TË FUNDIT

Gjermania përfshihet nga grevat 24-orëshe, ndalen fabrikat e BMW-së dhe Audi-t

BERLIN – Sindikata gjermane IG Metall ka përshkallëzuar presionin ndaj punëdhënësve përmes një vale grevash paralajmëruese 24-orëshe, pas ngecjes së negociatave për marrëveshjen kolektive në industrinë metalurgjike dhe elektrike.

Mijëra punonjës në kompani të ndryshme në pothuajse të gjithë territorin e Gjermanisë janë thirrur të ndërpresin punën këtë të premte. Në mesin e ndërmarrjeve të prekura janë kantieret detare në veri të vendit, kompanitë furnizuese në Baden-Württemberg, si dhe fabrikat e automobilave BMW dhe Audi në Bavari.

Në disa kompani, grevat paralajmëruese kanë nisur që të enjten, ndërsa aksione të tjera sindikale janë paralajmëruar edhe për fillimin e javës së ardhshme.

Kjo është hera e parë pas tetë vitesh që IG Metall organizon greva 24-orëshe. Ndryshe nga ndërprerjet e shkurtra të punës, në këto raste sindikata u paguan anëtarëve të saj kompensim për ditët e grevës.

Punëdhënësit paralajmërojnë pasoja ekonomike

Organizatat e punëdhënësve kanë reaguar ashpër ndaj grevave, duke paralajmëruar për dëme të konsiderueshme ekonomike në një periudhë kur industria gjermane po përballet me vështirësi të mëdha.

Sipas tyre, ndërprerjet e prodhimit mund të rrezikojnë vende pune dhe madje edhe funksionimin e lokacioneve të tëra industriale.

Në nivel kombëtar, rreth 3.7 milionë punonjës janë të përfshirë në marrëveshjet kolektive të kësaj industrie, e cila përfshin sektorë kyç të ekonomisë gjermane, si automobilizmi, makineria, industria elektrike dhe përpunimi i metaleve.

Sindikatat kërkojnë rritje pagash prej 5 për qind

Shkaku kryesor i përshkallëzimit të konfliktit është mungesa e progresit në negociata. Raundi i tretë i bisedimeve nuk solli përafrim të qëndrimeve mes sindikatës dhe punëdhënësve.

IG Metall kërkon rritje të pagave prej 5 për qind për punonjësit, me një marrëveshje që do të kishte vlefshmëri prej 12 muajsh.

Nga ana tjetër, punëdhënësit kanë propozuar një pagesë të njëhershme gjatë vitit të ardhshëm, në kuadër të një marrëveshjeje 26-mujore. Sipas propozimit të tyre, rritja graduale e pagave prej 1.3 për qind do të fillonte në vitin 2028.

Në tryezën e negociatave janë edhe mundësitë për përjashtime të përkohshme nga marrëveshja kolektive, me qëllim lehtësimin e investimeve dhe ruajtjen e vendeve të punës.

Punëdhënësit e arsyetojnë ofertën e tyre, e cila është nën normën e përgjithshme të inflacionit, me kostot e larta të operimit dhe humbjen e qindra mijëra vendeve të punës në industri.

Ata paralajmërojnë se ky trend mund të vazhdojë nëse kushtet ekonomike dhe të prodhimit nuk përmirësohen.(INA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *