisht.

Në fund, Haskuka falënderoi gratë dhe vajzat për pjesëmarrjen dhe mbështetjen, duke u kërkuar atyre që ashtu siç iu përgjigjën opozitës më 28 dhjetor, t’i japin përgjigjen e duhur dhe më të fortë edhe më 7 qershor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *