Grimi me efekt kashmiri: Trendi elegant i vjeshtës që frymëzohet nga moda
Nuancat neutrale, ngjyrat e ngrohta dhe teksturat e kadifenjta krijojnë një pamje natyrale, të sofistikuar dhe plot hijeshi
Vjeshta është një nga stinët më të dashura për adhurueset e grimit. Me ardhjen e saj rikthehen nuancat e ngrohta, ngjyrat e tokës dhe kombinimet elegante që pasqyrojnë atmosferën karakteristike të kësaj periudhe.
Çdo vit, tendencat e bukurisë gjejnë frymëzim te gjithçka që lidhet me vjeshtën, nga pijet aromatike me kungull e erëza deri te gjethet e arta që mbulojnë rrugët.
Mirëpo, këtë sezon frymëzimi nuk vjen nga ushqimet apo peizazhet vjeshtore, por drejtpërdrejt nga bota e modës .
Veshjet prej kashmiri, të njohura për butësinë, ngrohtësinë dhe elegancën e tyre, kanë ndikuar në krijimin e një prej tendencave më të veçanta të grimit për vjeshtën 2026.
Çfarë është “cashmere makeup”?
Vetë emri i kësaj tendence të zgjon ndjesinë e rehatisë dhe luksit të përmbajtur. Ai të kujton pulovrat e buta prej kashmiri, ngjyrat e qeta dhe atmosferën e ngrohtë të ditëve të freskëta.
Pikërisht kjo ndjesi është shndërruar në frymëzim për grimin e njohur si “cashmere makeup” , ose grimi me efekt kashmiri.
Kjo tendencë karakterizohet nga nuancat bezhë, kafe dhe gri-kafe , të cilat pasqyrojnë paletën natyrale të vjeshtës.
Megjithatë, sekreti nuk qëndron vetëm te ngjyrat. Një rol po aq të rëndësishëm luajnë edhe teksturat e produkteve kozmetike.
Ato duhet të jenë të buta, të kadifenjta dhe të përhapen lehtësisht mbi lëkurë, duke krijuar një pamje të njëtrajtshme, pa shkëlqim të tepruar dhe pa shtresa të rënda grimi.
Qëllimi është që fytyra të duket e freskët, e ngrohtë dhe natyrale, me një përfundim delikat që të kujton butësinë e kashmirit, shkruan ELLE France .
View this post on Instagram A post shared by 마리아 모델 (@marii.a_me)
Cilat ngjyra duhet të zgjidhni?
Për të krijuar këtë pamje, zgjedhja më e mirë janë produktet në ngjyra neutrale, me tone të ngrohta ose të ekuilibruara.
Për mollëzat mund të përdorni një skuqës me nuancë të butë kafe, ndërsa për sytë hijet gri-kafe janë zgjedhje ideale për të krijuar thellësi pa e rënduar pamjen.
Buzët mund t'i theksoni me një laps ngjyrë kafe dhe t'i plotësoni me shkëlqyes në nuancën latte , një ngjyrë bezhë-kafe që të kujton kafenë me qumësht.
Nëse nuk jeni të sigurta se cilat ngjyra ju përshtaten, mjafton të frymëzoheni nga garderoba juaj vjeshtore: pulovrat prej kashmiri, palltot bezhë, shallet në ngjyrë çokollate dhe veshjet në tone neutrale.
Bukuria e këtij trendi qëndron te thjeshtësia. Nuk kërkon ngjyra të forta apo teknika të ndërlikuara, por kombinimin e kujdesshëm të nuancave dhe teksturave që nxjerrin në pah bukurinë natyrale.
Rezultati është një grim i sofistikuar, i përshtatshëm si për përditshmëri, ashtu edhe për mbrëmje, që sjell në fytyrë të njëjtën ndjesi elegance dhe rehatie që ofron një veshje prej kashmiri.
