Hakerët zbulojnë humbjet e rusëve: Rreth 720 mijë ushtarë të vrarë në luftën e Putinit
Mbi 700 mijë ushtarë rusë të vrarë në Ukrainë, hakerët ndihmojnë në zbulimin e kostos reale të luftës së Putinit.
Më shumë se 700 mijë ushtarë rusë mund të jenë vrarë gjatë luftës në Ukrainë, sipas një hulumtimi të publikuar nga mediat ruse të pavarura Meduza dhe Mediazona, të cilat kanë analizuar të dhëna të rrjedhura nga shërbimi shtetëror i statistikave në Rusi.
Sipas analizës, deri në fund të shtatorit 2026, në regjistrat zyrtarë rusë ishin evidentuar të paktën 490 mijë vdekje të ushtarëve. Megjithatë, kjo shifër nuk pasqyron numrin e plotë të viktimave, pasi shumë raste nuk janë regjistruar ende, ndërsa një numër i konsiderueshëm ushtarësh vazhdojnë të figurojnë si të zhdukur, shkruan lemonde .
Duke përfshirë rastet e paregjistruara dhe ushtarët për të cilët nuk ka ende konfirmim zyrtar të vdekjes, gazetarët vlerësojnë se numri real mund të jetë rreth 720 mijë të vrarë.
Pjesë e rëndësishme e hulumtimit ishte edhe verifikimi i të dhënave për më shumë se 160 mijë ushtarë rusë të raportuar si të zhdukur. Sipas analizës, më pak se 10 për qind e tyre janë gjetur të gjallë.
Të dhënat e rrjedhura, të cilat u analizuan nga gazetarët, kanë ndihmuar në krijimin e një pasqyre më të qartë për humbjet njerëzore të Rusisë në luftën kundër Ukrainës.
Autoritetet ruse vazhdojnë të mos publikojnë një bilanc të plotë të ushtarëve të vrarë, duke e bërë të vështirë përcaktimin e saktë të kostos njerëzore të pushtimit. /Telegrafi/
