TË FUNDIT

Hakerët godasin ministrin italian, të dhënat e tij përfundojnë në ‘dark web’ – reagon Meloni

Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, ka deklaruar se është shënjestruar nga hakerët për shkak të mbështetjes së vendit të tij ndaj Ukrainës.

Tajani tha se “kriminelë kibernetikë” kanë shpërndarë të dhënat e tij personale në dark web gjatë disa ditëve të fundit.

Sipas tij, hakerët po kërkojnë informacione shtesë, duke e ekspozuar atë ndaj kërcënimeve dhe frikësimeve të reja.

Tajani njoftoi se objektiv i sulmit është bërë edhe familja e tij.

“Qëndrimi ynë ndaj Ukrainës është arsyeja politike pse jam shënjestruar. Për këto organizata kriminale, mbrojtja e lirisë së një shteti sovran dhe mbështetja e qartë për demokracinë dhe pavarësinë e një vendi konsiderohet e rrezikshme”, ka deklaruar ai.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, i ka dalë në mbështetje Tajanit, duke e cilësuar si shqetësuese shitjen dhe publikimin e informacioneve konfidenciale që lidhen me zyrtarë publikë.

“Shitja e informacioneve konfidenciale për zyrtarët publikë është një çështje që shkakton shqetësim të madh dhe duhet trajtuar me vendosmërinë më të madhe”, deklaroi Meloni.

Rasti vjen në kohën kur edhe kompania që menaxhon projektin e tunelit hekurudhor Brenner Base Tunnel ka konfirmuar se është goditur nga një sulm kibernetik gjatë javëve të fundit.

Bëhet fjalë për një projekt hekurudhor rreth 55 kilometra të gjatë, që lidh Innsbruckun në Austri me Fortezzan në Itali.

Kompania BBT SE njoftoi se sulmi kishte ndodhur më 17 tetor dhe se menjëherë pas zbulimit të tij ishin aktivizuar protokollet e sigurisë kibernetike.

Sipas kompanisë, sistemet e prekura janë izoluar menjëherë, ndërsa në hetimin e incidentit janë përfshirë edhe specialistë të jashtëm të sigurisë kibernetike.

Raportohet se gjatë sulmit janë vjedhur të dhëna jo publike, pasi hakerët kishin arritur të hynin në rrjetin e kompanisë të lidhur me internetin.

Gazeta “Tiroler Tageszeitung”, e cila raportoi fillimisht për sulmin, shkroi se hetimet paraprake dyshojnë për përfshirjen e një grupi pro-rus të hakerëve të njohur si “Everest”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *