TË FUNDIT

Granit Shala paralajmëron spektakël në Dusseldorf: Kristinsson ende nuk ka ngrënë grusht shqiptari

Boksieri shqiptar, Granit Shala, ka paralajmëruar një përballje të fortë ndaj kundërshtarit të tij, Kristinsson, e cila do të zhvillohet më 28 nëntor në Dusseldorf të Gjermanisë.

Përmes një videoje të publikuar në rrjetin social Instagram, Shala u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që të jenë të pranishëm në këtë mbrëmje boksi, duke kërkuar mbështetjen e tyre për të krijuar një atmosferë të veçantë në Ditën e Flamurit.

Ai është shprehur se ndodhet në formën më të mirë të karrierës së tij dhe se është shumë i motivuar për këtë sfidë, pavarësisht se përballë do të ketë një kundërshtar me bilanc të paprekur prej 20 fitoresh, 14 prej tyre me nokaut.

Në deklaratën e tij, Shala nuk e fshehu besimin në triumf, duke dërguar edhe një mesazh për kundërshtarin e radhës.

View this post on Instagram A post shared by Granit Shala (@granitshala.1)

“Përshëndetje miqtë e mi, unë jam Granit Shala. Meçin e radhës e kam në Dusseldorf, më 28.11. Ju pres të gjithë shqiptarëve të vini kuqezi dhe të bëjmë një festë fantastike në Ditën e Flamurit, për t’i treguar botës se kush jemi ne dhe çfarë dimë të bëjmë”.

“Jam i motivuar dhe në formën e jetës sime. Shpresoj të kemi një meç shumë të fortë. Kundërshtarin e kam shumë të fortë, me asnjë humbje, 20 fitore dhe 14 nokaut, por ai ende nuk ka ngrënë grusht shqiptari kuqezi. Do t’i tregoj se çfarë nate do të jetë kjo”.

“Kemi për të krijuar një atmosferë fantastike në stadium. Let's go, shqiptarët e mi! Ta kallim krejt dhe t'i tregojmë botës kush jemi ne shqiptarët”, deklaroi Shala.

Përballja e 28 nëntorit pritet të ketë edhe një dimension të veçantë për shkak të datës simbolike, me Shalën që synon ta shndërrojë këtë mbrëmje në një festë të madhe kuqezi në Dusseldorf. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *