“Financimi i Ukrainës është thjesht më i lirë”: Ekonomisti ukrainas paralajmëron Evropën kundër ndërprerjes së ndihmës për Kievin
Ndërprerja e mbështetjes financiare për Ukrainën rrezikon ta inkurajojë Moskën dhe ta ekspozojë Evropën ndaj agresionit të mëtejshëm rus. Kështu ka paralajmëruar Tymofiy Mylovanov, president i Shkollës së Ekonomisë së Kievit, në një intervistë për Euronews.
Ai tha se detyrimi i Ukrainës për të bërë lëshime pa garanci të besueshme sigurie mund të hapë rrugën për një tjetër luftë në të ardhmen, transmeton Telegrafi.
Deklaratat e Mylovanovit vijnë në një kohë kur financimi i Kievit është kthyer në një nga çështjet kryesore të diskutimit për buxhetin afatgjatë të Bashkimit Evropian. Udhëheqësit evropianë pritet t’i trajtojnë të dyja çështjet në samitin që mbahet këtë javë në Bruksel.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, e ka lidhur arritjen e një marrëveshjeje për buxhetin e BE-së me vazhdimin e ndihmës financiare për Ukrainën. Ndërkohë, Sllovakia, Hungaria, Çekia dhe Bullgaria kanë shprehur rezerva për ofrimin e fondeve të tjera.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka kërkuar liderëve të BE-së që të përshpejtojnë dërgimin e ndihmës financiare. Javën e kaluar, Komisioni Evropian propozoi një kredi shtesë deri në 45 miliardë euro për vitin 2027, që synon të mbulojë rreth dy të tretat e mungesës së parashikuar të financimit të Ukrainës, e cila arrin në 70 miliardë euro.
Mylovanov tha se rritja e shpenzimeve të Ukrainës për mbrojtjen lidhet si me intensifikimin e sulmeve ruse, ashtu edhe me zhvillimin e teknologjisë ushtarake në fushëbetejë.
“Rusia po shpenzon më shumë para për luftën dhe teknologjinë, prandaj edhe ne jemi të detyruar të përgjigjemi me më shumë teknologji”, deklaroi ai për Euronews.
“Në praktikë, ka më shumë dronë dhe raketa. Na duhen më shumë sisteme për interceptimin e tyre”, shtoi ekonomisti.
Ai theksoi se dronët e pajisur me sensorë të avancuar, programe kompjuterike dhe inteligjencë artificiale po bëhen gjithnjë e më të kushtueshëm.
Ndërkohë, sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike dhe të transportit po pengojnë logjistikën, transportin publik dhe qasjen në arsim, duke shtuar presionin mbi ekonominë ukrainase në prag të dimrit.
Mylovanov argumentoi se ndihma e vazhdueshme për Kievin duhet të shihet si investim në sigurinë e vetë Evropës. Sipas tij, dobësimi i Ukrainës mund të shkaktojë një krizë politike ose ushtarake që do t’i jepte Moskës më shumë mundësi për të kërcënuar edhe shtetet e tjera evropiane.
“Për sa kohë që Ukraina po e frenon Rusinë, Evropa fiton kohë për të rritur kapacitetet dhe për të forcuar mbrojtjen e saj”, tha ai.
“Është thjesht më lirë të financosh dhe të mbështesësh Ukrainën”, theksoi Mylovanov.
Ai përmendi shtetet baltike, Poloninë dhe Evropën Jugore si rajone që mund të përballen me pasoja në rast të tërheqjes së ndihmës perëndimore.
– YouTube www.youtube.com
“Rusia do t’i ridrejtojë menjëherë burimet drejt operacioneve në hapësirën më të gjerë evropiane”, paralajmëroi ai.
Ekonomisti kundërshtoi gjithashtu pretendimin se ndërprerja e ndihmës financiare mund ta përshpejtojë përfundimin e luftës, duke e detyruar Kievin të bëjë më shumë lëshime në negociata. Ai përmendi historikun e Rusisë në shkeljen e marrëveshjeve të mëparshme me Ukrainën.
“Ta detyrosh Ukrainën të bëjë kompromis do të thotë thjesht t’i përshpejtosh problemet për Evropën. Do të thotë të përshpejtosh agresionin e mëtejshëm”, u shpreh ai.
Mylovanov shprehu skepticizëm edhe për procesin e ri diplomatik të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, duke argumentuar se Moska ende nuk ka treguar gatishmëri të sinqertë për t’i dhënë fund luftës.
Sipas tij, partnerët e Ukrainës nuk duhet të mbështeten vetëm në premtimet e Kremlinit, por duhet të krijojnë kushte në të cilat Rusia nuk do të ketë alternativë tjetër përveçse të përfshihet në negociata serioze.
I pyetur nëse Moska mund të pajtohej me një armëpushim përpara negociatave më të gjera politike, siç kërkojnë Kievi dhe partnerët evropianë, Mylovanov iu referua formimit të tij si ekonomist.
“Jam ekonomist me profesion dhe në këtë fushë ekziston një disiplinë e tërë e strategjisë që quhet ‘cheap talk’ – që do të thotë se fjalët janë të lira, ndërsa veprimet kushtojnë”, tha ai.
Ai sugjeroi që procesi të niste me marrëveshje të kufizuara, por konkrete, si shkëmbimi i të burgosurve, ndalimi i përkohshëm i sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike, një armëpushim në Detin e Zi ose ndalimi i luftimeve në zona të caktuara.
“Prandaj, përveç fjalëve, duhet të dëshmojmë diçka konkrete”, shtoi ai.
Ndonëse e mirëpriti përfshirjen e negociatorëve evropianë në procesin e paqes, Mylovanov ngriti pikëpyetje se si do të zbatohej një marrëveshje e ardhshme. Ai përmendi si mundësi vendosjen e trupave, krijimin e buxheteve të përbashkëta për sigurinë, trajnimin ushtarak dhe shkëmbimin e teknologjisë.
Në një kohë kur presioni diplomatik ndaj Kievit po rritet, ekonomisti paralajmëroi se një marrëveshje nuk duhet të vlerësohet vetëm në bazë të lëshimeve që do të përmbajë.
“Në fund, do të kemi një marrëveshje të keqe për të gjithë”, tha ai.
“Pyetja e duhur nuk është nëse marrëveshja duhet të jetë e mirë apo e keqe, por si të sigurohemi që ajo të jetë marrëveshja përfundimtare dhe që lufta të mos vazhdojë pas dy, tri apo pesë vjetësh”, theksoi Mylovanov.
Sipas tij, për këtë nevojitet një vijë e qartë ndarëse mes palëve, e mbështetur nga mekanizma të besueshëm sigurie, përfshirë vëzhgues dhe trupa që do të qëndronin mes tyre. /Telegrafi/
