TË FUNDIT

Gjykata cakton 30 ditë paraburgim për dy të dyshuarit në rastin “MALI”, u sekuestruan 53.2 kilogramë marihuanë

Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar caktimin e një muaji paraburgim ndaj dy personave të dyshuar për trafikim të narkotikëve, pasi Policia ka sekuestruar 53.2 kilogramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

Sipas komunikatës së Prokurorisë, ndaj të dyshuarve me inicialet B.A. dhe S.H. është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit prej 30 ditësh për veprat penale që lidhen me organizimin, drejtimin ose financimin e trafikimit të narkotikëve, si dhe blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të tyre.

Sipas dyshimeve të bazuara të Prokurorisë, gjatë periudhës nga shtatori i vitit 2026 deri më 16 tetor, të dyshuarit, duke vepruar në bashkëpunim, dyshohet se kanë organizuar, blerë, shitur, shpërndarë dhe transportuar marihuanë, me qëllim të përfitimit financiar. Aktiviteti i dyshuar, sipas Prokurorisë, shtrihej në territorin e Kosovës, Shqipërisë dhe Serbisë.

Rasti është zbuluar më 16 tetor, gjatë një kontrolli të realizuar nga Policia e Kosovës në fshatin Velekincë të Komunës së Gjilanit. Në pronën e të dyshuarit B.A., brenda veturës së tij, janë gjetur dhe sekuestruar dhjetë pako me substancë të dyshuar narkotike, me peshë të përgjithshme prej 53.2 kilogramësh.

Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet lidhur me këtë rast janë zhvilluar për veprat penale të përcaktuara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *