Hakerët publikojnë pamje të Lusisë lakuriq në GTA 6, kërcënojnë se do ta zbulojnë të gjithë video-lojën
Një person ose grup që përdor emrin Cyberleek ka publikuar pamje të pretenduara nga video-loja e shumëpritur GTA 6, përfshirë një skenë ku personazhi kryesor, Lucia Caminos, shfaqet lakuriq në rrugët e Vice City.
Krahas publikimit të këtyre pamjeve, hakeri ka kërcënuar se do ta zbulojë të gjithë video-lojën, përfshirë historinë e saj, nëse kompania Rockstar Games dhe botuesi Take-Two Interactive nuk i plotësojnë kërkesat e tij.
Sipas raportimeve, kërkesat përfshijnë ndryshimin e vendimit për shpërndarjen e video-lojës vetëm në format digjital, duke mundësuar edhe blerjen e saj në disqe fizike, si dhe një kërkimfalje publike ndaj lojtarëve.
Megjithatë, rasti duket se ka edhe një prapavijë financiare. Personi që qëndron pas kërcënimeve po promovon një kriptomonedhë të quajtur Cyberleek, ndërsa në materialet e publikuara shfaqen shenja identifikuese dhe kode QR që çojnë drejt saj.
Hakeri pretendon se do ta publikojë të gjithë lojën nëse vlera e kësaj kriptomonedhe arrin 30 milionë dollarë.
Pamjet e publikuara kanë nxitur reagime dhe diskutime në komunitetin e lojërave. Përveç skenës me Lucian, në to pretendohet se shfaqen edhe elemente të tjera të lojës, përfshirë vozitjen e veturave, përleshjet dhe aktivitete të ndryshme.
Megjithatë, autenticiteti i materialeve mbetet i paqartë. Disa përdorues dyshojnë se ato mund të jenë marrë nga një version i hershëm i lojës, ndërsa të tjerë besojnë se mund të jenë të falsifikuara ose të modifikuara për të tërhequr vëmendje dhe për të rritur vlerën e kriptomonedhës.
Deri më tani, pretendimet se hakeri posedon të gjithë lojën nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur, ndërsa Rockstar Games nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj kërcënimit të fundit.
GTA 6 është një nga lojërat më të pritura të viteve të fundit. Publikimi i saj zyrtar është planifikuar për 19 nëntor 2026. /Telegrafi/
