TË FUNDIT

Grand Theft Auto 6 thyen rekordet – kishte një debutim marramendës prej 3,79 miliardë dollarësh

"Grand Theft Auto VI" hyri në histori këtë javë me një shifër marramendëse prej 3,79 miliardë dollarësh (3.46 miliardë euro) në shitje gjatë 24 orëve të para, duke tejkaluar të ardhurat totale të filmave të mëdhenj të Hollivudit dhe duke u bërë lansimi më i madh në industrinë e argëtimit në histori, sipas zhvilluesit Rockstar Games.

Shitjet e vlerësuara në shkallë globale bazohen në të dhënat e kompanisë deri në fund të datës 19 nëntor, kur u publikua loja e shumëpritur.

Rockstar bëri të ditur gjithashtu se loja kishte regjistruar 32,5 milionë njësi të shitura para publikimit të saj zyrtar, një rekord në të gjitha platformat.

Këto shitje rekord e lanë shumë pas debutimin e paraardhëses së saj, "Grand Theft Auto V", e cila gjeneroi rreth 800 milionë dollarë në 24 orët e para pas lansimit në vitin 2013, sipas agjencisë Reuters, përcjell Telegrafi.

Shifra totale e ditës së parë për "GTA VI" ishte pothuajse pesë herë më e lartë, çka dëshmon pritshmërinë e jashtëzakonshme që shoqëroi këtë kapitull më të ri të serisë së famshme.

Themeluesi dhe presidenti i Rockstar Games, Sam Houser, e përshëndeti këtë lansim, duke e cilësuar atë si një kapitull të ri për studion.

"Jemi thellësisht të prekur nga reagimi i lojtarëve në mbarë botën dhe jemi jashtëzakonisht të entuziazmuar që e ndajmë këtë moment me ju", tha Houser në një deklaratë.

Shitjet e raportuara për "GTA VI" tejkaluan gjithashtu të ardhurat totale globale nga biletat e kinemasë për filmin "Avengers: Endgame", i cili fitoi përafërsisht 2,94 miliardë dollarë.

Edhe pse të ardhurat totale të një filmi gjatë gjithë kohës së shfaqjes në kinema dhe shitjet e një video-loje në ditën e parë janë tregues të ndryshëm financiarë, ky krahasim nxjerr në pah përmasat e mëdha tregtare që arrijnë lansimet e video-lojërave moderne.

Ky publikim madhështor vjen më shumë se 13 vjet pas lançimit të "Grand Theft Auto V", i cili debutoi në shtator të vitit 2013 dhe që prej asaj kohe ka shitur pothuajse 235 milionë njësi, sipas Rockstar.

Loja ka marrë gjithashtu vlerësime të shkëlqyera nga kritikët, duke arritur një rezultat prej 99 pikësh në faqen e specializuar për grumbullimin e vlerësimeve, Metacritic. / Telegrafi /

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *