TË FUNDIT

Gecaj: Ky ishte njeriu më i afërt me PDK-në në kabinetin e Isa Mustafës

Zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj, ka reaguar ndaj deklaratave të Sokol Havollit, duke pretenduar se ai ishte “njeriu më i afërt me PDK-në” në kabinetin e ish-kryeministrit Isa Mustafa.

Në një postim në Facebook, Gecaj tha se Havolli i është përgjigjur me etiketime personale pasi ai e pyeti nëse edhe vetë kishte qenë “satelit i PDK-së”. Ai e cilësoi përgjigjen e Havollit si “prej adoleshenti politik”.

Për të mbështetur pretendimin e tij, Gecaj solli edhe një deklaratë të Uran Ismailit, i cili kishte thënë se Havolli ishte ndër njerëzit më të afërt me PDK-në. Gecaj paralajmëroi se në ditët në vijim do të publikojë edhe fakte të tjera për, siç tha ai, afërsinë e Havollit me këtë parti.

Postimi i plotë:

Sokol Havolli ISHTE NJERIU MË I AFËRT ME PDK-në…

…në kabinetin e Isa Mustafës. Por, meqë Sokoli paska qejf të flasë me terma teknologjikë, duhet pranuar se edhe vetë është dëshmuar si një AT mjaft funksionale: përshtatet shpejt me rrethanat, narrativën dhe nevojën e momentit.

Unë, si ish-koleg i tij në Qeverinë LDK–PDK, i bëra publikisht një pyetje krejt të thjeshtë dhe joofenduese: A isha edhe unë “satelit i PDK-së”? Pyetja erdhi pasi ai kishte përgjithësuar se LDK-ja mund të binte nën kontrollin e “satelitëve të PDK-së.” Dorën në zemër, një etiketim i tillë tingëllon veçanërisht ofendues, por edhe interesant, kur vjen pikërisht nga Sokoli.

Përgjigjja e tij në Debat Plus ishte se unë nuk hyja në kategorinë e satelitëve, por në atë të “GPS-ave.” Një përgjigje prej adoleshenti politik. Sepse shkolla mund të të japë diplomë, por jo domosdoshmërisht edukatë, kulturë dhe nivel komunikimi.

Si një GPS “i sofistikuar”, hulumtova dhe gjeta edhe deklaratën e fundit të Uran Ismailit të PDK-së, e cila vetëm sa e përforcon pohimin tim: “Unë e njoh Sokolin, mundem me thënë që është një prej njerëzve më të afërt që e kisha konsideru me PDK-në. Me Sokolin e me shokë jemi njohur dhe kemi punuar së bashku në qeveri… Ka më së shumti afërsi me PDK-në.”

Për afërsinë e Sokolit me PDK-në, dhe shumë tjera, ky GPS mund të japë edhe koordinata tjera konkrete në ditët në vijim. Për sot, po e lëmë me kaq.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *