TË FUNDIT

Gjermania synon t’i japë fund pritjeve të gjata te mjekët, CSU kërkon ndryshimin e sistemit të termineve

Një propozim i ri në Gjermani synon të ndryshojë mënyrën e caktimit të termineve te mjekët specialistë, duke mos lejuar që pacientët të përzgjidhen në bazë të llojit të sigurimit shëndetësor.

Kreu i grupit parlamentar të CSU-së në parlamentin e Bavarisë, Klaus Holetschek, ka propozuar që platformat online për caktimin e termineve të mos i pyesin më pacientët nëse janë të siguruar përmes sistemit publik apo atij privat.

Sipas tij, aktualisht ekzistojnë dallime në kohën e pritjes për një termin te specialistët, ku personat me sigurim privat shpesh përfitojnë qasje më të shpejtë sesa ata me sigurim shëndetësor publik.

Holetschek paralajmëron se masat e kursimit të miratuara nga qeveria mund ta përkeqësojnë edhe më shumë këtë situatë nga viti 2027, shkruan Bild , transmeton Telegrafi.

Ai kërkon gjithashtu reforma në organizimin e shërbimeve shëndetësore, përfshirë një rol më të madh të mjekëve familjarë në orientimin e pacientëve dhe një garanci për sigurimin e termineve te specialistët. Në rast se kjo nuk realizohet në ordinancat ambulatore, ai propozon që pacientët të mund të trajtohen në spitale.

Edhe politikani i SPD-së, Christos Pantazis, ka kërkuar masa konkrete për të garantuar qasje më të barabartë në shërbimet shëndetësore. Ai propozon që pacientët të marrin termin te specialisti brenda tri javësh, ndërsa rastet urgjente të trajtohen edhe më shpejt.

Sipas tij, përparësia në caktimin e termineve duhet të përcaktohet nga urgjenca mjekësore dhe jo nga lloji i sigurimit shëndetësor. Nëse një ordinancë nuk mund ta përmbushë këtë afat, trajtimi duhet të mundësohet në një ambulancë spitalore të përshtatshme.

Ndërkohë, në fund të vitit pritet që një komision ekspertësh të paraqesë propozime për një reformë të gjerë të sistemit shëndetësor gjerman, ku pritet të shqyrtohet edhe mënyra e caktimit të termineve te mjekët specialistë ./Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *