Gërbeshi: Pas shumicës së drejtorive, PDK-ja po i kap edhe katër Ndërmarrje Komunale të Prishtinës
Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Çlirim Gërbeshi, ka akuzuar kryetarin e kryeqytetit, Përparim Rama, se po i jep Partisë Demokratike të Kosovës kontroll mbi ndërmarrjet komunale si shpërblim për mbështetjen e marrë në balotazh.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gërbeshi ka pretenduar se të martën PDK-ja do të marrë kontrollin edhe mbi katër ndërmarrje komunale të Prishtinës.
“Pas shumicës së drejtorive, të martën, PDK-ja i kapë edhe katër Ndërmarrje Komunale të Prishtinës. Kjo është pjesa e çmimit që Përparim Rama ia paguan PDK-së për ndihmën në balotazh”, ka shkruar ai.
Sipas asamblistit të VV-së, ndikimi i PDK-së në qeverisjen e kryeqytetit është bërë më i madh se ai i vetë LDK-së, parti nga e cila vjen kryetari Rama.
“Në Prishtinë, ma shumë pushtet ka PDK-ja se LDK-ja. Edhe, përveç ndërmarrjeve, tashmë po dihet që PDK-ja e ka kap edhe kryetarin Rama”, ka deklaruar Gërbeshi.
Deklaratat e tij vijnë në kohën e përplasjeve të vazhdueshme politike në Kuvendin Komunal të Prishtinës lidhur me emërimet dhe menaxhimin e ndërmarrjeve publike komunale.
