Gërvalla: Komisioni për Legjislacion miratoi Byronë Shtetërore dhe pesë ligjet e Pakos së Reformës në Drejtësi
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka njoftuar se Komisioni për Legjislacion ka miratuar Projektligjin për Byronë Shtetërore, së bashku me pesë projektligjet e Pakos së Reformës në Drejtësi.
Gërvalla ka thënë se gjashtë projektligjet përfshijnë fusha që lidhen drejtpërdrejt me funksionimin dhe reformimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.
“Komisioni për Legjislacion miratoi Projektligjin për Byronë Shtetërore dhe 5 projektligjet e Pakos së Reformës në Drejtësi. Nga luftimi i pasurisë së pajustifikueshme, te integriteti dhe përgjegjësia e gjyqtarëve e prokurorëve, fuqizimi i Këshillave dhe forcimi i Akademisë së Drejtësisë, këto 6 ligje prekin themelet e sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Gërvalla.
Sipas saj, këto projektligje përbëjnë bazën e reformës së sistemit të drejtësisë, për të cilën institucionet janë zotuar para qytetarëve.
“Këto 6 ligje janë fundamenti i reformës së thellë të sistemit të drejtësisë, për të cilën jemi zotuar para qytetarëve të Republikës së Kosovës. Qytetarët e vendit tonë e presin këtë prej shumë vitesh. Shteti ligjor, kudo dhe në çdo strukturë, nuk do të mbetet vetëm një premtim”, ka deklaruar ministrja.
Ajo ka theksuar se miratimi në Komisionin për Legjislacion vjen pas punës së përbashkët të institucioneve të sistemit të drejtësisë dhe pas miratimit paraprak nga Qeveria.
“Pas një pune kolosale, të përbashkët dhe të pandalshme të institucioneve të sistemit të drejtësisë, pas miratimit nga Qeveria dhe tash edhe nga Komisioni për Legjislacion, 6 projektligjet janë vetëm një hap larg Kuvendit të Republikës së Kosovës. Jam e bindur se edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës do ta mbështesë Byronë Shtetërore dhe Pakon e Reformës në Drejtësi”, ka shkruar Gërvalla.
Ministrja ka thënë se reforma në drejtësi duhet të zbatohet.
“Reforma në drejtësi duhet dhe do të bëhet realitet”, ka shtuar ajo.
