Goditet organizata kriminale shqiptare në Itali, trafikoi 240 kilogramë kokainë dhe transferoi 14 milionë euro drejt Shqipërisë
Një organizatë kriminale e përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, e dyshuar për trafik ndërkombëtar të drogës dhe pastrim parash në disa shtete evropiane, është goditur nga autoritetet italiane në kuadër të një operacioni të madh antimafia.
Hetimet kanë zbuluar një rrjet që dyshohet se trafikonte kokainë mes Shqipërisë, Italisë, Holandës dhe Gjermanisë, ndërsa miliona euro nga aktiviteti kriminal dërgoheshin drejt Shqipërisë.
Sipas mediumit italian Il Giorno , operacioni i koduar “Caveau 38” është zhvilluar nga Guardia di Finanza në Lecco, nën drejtimin e Drejtorisë së Antimafias në Milano dhe në bashkëpunim me hetuesit e SPAK-ut në Tiranë.
Nga hetimet dyshohet se gjatë periudhës 2019–2022, organizata ka trafikuar rreth 240 kilogramë kokainë nga Shqipëria drejt Italisë, ndërsa mbi 14 milionë euro të ardhura nga aktiviteti kriminal janë mbledhur dhe transferuar në drejtim të Shqipërisë.
Autoritetet kanë identifikuar gjithsej 52 persona nën hetim, ndërsa gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë gjashtë persona.
Po ashtu, janë sekuestruar mbi 1.5 milion euro para të gatshme dhe rreth 32 kilogramë lëndë narkotike, përfshirë kokainë, heroinë dhe marihuanë, transmeton Telegrafi.
Një prej elementeve kryesore të skemës së dyshuar ishte pastrimi i parave përmes blerjes së arit.
Sipas hetuesve, organizata kishte siguruar afro tetë kilogramë lingota ari përmes një kompanie që merrej me përpunimin e metaleve të çmuara dhe që kishte seli në Milano dhe Alessandria.
Një tjetër kompani në zonën e Lecco-s dyshohet se përdorej si kasafortë financiare e grupit kriminal, përmes investimeve në pasuri të paluajtshme. Të dyja kompanitë janë vendosur nën sekuestro preventive, ndërsa për to është caktuar administrator gjyqësor për të garantuar vazhdimësinë e aktivitetit të ligjshëm.
Hetuesit kanë zbuluar se anëtarët e organizatës përdornin aplikacione të enkriptuara për të koordinuar transaksionet e drogës dhe transferimin e parave. Transporti i lëndëve narkotike dhe i shumave të mëdha të parave bëhej në automjete dhe kamionë të përshtatur me hapësira të fshehta.
Hetimet nisën pas kontrolleve të Guardia di Finanza-s për shitjen e drogës në hapësirat publike të Cernusco Lombardone dhe Merate, por më pas u zgjeruan duke zbuluar një rrjet ndërkombëtar të trafikimit dhe pastrimit të parave.
Në operacion kanë marrë pjesë edhe hetuesit e SPAK-ut, institucioni shqiptar që merret me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Bashkëpunimi mes autoriteteve italiane dhe shqiptare ka mundësuar rindërtimin e rrjedhës së drogës dhe të parave ndërmjet katër shteteve.
Rasti përbën një tjetër hetim të madh ndërkombëtar ku në fokus janë shtetas shqiptarë të dyshuar për përfshirje në trafikun e narkotikëve dhe pastrimin e fitimeve kriminale në disa vende evropiane. /Telegrafi/
