TË FUNDIT

Guvernatori Ismaili në BQE: Forcimi i dialogut për qëndrueshmërinë ekonomike dhe të ardhmen e pagesave evropiane

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka marrë pjesë në Seminarin e Këshillit të Përgjithshëm me bankat qendrore të vendeve kandidate dhe potencialisht kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të mbajtur në Bankën Qendrore Evropiane (BQE) në Frankfurt.

Ismaili, i shoqëruar nga zëvendësguvernatori Dardan Fusha, ka diskutuar me përfaqësues të lartë të BQE-së dhe guvernatorë të bankave qendrore për zhvillimet ekonomike e financiare, lidhjet me BE-në dhe sfidat në sistemet evropiane të pagesave.

Gjatë diskutimeve, guvernatori i BQK-së ka bërë të ditur se Kosova ka shënuar rritje reale të Bruto Produktit Vendor (BPV) prej 4.6 për qind në gjysmën e parë të vitit 2026, ndërsa borxhi publik ka mbetur në nivelin prej 16.1 për qind të BPV-së.

Sipas të dhënave të prezantuara nga Ismaili, sektori financiar i Kosovës ka ruajtur qëndrueshmërinë, me kreditë joperformuese në nivelin prej rreth dy për qind dhe me tregues të kapitalit e likuiditetit dukshëm mbi kërkesat rregullatore.

Në seminar, i cili u kryesua nga zëvendëspresidenti i BQE-së, Boris Vujčić, me pjesëmarrjen e anëtarit të Bordit Ekzekutiv të këtij institucioni, Piero Cipollone, Ismaili ka kontribuar në dy diskutime të nivelit të lartë.

Diskutimi i parë u përqendrua në lidhjet ekonomike dhe financiare ndërmjet vendeve kandidate dhe potencialisht kandidate me Bashkimin Evropian dhe eurozonën, si dhe në ndikimin e zhvillimeve të jashtme në ekonomitë vendore.

Me këtë rast, guvernatori ka theksuar lidhjet e ngushta tregtare dhe financiare të Kosovës me BE-në, duke prezantuar edhe disa të dhëna për shkëmbimet ekonomike.

Sipas tij, rreth 34 për qind e eksporteve të mallrave të Kosovës destinohen në Bashkimin Evropian, ndërsa 43 për qind e importeve vijnë nga vendet e BE-së. Po ashtu, eksportet e shërbimeve drejt këtij tregu arrijnë në 23.6 për qind të BPV-së.

Ismaili ka bërë të ditur se remitancat përbëjnë 12.8 për qind të BPV-së, ndërsa rreth 60 për qind e tyre vijnë nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Ai ka theksuar se, si ekonomi e vogël, e hapur dhe plotësisht e euroizuar, Kosova përfiton nga përdorimi i euros dhe mungesa e rrezikut valutor në transaksionet në këtë valutë, por njëkohësisht mbetet e ekspozuar ndaj zhvillimeve ekonomike në eurozonë.

Në këtë kontekst, Ismaili ka vënë në pah rëndësinë e politikave të shëndosha makrofinanciare, rezervave të mjaftueshme mbrojtëse dhe ruajtjes së stabilitetit të sistemit financiar.

“Për Kosovën, integrimi më i thellë me BE-në është një rrugë drejt konvergjencës, si dhe një burim qëndrueshmërie, konkurrence dhe mirëqenieje afatgjatë”, ka deklaruar Ismaili.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve i është kushtuar edhe zhvillimeve në sistemet evropiane të pagesave, ku guvernatori i BQK-së ka prezantuar përparimin e Kosovës drejt përfshirjes në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA).

Sipas njoftimit të BQK-së, Ismaili ka bërë të ditur se Kosova ka dorëzuar aplikimin formal më 6 nëntor 2026 për përfshirje në shtrirjen gjeografike të SEPA-s, ndërsa BQK-ja dhe sektori financiar po përgatiten për fazat e mëtejshme të këtij procesi.

Ai ka theksuar se përafrimi me standardet evropiane të pagesave mund të sjellë përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset, veçanërisht përmes transaksioneve në euro që kryhen më shpejt, me më shumë siguri dhe me kosto më të ulët.

Në këtë drejtim, Ismaili ka prezantuar edhe fillimin e zbatimit të TIPS Clone, një nismë rajonale për pagesat e shpejta, e zhvilluar dhe operuar nga Banka Qendrore e Italisë, e cila mbështetet në të njëjtën teknologji si shërbimi TIPS i Eurosistemit.

Gjatë diskutimit me anëtarin e Bordit Ekzekutiv të BQE-së, Piero Cipollone, është trajtuar edhe euroja digjitale, si dhe nismat Pontes dhe Appia, që lidhen me përdorimin e parasë së bankës qendrore për transaksione ndërmjet institucioneve financiare.

Ismaili ka shprehur interesimin e BQK-së për të përcjellë nga afër këto zhvillime dhe për të vazhduar dialogun me Bankën Qendrore Evropiane, në mënyrë që institucionet financiare të Kosovës të jenë të përgatitura për ndryshimet e mundshme në sistemet evropiane të pagesave.

Sipas BQK-së, seminari krijoi mundësi për shkëmbim profesional ndërmjet bankave qendrore të vendeve kandidate dhe potencialisht kandidate për anëtarësim në BE dhe përfaqësuesve të institucioneve evropiane.

Në njoftim është sqaruar se seminari kishte karakter konsultativ dhe nuk ishte pjesë e proceseve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, adoptimit të euros apo vendimmarrjes për integrimin institucional.

BQK-ja ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin me bankat qendrore dhe institucionet evropiane, me synim ruajtjen e stabilitetit financiar, modernizimin e infrastrukturës financiare dhe përafrimin e mëtejshëm të sektorit financiar të Kosovës me standardet evropiane

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *