Florence Pugh me një fustan blu transparent dhe me supe të theksuara në premierën e filmit “Klara and the Sun”
Aktorja, Florence Pugh, u shfaq në tapetin e kuq të premierës së filmit “Klara and the Sun” në Londër, me një fustan blu transparent të zbukuruar me motive lulesh nga marka Rodarte.
Veshja spikati për pjesën e sipërme me supe të theksuara, duke i dhënë një pamje të veçantë paraqitjes së saj në Festivalin e Filmit në Londër, organizuar nga BFI.
Aktorja 30-vjeçare mori pjesë në event për të mbështetur koleget Jenna Ortega dhe Amy Adams, të cilat luajnë në adaptimin filmik të romanit të Kazuo Ishiguro.
Ortega interpreton Klarën, një vajzë robot të krijuar për të luftuar vetminë, e cila krijon një lidhje me një adoleshente në një të ardhme të ndikuar nga përparimet teknologjike dhe inxhinieria gjenetike.
Në premierë, Jenna Ortega u shfaq me një fustan të artë saten, të kombinuar me një shirit koke me detaje dantelle. Ndërsa Amy Adams, e cila interpreton Chrissie-n, nënën dominuese në film, zgjodhi një fustan elegant bardhezi.
Ndërkohë, javën e kaluar Florence u shfaq në një tjetër event të Festivalit të Filmit në Londër së bashku me partnerin e saj, aktorin Finn Cole, i njohur nga seriali “Peaky Blinders”. Çifti mori pjesë në premierën e dramës së boksit “In The Shadows”, ku Cole luan përkrah Jasmine Jobson.
Pugh kishte zgjedhur për atë mbrëmje një fustan të argjendtë nga Wiederhoeft, me pjesën e sipërme në stil korseje dhe fund të shndritshëm.
Aktorja dhe Cole janë në lidhje që nga viti 2024, ndërsa muajt e fundit kanë qarkulluar spekulime për një fejesë, pasi ajo është parë me një unazë në gishtin e fejesës.
Çifti e bëri publike lidhjen në Instagram në prill, përmes fotografive nga një event i markës Bulgari në Milano. /Telegrafi/
